Ka kohë që çdo gjë me ne dhe në ne, aq ka ndryshuar sa jemi bërë thuajse të panjohurit e vetvetes. Edhe atë jo vetëm pse pandemia na çoi të heqim dorë nga shumëçka që e dallonte shqiptarinë nga të tjerët, por pse filloi të na pëlqejë të mos jemi vetvetja.
Pra jo vetëm pse shkaku i pandemisë hoqëm dorë nga disa vlera themeltare shqiptare, si për shembull nga ajo se shtëpia i takon Zotit dhe mikut, por pse thuajse mezi kishim pritur që të çlirohemi nga obligimi që të vdekurit tanë t’i përcjellim derti te varrezat dhe, të porsamartuarin, deri te dhoma e dhëndërisë.
Ka kohë pra që shumëçka të vlefshme tonën, e zëvendësuam me spektaklet televizive dhe me debatet e shumta, e që i ka e gjithë bota, por që te ne janë ngritur në rrafshin e ‘kremteve dhe vlerave’ kombëtare.
Spektakle e debate që na bëjnë më ‘mendjehapur, që na ‘çlirojnë’ nga tabutë dhe, që në masë të madhe, na de shqiptarizojnë, që na çojnë ta shohim vetëm fytyrën tonë të shëmtuar, fytyrën që nuk turpërohet nga asgjë, atë të amoralit, atë që i shpërfillë vlerat shpirtërore, që na çon udhës që të tallemi me ndershmërinë, me moralin, me turpin, që na mëson t’i shpallim të pavlerë dallimet gjinore mes njerëzve, që rrënon familjen, pra që shkatërron atë më të vlefshmes që e ka mbajtur gjallë dhe e ka mbrojtur shqiptarinë edhe kur nuk kemi pasur as shtet, as institucione shtetërore.
Dhe shumë nga këto spektakle e debate, të llojeve të ndryshëm, ku kryesisht rekomandohet cullakëria e mos pasja turp nga asgjë, e zhbënë ‘gjykatën’ më frytëdhënëse shqiptare – atë publike, na bënë të ndjehemi rehat edhe kur jemi të rrethuar me kamera.
Spektakle e debate që na bënë të mos jemi të ndrojtur edhe përpara syrit që na sheh edhe kur vishemi, edhe kur zhvishemi, edhe kur urrejmë edhe kur bëjmë dashuri, pra edhe kur na sheh syri i turpit edhe ai i Zotit.
Këto spektakle dhe debatet për shlyerjen e tabuve, në të vërtet ia arritën të na e imponojnë autocensurën, frikën që të shprehim publikisht bindjet tonë se ateizmi, kozmopolitizmi dhe shlyerja e dallimeve gjinore mes njerëzve, janë si shtëpi pa themele, si shtëpi ku vështirë se mund të jetohet, si tenda të përkohshme, të cilat do i merr shtrëngata e zhbërjes së vlerave tradicionale njerëzore.
Po pra, shumë nga këto spektakle e debate, ia dolën t’i heshtin pyetjet tona pse e rrënuan Teatrin Kombëtarë, kush do jetojë në pallatet shumëkatëshe të Tiranës – të rinjtë që e braktisin Shqipërinë dhe shqiptarët që varfërohen, apo narko-mafiozët dhe sheikët arabë, që do e ndërtojnë portin e Durrësit duke e bërë atë më të bukurin e Ballkanit, por duke ia shlyer fytyrën shqiptare.
Dhe këto spektakle e debate mes mendjehapurve e kozmopolitëve tanë që e duan ‘Ballkanin e Hapur’, thuajse kishin vetëm një qëllim: të na pamundësojë të shtrojmë pyetjen kryesore – ç’na duhet civilizimi që mbështetet mbi themelet e shthurjes së plotë, dhe ç’vlerë ka të jetuarit pa tabu, nëse të është marr liria të mbetesh vetëm shqiptar?!
Dhe kështu pra, ka kohë që sa i përket shthurjes dhe cullakërisë, ne pa dyshim jemi bërë populli më i ‘civilizuar’ i Evropës. Pra jemi më të shpëlarët nga ‘tabutë’, banorët më përfaqësues të shekullit njëzet e një dhe, njerëz me më pak paragjykime të këtij planeti.
Andaj edhe kemi arritur deri aty sa, për shembull, mungon vetëm të na rekomandohet që edhe kur gruaja na e sjellë të dashurin e vet në shtëpi, ne të mos acarohemi, por t’i themi mysafirit të kalojë në dhomën e gjumit, nëse nuk ndjehet rehat në praninë tonë?! Apo, sa nuk na thonë se, kur djali ynë na kthehet në shtëpi me të dashurin e vet, apo vajza me dashnoren, ne të ndjehemi krenar pse ata nuk janë si ne!
Ku ta dish, ndoshta ka ardhur koha kur do duhet ta ndalojmë këtë hovë të ‘civilizimit’ tonë, e të shohim mos vallë jemi katandisur udhës së rrënimit të gjitha vlerave shqiptare, mos vallë shkojmë drejtë asaj që të turpërohemi nga vetvetja, të bëhemi të pandjeshëm ndaj të shkuarës sonë, që aspak të mos na interesoj nga vijmë, kush jem, e ku shkojmë, por vetëm çka kemi në xhep.
Pra, mbase ka ardhur koha kur duhet më guximshëm e më zëshëm të luftojmë kundër zhbërjes së familjes, kundër zhvlerësimit të traditës e të kulturës sonë. Kur pra duhet të bëjmë çmos që ta mbijetojmë këtë vorbull deshqiptarizues, që t’i përballim këto kohë kur plakave nuk u thuhet sa të bukura kanë qenë në rini, por vashave u parashikohet bukuria e pleqërisë, kur do i ndreqin mollëzat e faqeve, hundën, gjinjtë….
Më në fund, ne ose do e përballim këtë periudhë kohore kur të gjithë bëjmë çmos që t’i ndreqim buzët, gjoksin e vithet, ose do dorëzohemi përpara ‘civilizimit’ ku gjithçka të varet nga ajo si e ke trupin, e jo sa e ke të mbushur trurin.
Në ndërkohë, duhet pasur kujdes: pandemia dhe paradhoma e luftës së tretë botërore ku tani ndodhemi, edhe më tej do na lodhin, do na bëjnë të pandjeshëm ndaj shfytyrimit tonë kolektiv, ndaj vetvetes dhe asaj që jemi. Do na çojnë të harrojmë se këtij vorbulli të frikës do i shpëtojnë vetëm ata që nuk do e harrojnë vetveten, që do mbështeten në atë që janë dhe në atë që kanë.
Po pra, ndërkohë duhet pasur kujdese: lufta në Ukrainë, në mos më shumë, do i jep fund globalizimit, e që kërkon nga ne të mbetemi perëndimorë, por duke u shqiptarizuar.
Sot pra, si kurrë më parë, ne duhet t’u kthehemi vlerave shqiptare, duhet t’i kthemi shqiptarisë, duhet t’u kthehemi feve tona, sepse nëse edhe më tej mbetemi me kokën e zhytur në guacën e tualetit tonë kolektiv, atëherë do nisim të turpërohemi nga vetvetja.
E ndërkohë, të gjithë sa jemi, duhet ta mirëkuptojmë brengën e vashave shqiptare ndaj rritjes së çmimit të salikonit dhe botoksit, sepse ato nuk do duhej të harxhonin aq shumë para për t’i bërë buzët, gjoksin e vithet, sikur shumica e meshkujve, të mos ishin shumë të ‘civilizuar’, por pa tru në kokë. /arbresh.info/
Për herë të gjashtë radhazi, Drenasi shpallet kampion në Gra...
Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live ...
U thirr sot në SPAK, Veliaj: Kurth i sajuar, jam denoncuar n...
Nottingham Foresti e mposht Tottenhamin, ngritët përkohësish...
Hovenier në takim lamtumirës me Kurtin: Me bashkëpunimin më ...
Fulham i jashtëzakonisht, merr fitore në frymën e fundit nda...