Nga Elmi Reçica
Republika e Kosovës, përkatësisht Prishtina, është nikoqire e Samitit të Komisioneve të Punëve të Jashtme, të cilin e ka organizuar Komisioni për Punë të Jashtme i Republikës së Kosovës. Një samit me vendet e Europës Jug-lindore ishte organizuar në vitin 2010 në Republikën e Kosovës nga kryetari i atëhershëm i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, z. Sabri Hamiti.
Tematika e Samitit të sivjetëm do të jetë e lidhur me aktualitetin: “Ballkani dhe integrimet Euro-Atlantike”. Interesi jetik i të gjitha vendeve të kontinentit është që të integrohen në Bashkimin Europian (BE), si shtëpia e përbashkët e të gjithë neve. Po kaq i rëndësishëm është edhe integrimi në Aleancën Veri-Atlantike (NATO), si mburoja e sigurisë perëndimore.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në funksion të demokracinë parlamentare, me këtë organizim tregon përkushtimin për rrugën e integrimeve euro-atlantike. Kosova njëmend është vend i vogël, por pozicioni i saj gjeostrategjik e bën shume të rëndësishëm. Duke qenë në kufi me Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë, ku ka shqiptarë autoktonë, Kosova ka mundësi të kontribuojë shumë për sigurinë, stabilitetin dhe paqen në këtë regjion. Dhe Kosova, ashtu sikurse e ka dëshmuar deri më tash e që do ta bëjë edhe në të ardhmen, është e përkushtuar si faktor për të luajtur rol konstruktiv në këtë regjion, i cili, për shkaqe të ndryshme historike dhe etnike, është shumë neuralgjik. Kosova e ka në themel të politikës së vet frymën perëndimore, demokracinë dhe vlerat e saj, prandaj ajo është fort dhe sinqerisht e përcaktuar për integrimet euro-atlantike.
Përfaqësuesit e më shumë se njëzet vendeve do të kontribuojnë secili me kumtesat, elaborimit, fjalët dhe diskutimet e tyre. Të gjithë ne kemi interesa të përbashkëta: për ta bërë sigurinë më të qëndrueshme, për të kooperuar në sferat relevante dhe për të mbështetur njëri-tjetrin.
Perspektiva e secilit vend të kontinentit është integrimi te familja europiane. Pikërisht këtë çështje do ta trajtojë paneli i parë, tematika e të cilit është “Perspektivat e zgjerimit të BE-së. Hapja e dyerve për vendet Ballkanike”. E qartë, zhvillimi përgjatë historisë ka bërë që vendet e Ballkanit të kenë nivele të ndryshme, të ketë diskrepancë, kultura, qasje e vlera diverte, të cilat do të mund të kalibrohen më së miri vetëm kur të gjithë do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian. E rëndësishme është që fryma pro-europiane është përqafuar, të tjerat rregullohen pastaj në rrugëtimin e përbashkët. Besimi te vlerat e përbashkëta dhe liria e kontinentit, është ajo që e mban të gjallë dhe të dëshirueshme perspektivën integruese.
Përderisa përcaktimi i të gjitha vendeve të Ballkanit pa përjashtim është për integrimet europiane, kjo është, të paktën, një agjendë e përbashkët, që është me rëndësi. Këtë çështje do ta trajtojë paneli i dytë, tematika e të cilit është “Përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare/tejkalimi i barrierave politike të rajonit”. Secili vend ballkanik, përfshirë edhe Kosovën, ndodhet para barrierave të ndryshme, të cilat janë sfida, që të tejaklohen. Kjo mund të arrihet vetëm duke pasur besim të plotë ndaj vlerave perëndimore euro-atlantike, duke i përvetësuar ato, duke i mishëruar në politikë dhe në frymën e respektit të ndërsjellë. Këtu do të ritheksohet nevoja për thellimin e bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit drejt integrimit në organizatat ndërkombëtare, si një rrugë për të tejkaluar barrierat politike në regjion, por edhe për të përvetësuar e ndarë vlera të përbashkëta të njerëzimit.
Bota sot, e në këtë kuadër edhe kontinenti ynë europian, ballafaqohet me pasojat e luftërave në vende të ndryshme si dhe levizjet për një jetë më të mirë ekonomie. Kjo çështje do të trajtohet në panelin e tretë, tematika e të cilës do të jetë „Kriza e emigracionit/refugjatët“. Ndonëse në mënyrë simbolike, me këtë realitet është përballë edhe Kosova dhe përpjekjet maksimale janë bërë që të jepet një kontribut i denjë, ku institucionet shtetërore të emigracionit janë treguar në krye të detyrës. E ardhmja nuk dihet se ç’do të sjellë, ndaj dhe secili vend duhet të tregojë solidaritet dhe mirëkuptim për refugjatët fatkeqë ashtu që t’u lehtësohet pafatësia. Gjithashtu, perspektiva duhet të jetë krijimi i një bote më të mirë, ku të mos ketë nevojë për refugjatë.
Një cështje tjetër e rëndësishme është ajo që lidhet me rrezikun aktual sot në botë, konkretisht me terrorizmin. Kjo çështje do trajtohet në panelin e katërt, me tematikën „Lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon”. Nuk ka asnjë vend i cili të mos jetë potencialisht i rrezikuar nga terrorizmi dhe radikalizmi, dhe ka rrezik që edhe regjioni të përfshihet në të ardhmen. Vendet e regjionit duhet të bashkohen në përpjekjet për të luftuar terorrizmin dhe radikalizmin, duke ndërtuar politika preventuese. Këtu të gjithë pa përjashtim, secili vend, mund të japë ndihmesën e vet dhe të kontribuojë për paqe. Më mirë të parandalojmë sot, se sa të pësojmë nesër.
Në Samit do të jenë prezentë përfaqësues të afër 20 shteteve dhe të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, kurse pjesëmarrës do të jenë rreth 160 veta. Nga personalitetet e vendit, do t’i drejtohen Samitit z. Hashim Thaci – president, Kadri Veseli – kryetar i Kuvendit, Isa Mustafa – Kryeministër. Po ashtu do të ketë edhe zëvendëskryeministra, ministra, deputetë e deputete dhe personalitete të tjera.
Me këtë Samit, Kosova po shpreh gatishmërinë e vet që me pjekuri politike, të tregojë vullnetin për integrimin në ingranazhet e mekanizmave politikë euro-atlantikë, ashtu që të krijohet një frymë e përbashkët integruese, e lidhur për çështjet konkrete, shumë të rëndësishme dhe aktuale të cilat do t’i trajtojë me përgjegjësi dhe vullnet të mirë në të gjitha paraqitjet dhe debatet. Kështu, Kosova po tregohet e gatshme, jo vetëm të shtrojë çështje, por edhe të japë kontributin e vet konkret për integrimet euro-atlantike.
Meqë një Samit i këtillë është i rëndësishëm dhe me peshë në procedimin e problemeve aktuale të kontinentit, shpresoj që një organizim i këtillë i Samitit të bëhet tradicional ne secilën legjislaturë të Republikës së Kosovës, që të ruhet e të vazhdohet faktorizimi i Kosovës në regjion.
(Autori është kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës)
______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Opinioni është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...