Tashmë po kthehet në një ligjësi, që Kosova reagon me shpejtësi të admirueshme ndaj zhvillimeve politike, ndërkohë që në Shqipëri duket sikur koha ka ngecur në vend.
Vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme situata në Prishtinë duket se ka ndryshuar rrënjësisht, ndërsa në Tiranë këneta ngjan të jetë e patrazuar, edhe pse “foltoret” e ish-kryeministrit të rrëzuar nga pushteti 8 vjet më parë vazhdojnë të jenë i vetmi lajm i rëndësishëm politik.
Kosova ka ndërruar brezin e tretë të politikanëve në pak vite dhe po përgatitet, ndoshta pa shumë dhimbje, për të kartërtin, ndërsa tek ne pas 31 vjetësh debati i vetëm që shtrohet për zgjidhje është, në do ta kemi prapë udhëheqës të madh Sali Berishën apo jo.
Politikani “yll në ngjitje” i Kosovës, që fitoi një shumicë të bollshme para pak kohësh, papritur e shikon veten të lëshuar në pikën e nisjes, njësoj si ata futbollistët e mëdhenj, të cilët paralajmërohen në mes të ndeshjes me karton të verdhë dhe që fama nuk i ndihmon të mos dalin përfundimisht nga fusha, nëse e përsërisin gabimin. Dhe besoj se të gjithë biem dakord se zgjedhjet e djeshme lokale në Kosovë ishin një këmbanë që binin për veshët e Albin Kurtit.
Që do të thotë se shqiptarët e Kosovës janë të pakënaqur me qeverisjen e tij dhe për ta shprehur këtë nuk kanë pritur gjatë.
Ndërkohë që sot në Tiranë askush nuk e quan shumë problem pse Edi Rama është forcuar politikisht, pas 8 vjetësh në krye të një qeverisjeje më shumë se problematike, ngaqë prozhektorët e publikut, ndoshta fare për meritë të tij, janë drejtuar tek opozita e lodhur e Lulzim Bashës dhe e Sali Berishës.
Dhe pyetja e natyrshme është se si ka mundësi, që i njëjti popull dhe i njëjti komb të prodhojë rezultate kaq të ndryshme në një kontekst kaq të përafërt gjeopolitik.
Përgjigja është një edhe e vetme, sipas meje. Është kryesisht sistemi dhe pastaj ndoshta edhe raporti i ndryshëm të dy shteteve shqiptare me flamur të ndryshëm me faktorin ndërkombëtar.
Shqipëria po e vuan si askush tjetër në rajon e më gjerë marrëveshjen e ligë të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, e cila që prej 8 vjetësh po rëndon më shumë në kurriz të popullit opozitar. Kjo është kryetarokracia, e cila ka promovuar bipolaritetin poilitik, që i ndan qytetarët si me thikë në dy vatha bardhezi.
Njësoj si diktaturat kishin, nga njëra anë njeriun e ri, dhe në tjetrën armikun e klasës. Një mikroklimë e poshtër, që nuk lë vend për një alternativë tjetër në mes, për të cilën janë ngritur me dhjetëra pengesa dhe çarqe për t’ia bërë jetën dhe mbijetesën pothuajse të pamundur cilitdo rebeli dhe të pabinduri ndaj sistemit.
Përfundimi është tragjik. Zgjidh njërën prej dy të këqijave, edhe nëse e bardha nuk ekziston, të paktën voto atë më pak të zezën, që anon më shumë nga grija. Ndërkohë që Kosova nuk e ka pasur asnjëherë këtë kufizim, për fatin e saj të mirë.
Kurse unë e kam bindje se për shkak të politikanëve të paskrupuj, Shqipëria ka abuzuar fort edhe me sovranitetin e saj të plotë, mundësi që nuk e ka pasur dot Kosova, për arsye historike. Dhe paradakosi është se ne sot po vuajmë në kurriz faktin që kemi marrë vendime të këqija kundër vetes sonë, për të cilat të huajt nuk na ndalonin dot, ndërkohë që Kosova e ka pasur të pamundur t’i merrte, për shkak të sovranitetit të kufizuar të saj. Dhe për këtë arsye ajo ka shpëtuar dhe nuk po i vuan si ne sëmundjet e deformimit të demokracisë.
Kjo e shpjegon edhe faktin se pse “sovranistët” e thekur në të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë, zakonisht u përkasin radhëve të politikanëve problematikë.
Kaq e thjeshtë është historia, dhe ky është shkaku se pse u bë shumë kohë që, sa herë shoh Kosovën, më vjen keq për Shqipërinë.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...