Google ADS

S’do të ketë as Vuçiq, as Serbi: Ora e ankthit dhe e teorive të komplotit në Beograd

11:59 | 22 Maj 2018
Arbresh.info

Ndonëse tashmë disa herë, madje edhe nga vetë ambasadori i ShBA-ve në Beograd Kyle Scott është përgënjeshtruar lajmi se Perëndimi ka një plan të gatshëm për marrëveshjen e Serbisë dhe Kosovës, shtypi serb vazhdon spekulime nga më të habitshmet se çfarë përmban ky plan. Se ç’është propagandë për t’u mobilizuar kundër Perëndimit e çka e vërtetë – tash për tash është vështirë të kuptohet.

Një pjesë e shtypit serb vazhdon ta marrë si të mirëqenë lajmin se Perëndimi ka një plan të përgatitur në tërësi se si do të arrihet marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndonëse ekzistimi i tij tashmë është përgënjeshtruar disa herë, madje edhe nga vetë ambasadori ShBA-ve në Beograd, Kyle Scott. Megjithatë, mediat vazhdojnë me spekulime të habitshme se çfarë përmban ky plan. Se ç’është propagandë për t’u mobilizuar kundër Perëndimit e çka e vërtetë – tash për tash është vështirë të kuptohet. Vetë kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq, gjatë samitit të BE-së me vendet e Ballkanit në Sofje, ka thënë se nuk ka marrë një plan, por vetëm orientimet dhe parimet.

Është interesante edhe rruga e «planit» deri në medie. Së pari se ai ekziston, madje i hartuar nga përfaqësuesit e shteteve të Quintit në 11 pika, ka shkruar, sipas burimeve anonime, gazeta elektronike «Express» e Prishtinës, ndërsa pasi që lajmi u përhap edhe nga thuaja të gjitha mediat e Beogradit, «Express»-i këtë e prezantoi si konfirmim të lajmit të tij. Por, pa e theksuar një detaj – se shumica e mediave beogradase burim kishin mu Express-in, ndërsa edhe tek të tjerat, në të cilat nuk përmendej burimi, shihej se është fjala për të njëjtin lajm.

«ShBA-të do të bëjnë Serbinë Palestinë europiane në qoftë se Beogradi e refuzon planin e Perëndimit për Kosovën, i cili nënkupton njohjen e shtetit të rrejshëm shqiptar. Masakrimi i demonstruesve, vrasja e mbi 60 njerëzve në Gazë, ka qenë ushtrim demonstrues për të gjithë ata të cilët u kundërvihen interesave të ShBA-ve», thotë për «Sputnikun» rus për Serbinë, ish-redaktorja e «Politikës» dhe, siç prezantohet, njëra ndër njohësit më të mirë të politikës së jashtme amerikane, Liljana Smajloviq. Ajo më pas e zbutë tonin, duke thënë se Washingtoni formalisht nuk do t’i vë sanksione Serbisë dhe sigurisht se nuk do të këtë agresion të ri ndaj saj, ndërsa vlerëson se «nuk ka afate konkrete për Kosovën, sado disa medie tentojnë të spinojnë informata të tilla.»

Po për «Sputnik»-un, analisti politik Dragan Angjelkoviq thotë se amerikanët mund t’u japin dritë të gjelbër «ekstremistëve» për ekspeditë në veri të Kosovës dhe të tentojnë të realizojnë një «Stuhi» (aksioni i ushtrisë kroate për marrjen e Krajinës) të re, ndaj fton serbët «që të organizohen nëpërmjet mbrojtjes civile, sepse kështu do të jenë në gjendje të mbrohen». Politikologu Aleksandar Paviq, bashkëpunëtor i Fondit rus të kulturës strategjike, duke folur për «presionet permanente të qendrave e fuqive të globalizimit në Washington, Bruksel, Berlin e Paris», thotë se edhe sikur Serbia ta njohë Kosovën, «presionet dhe mundësitë e sanksioneve zyrtare e jozyrtare do të mbeteshin». «Atëherë në radhë do të ishin Republika serbe, rajoni i Rashkës (lexo: Sanxhaku), Vojvodina… Duhet të vendosim se a jemi të gatshëm ta paguajmë këtë çmim apo më e dashur na është një robëri e re. Vetëm nëse vullnetarisht e pranojmë këtë të dytën, kjo s’do të jetë më Serbi», përfundon ai.

Në këtë vazhdë të përhapjes së teorive të konspiracionit, gazeta «Blic» e Beogradit shkruan se Vuçiqit ShBA-ja dhe bota perëndimore ia kanë dorëzuar planin «për zgjidhjen e çështjes së Kosovës». Një burim anonim nga pala serbe i paska thënë gazetës se «nuk do të mund të fitojmë asnjë komunë, Asociacioni (i komunave serbe në Kosovë) do të ketë statut, por nuk dihet se çfarë statusi do të ketë». Por, më interesantja është se Wess Mitchell, ndihmës i sekretarit të shtetit për Europë e Euroazi, njëri ndër hartuesit e planit, sipas «Blic»-it, duke ua prezantuar planin OJQ-ve serbe, paska thënë se Serbia duhet ta pranojë këtë plan. «Nëse nuk e pranon Vuçiqi, do të ketë kush ta pranojë, por atëherë ky do të jetë fundi i tij dhe i Serbisë» – shkruan gazeta beogradase.

Një dozë realizmi ka sjellë Miroslav Lazanski, përndryshe analist politik e mbështetës i politikave serbomadhe, dhe këtë herë në një televizionin jo propagandues, N1. Pa përcaktuar saktësisht se çfarë ofrohet, ai ka thënë se «pozicioni i Serbisë në bisedime është i vështirë», sepse «ka arritur fatura për veprimin apo mosveprimin shumëvjeçar». «Politika është raport i forcave në terren, dhe ne nuk mund të hyjmë në konfrontim, të ndërpresim bashkëpunimin me vendet e Perëndimit, por jemi të vetëdijshëm se ato nuk kanë qasje miqësore ndaj Beogradit, dhe ne ua themi këtë. Ata nuk e pranojnë dhe tash për tash është kështu… Ne kemi kolizion interesash me shtetet më të fuqishme të botës dhe nuk është lehtë të përgjigjesh e të marrësh farë vendimesh», ka thënë Lazanski. Ai megjithatë fton që të mos pranohen ofertat e Perëndimit, sepse «askush nuk kërcënon me bombardime, as me sanksione» dhe se për të hyrë në Europë ka kohë – deri në vitin 2025, e deri atëherë «mund të vijë deri te Lufta e Tretë Botërore, këtë askush i gjallë nuk e di se çfarë do të ndodhë».

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme