Shkruan: Prof. Dr. Sejdi Rexhepi
Sindikatat duhet të jenë më aktive me kërkesa normale dhe të arsyeshme siç është rivlerësimi i pagës aktuale nominale, duke i kthyer kështu asaj fuqinë blerëse që e kishte në vitin 2019 kur inflacioni ishte thuajse zero. Ky rivlerësim do të duhej të nënkuptonte kompensim në mënyrë retroaktive për periudhën që nga janari i vitit 2021 deri me tani. Kurse, rritja e çmimeve të konsumit të energjisë elektrike e propozuar këto ditë nga Zyra e Rregullatorit për Energji, rivlerësimin e pagave e bënë të domosdoshme dhe për momentin të vetmen alternativë të mundshme për të përballuar koston minimale të jetesës të çdo qytetari.
Shfaqja e Pandemisë Covid 19 sikur paralajmëroj se përpos krizës shëndetësore, një krizë ekonomik është në prag të derës dhe se pasojat e saj nuk do të jenë veç për shëndetin e qytetarëve, por edhe për gjepin e tyre. Rritja e çmimeve të produkteve higjienike dhe e barnave për tu mbrojt dhe shëruar nga ky grip i jashtëzakonshëm u ngritën shpejt në mënyrë të jashtëzakonshme. Paralelisht, çmimet e produkteve ushqimore u rritën, kurse qytetarët në panik gati se nuk shtronin pyetjen se sa kushton por a ka dhe a gjendet në treg. Prodhuesit dhe tregtarët, e në veçanti përfituesit spekulant, e shfrytëzuan rastin që të përfitojnë nga mungesa momentale e artikujve në treg, e pastaj edhe nga mungesa artificiale e spekulative. Konsumatorët ishin të pafuqishëm që të reagojnë dhe të ndërmarrin diçka, kurse shteti nuk ishte i përgatitur që me rezerva shtetërore të reagoj në treg për të kontrolluar çmimet dhe të penalizoj keqpërdoruesit për shfrytëzim të situatës dominuese në treg. Ky ishte vetëm fillimi i shkëndisë së parë të inflacionit i cili si do të shohim më vonë do të përfshijë tërë ekonominë botërore.
Vendosja e masave të ndryshme kufizuese në qarkullimin e njerëzve e që besa edhe të mallrave, pa dilemë pati efektet në mungesën reale por edhe në krijimin e mungesave artificiale të artikujve në treg. Kjo sigurisht u shoqërua me një rritje të çmimeve që buronte si rezultat i kërkesës së shtuar dhe ofertës së kufizuar. Për të minimizuar pasojat e Pandemisë Covid 19, shtetet aprovuan masa të ndryshme mbështetëse për qytetarët të cilat nuk kanë pas si të financohen ndryshe përpos nga fondet buxhetore ose nga hedhja e parave të freskëta (emisioni primar) në qarkullim. Rritja e ofertës së parasë përball ofertës së kufizuar të mallrave dhe shërbimeve natyrisht është shoqëruar me rritjen e çmimeve.
Programet ambicioze të rimëkëmbjes ekonomike dhe për tejkalimin të pasojave të Pandemisë ishin shkaktari shtesë i rritjes së çmimeve në nivel botëror. Të përkujtojmë se BE-ja aprovoj një program prej më shumë se 800 miliard euro, kurse SHBA-të më shumë se 2, 2 trilion (mijë miliard) dollar. Sigurisht se një pjesë e këtyre fondeve burimin e vetë e ka pas edhe në emisionin primar. Natyrisht, këtë mundësi të financimit inflator të rimëkëmbjes ekonomike e kanë nuhatur bizneset në veçanti ato të mëdhatë (korporatat), të cilat për të mbrojtur substancën e bizneseve të tyre, në çmimet e shitjes përpos kostos dhe marzhës së fitimit, kanë inkorporuar edhe inflacionin e pritur. Kjo rritje e çmimeve për inflacionin e pritur, pastaj është përcjellë të t’gjithë sektorët e ekonomisë.
Së fundi, ajo që, sa është duket të jetë reale po aq është edhe spekulative (për këtë mund të flasim ndonjëherë tjetër), ishte rritja e çmimeve të energjisë. Kështu, sikur u hedhë benzin në zjarrin e shkëndisë tanimë të filluar të inflacionit të përmasave botërore. U tha se rritja e prodhimit është shkaktar i rritjes së kërkesës për energji. Në ndërkohë që treguesit e përgjithshëm makroekonomik botërorë, nuk flasin për një rritje të theksuar të ekonomisë në vitin 2021 krahasuar me vitin para Pandemisë Covid, pra vitin 2019.
Si do që të jetë, ekonomia botërore në vitin 2021 përjetoj inflacionin më të lartë që nga vitit 1972, kur inflacioni kishte përmasa botërore. Atë botë u tha se shkaktarë ishte rritja e çmimeve të naftës nga ana e shteteve prodhuese të naftës (OPEK-u), ndonëse edhe atëherë sikur edhe tani, inflacioni është kryesisht i natyrës monetare (si rezultat i rritjes së sasisë së parasë në qarkullim në raport me sasinë e mallrave dhe shërbimeve) dhe më pak si rezultat i rritjes së kërkesë për mallra dhe shërbime.
Për mos me zgjatë këtë shkrim, është evidente se janë rritë çmimet e të gjitha mallrave dhe shërbimeve, madje monedha euro këto ditë pësoj edhe një rënie në kursin e këmbimit valutor ashtu sikur edhe dollari amerikan. Në këto rrethana, në vendi tonë, pagat nominale kanë mbetur të njëjta, kurse pagat reale janë dukshëm më të ulëta. Paralelisht kjo nënkupton se edhe standardi i qytetarëve dhe mirëqenia ekonomike e tyre ka ra në proporcion më rritjen e çmimeve të shportës së konsumit të tyre të përditshëm. Ky është një sinjal për Qeverinë e cila menjëherë duhet të ndërmarrë veprime të nevojshme për rivlerësimin e pagave dhe të gjitha formave të tjerë të dhënieve buxhetore, siç janë pensionet, ndihmat sociale, bursat, etj. Kjo do të ishte në funksion të mirëmbajtjes së nivelit të mirëqenies, si dhe të mbajtjes së aktivitetit ekonomik të ekonomisë, përmes ruajtjes së aftësisë blerëse të qytetarëve. Agjencia e Statistikave të Kosovës, duhet të publikoj indeksin për ri-vlerësim e pagave i cili duhet të mbështetet në shportën e produkteve elementare të konsumit. Ky indeks do të duhet të jetë i publikuar dhe i rekomanduar për të gjitha bizneset (pra edhe ato private), për të rivlerësuar pagat dhe format e tjera të kompensimit të punëtorëve.
Në këtë drejtim Sindikatat e të gjitha llojeve, duhet të jenë më aktive me kërkesa normale dhe të arsyeshme siç është kjo e rivlerësimit të pagës aktuale nominale në nivel të fuqisë së saj reale blerëse, duke i kthyer asaj fuqinë blerëse që e kishte në vitin 2019 kur inflacioni ishte thuajse zero. Ky rivlerësim do të duhej të nënkuptonte kompensim në mënyrë retroaktive për periudhën që nga janari i vitit 2021 deri me tani. Sigurisht se kjo do të kishte një kosto për buxhetin e Kosovës, por duhet të kuptojmë se, këto ditë ka pas deklarata se gjatë vitit 2021 të hyrat tatimore dhe ato nga doganat janë rritë, gjë që nuk është asgjë tjetër përpos rritje e të hyrave si rezultat i rritjes së çmimeve, pra bazës për kalkulim të tatimit, pra thjesht si rezultat i rritjes së çmimeve. Këto para janë paguar nga paga e konsumatori dhe në mënyrë të natyrshme duhet ti kthehen atij. Kjo do të ishte në interes edhe për Qeverinë, sepse në këtë mënyrë do të përfitonte përkrahjen qytetare për të hartuar një Ligj të Pagave, pa nxitim dhe nëse asgjë tjetër, do ti ipte mundësin për të fituar kohë më të qetë deri në implemtimin e tij në praktikë.
Rritja e çmimeve të konsumit të energjisë elektrike e propozuar këto ditë nga Zyra e Rregullatorit për Energji, e bënë edhe më të domosdoshme kërkesën për rivlerësim (indeksimit) të pagave, dhe për momentin të vetmen alternativë të mundshme për të përballuar koston minimale të jetesës të çdo qytetari.
Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?
A është tradhtia një sëmundje apo një zgjedhje?
Çfarë personaliteti ka një Shigjetar?