Nga: Fadil Lepaja
Mos të ju hutojë titulli! Edhe sivjet marsi erdhi sërish dhe me kohë, pikërisht ashtu si edhe pritej – duke u nisur nga obligimet qytetare dhe kombëtare që dalin nga kënga e famshme me titull, “Sërish vjen marsi”!
Kënga këndohet si zakonisht edhe sivjet nën interpretimin e ideologut popullorë dhe duartrokitjet e oligarkisë populliste kosovare. Fundja, kush do ta këndonte tjetër. Këngëtari duhet të ketë pedigre regjionale dhe duhet të jetë politikisht i përshtatshëm.
Pra marsi edhe sivjet erdh. Erdh vet, pa i ndihmuar askush. Mungoi edhe ndihma ndërkombëtare, kësaj radhe. Por, sivjet erdh më herët se zakonisht apo thënë hapur, erdhi shumë më herët sesa e obligon kënga jonë himn, për të cilën folëm në paragrafin më lartë.
Marsi sivjet erdhi në mes të shkurtit. Më saktë me 17 shkurt, kur papritmas për oligarkinë lulëzuan sheshet e Prishtinës, ku qytetarët shpalosën krejt ngjyrat e pranverës tonë politike. U shpalosën madje edhe ato kuqezi, të cilat i kishin mbajtur të palosura nëpër zemra, për të mos e shqetësuar burokracinë ndërkombëtare dhe atë vendore.
Por… ah, sikur të mos ishte kjo “por”, do ti se koha nuk mbajti. Kosovën sërish e kaploi të ftohtit dhe mjegulla. Kjo mjegulla më tepër ishte politike, ndërsa të ftohtit ishte diplomatik dhe institucional. Qysh doni merreni: qytetarët të veshur hollë, po mërdhijnë. Enti metereologjiko-politik po premton se vera ka me ardhë kah qershori, por besa ka humb! Edhe verën e zhvendosin!
Përndryshe, zemrat nuk na i ngrohu as fakti i lumturueshëm se na bënë me President, për të cilin mediat tona publiko-private me këmbëngulje po na bindin se është ai, pikërisht ai që e meritojmë. Pra, nuk meritojmë më mirë.
Edhe ambasadat e “gërditura” me ne, e edhe ato me bark më të fortë, po na bindin se është pikërisht ai që na duhet. Pra, edhe ata mendojnë pak a shumë njëjtë se kjo ishte me meritë. Sikur mbetet e pathënë nga goja e diplomatëve “tanë” nga vendet mike, të cilët edhe pse nuk janë gjenetikisht tanët, prapëseprapë falë angazhimit dhe përkujdesjes së tyre për çështjen tonë (ndër)kombëtare, diqysh nuk mundemi me i nda prej tonëve.
Këtë kuptojeni pa troh ironie, sepse do ishte ferr sikur në këtë vend çdo gjë të varej nga vendorët. Sepse vendorët, përpos nga interesat e (pa)ligjshme, udhëhiqen shpeshherë edhe nga inate, mosdurime regjionale, partiake, klanore dhe lloj-lloj emocione të tjera të cilat nuk rriten dhe kultivohen në “bashqen politike” gati askund tjetër në botë, prandaj edhe janë emërtuar si “ballkanike”! Është “brand” i njohur ndërkombëtarisht.
Pra, ballkanike d.m.th. me e kall. Qysh edhe e folëm më lart, ne udhëhiqemi nga këngët, sepse libra përtojmë të lexojmë. Politika nuk lexon shumë, përpos Albinit, natyrisht, i cili lexon edhe kur ha bukë në tavolinë, apo edhe në sofër gju më gju me popullin. Sipas gojëdhënave popullore, ai lexon edhe kur rri shtrirë dhe shikon televizor, natyrisht pa kravatë. Televizorin ai nuk e shikon se e di që është prodhuesi kryesor i lajmeve në këtë vend. Ai lexon madje edhe kur fle, edhe pse “armiku” nuk fle kurrë. Mediat publiko private e kanë shpallë “armikun” e preferuar publik. ose thënë ndryshe ai tashmë është “satanai” i preferuar i oligarkisë. Me të e vejnë popullin në gjumë. “Flini se po vjen Albini”, kërcënojnë ata popullin. Ne ju ruajmë nga “Brigadat e Kuqe”. Por, ai vet nuk fle asnjëherë. Vetëm bëhet sikur po fle.
Nejse, këto ditë ai nuk fjeti fare. Madje, sipas mediave, ai për herë të parë në jetën e tij politike kishte vënë edhe kravatë. Ky ishte lajmi kryesor e jo ai se ishte takuar me diplomatë dhe intelektualë në një vend evropian dhe ballkanik, njëkohësisht ku kishte shkëlqyer ndryshe, ndërkohë që diplomatët tanë atje duket se ishin tejet të zhgënjyer me vendasit të cilët i kishin dhënë mundësi të flasë. Sidoqoftë, Albini atje nuk hodhi lotsjellës.
Ajo çka nuk e raportuan mediat tona publiko-private ishte se diplomatët dhe intelektualët e këtij vendi pyeteshin se mos “Vetëvendosje” e ka dërguar dikë tjetër në vend të tij, pra diqysh sikur të ishte ai një Albin veç për përdorim të jashtëm, dhe insistonin se nuk mund të “satanizohej” kështu një personalitet me pikëpamje kaq të përpunuara dhe të rafinuara politike.
Por, të kthehemi në temë, edhe pse qysh ma merr mendja mua te ne asnjëherë nuk ka mundësi me qenë jashtë teme. Çka të folësh, në temë je!
Kështu, për dallim prej diplomatëve të tjerë në regjion, këta tanët nuk i fshehin emocionet e tyre dhe kur nuk u pëlqen diçka ankohen drejtpërdrejtë në media. Asnjëherë nuk shkruajnë nota diplomatike të protestës drejtuar Qeverisë. Madje, as lëvdatat apo kritikat për kreun politik apo opozitën nuk i bëjnë në formë raporti me kabllograme, por shefat e tyre për punë të jashtme, apo thënë më mirë nga departamentet përkatëse të shteteve, i lexojnë ato drejtpërdrejtë nga mediat. Ne, tashmë, nuk jemi “punë të jashtme” për ta. Jemi telashe bërë vendore.
Qeveria është e dëgjueshme. Ky është suksesi i sajë më i madh. Fal kësaj, diplomatët i heshtin gabimet e vogla të sajë, sikurse janë korrupsioni, apo krimi i (pa)organizuem! Jemi në periudha historike, dhe nuk duhet të merremi me cikërrima.
E populli, me të cilin shpesh janë të pakënaqur, nuk ka adresë tjetër zyrtare, as email, e as numër telefoni. Qysh me fol me popullin? Edhe populli, sipas shembullit të Qeverisë, duhet të dëgjojë. Veç të mos i marrë veset e tjera të Qeverisë…!
Pra, marsi erdhi, aq i ftohtë, jo vetëm politikisht, por edhe me të vërtetë. Temperaturat kanë ra ndjeshëm dhe shumë lule (politike dhe jopolitike) të cilat gufuan herët nëpër pemë, janë tharë. Sidoqoftë, shtypi sërish u kënaq duke spekuluar se kë e priti e kë jo, familja Jashari, sepse atje shkohet për me pa se ku jemi me busullën kombëtare.
Përndryshe, Akademia e Shkencave dhe Arteve është çakorduar krejtësisht. Një akademik thumbit, tjetri patkoit. Njëri në moshë të thyer e kritikon Qeverinë dhe presidentin, e tjerët nuk e bëjnë publikisht. Tjerët, shumica, preferojnë që gjërat të i bisedojnë nëpër parti, pastaj edhe në Akademi. Mos të dalin në publikë pa aprovim nga koalicioni. Edhe universitetet publike vlojnë. Rebelët u thyen. Politika dhe a(m)akademikët flenë sërish në shtatin e butë të privilegjeve. Profilet shpresëdhënëse në rrjetet sociale me kodin #merektorin kanë mbetur shkret.
Desha tA përfundojë me diçka të zakonshme, në harmoni me natyrën, se dita e (pranë)verës erdhi, se bora u shkri, por nuk dua të gënjejë. Borë sivjet nuk kishte fare në mars. Më kot i kemi vu gomat e dimrit sivjet, sepse politika jonë e ka pasë nxehtë tërë kohën – vapë madje!
Pas marsit vjen si zakonisht prilli dhe festa e politikës e cila bie me një prill! Ne, kosovarët, nuk ka festë që nuk e festojmë. Hajde gëzuar edhe dita e politikës…!
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë