Nga Azem Parllaku
Nëse ka një çështje për të cilën ka kaq shumë interes në botën e ditëve tona, ajo është siguria. Nisur nga rëndësia që ka garantimi i sigurisë, nuk është i rastësishëm fakti që çdo vit zhvillohen kaq shumë takime apo konferenca të niveleve më të larta politike dhe teknike në nivel global. Ashtu sikurse fakti që, këto diskutime janë të përditshme në të gjitha nivelet e organizmit institucional. Rëndësisë që i kushtohet njohjes së konceptit të sigurisë dhe plazmimit të tij në praktikë, janë kthyer sot në pjesë integrale e kurrikulave të shumë shkollave të niveleve të ndryshme. Në fund të fundit, ky interesim i gjithanshëm shpjegohet me bindjen se garantimi i sigurisë do të mundësonte jetën normale të njerëzve.
Por, koncepti i sigurisë, si pasqyrim i realiteteve të përditshme ka edhe ai dinamikën e zhvillimit të tij. Nuk do të ishte e vështirë të konstatohej se aktualisht përveç dimensionit tradicional fizik, garantimi i sigurisë në një masë të konsiderueshme kërkon edhe njohjen e parandalimin e rreziqeve edhe në nivelin virtual.
Rizgjimi i sotëm politik është transnacional në burimet e frymëzimit, për shkak të ndikimit të komunikimit masiv. Pasionet moderne politike populiste, mund të drejtohen kundër një objektivi të largët, në kushtet e mungesës së një doktrine unifikuese. Duke u identifikuar me një ide të dinjitetit njerëzor universal, me kërkesën bazë të respektimit të diversiteteve kulturore, sociale dhe fetare, Europa që duam është ajo, e cila mund të mposhtë rrezikun që, rizgjimi politik të kthehet kundër saj.
Si një vend Europian me objektivin për të qenë pjesë e Unionit, jemi të interesuar të njohim rreziqet dhe kërcënimet me të cilat përballet kontinenti. Kjo është e domosdoshme mbasi këto kërcënime në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë janë edhe sfida për Shqipërinë dhe institucionet tona.
Cilat janë disa nga kërcënimet dhe sfidat me të cilat përballet sot Bashkimi Europian?
Në një analizë më konkrete nuk është e vështirë të konstatohet se aktualisht në nivelin europian ekzistojnë rreziqe të cilat në mënyrë të shkëputur apo në bashkëveprim me njëri tjetrin mund të minojnë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar por edhe tonat për të garantuar një mjedis sa më të qetë dhe të sigurtë. Këto rreziqe mund te klasifikohen si rreziqe të natyrës strukturore të brendshme të vetë Unionit, si dhe si rreziqe të jashtme kryesisht të natyrës gjeopolitike.
Tendenca që vihet re, e që në një farë mase pasqyron edhe tendosjet brenda Bashkimit Europian, është perceptimi që kanë një numër i konsiderueshëm banorësh në disa vende anëtare lidhur me kontributin dhe garancinë që ofrojnë një pjesë e vendeve brenda Unionit. Kriza ekonomike financiare që mbërtheu Greqinë dhe që kërkoi ndërhyrjen e fuqishme të institucioneve evropianë për ta shpëtuar vendin nga falimentimi, por edhe kriza italiane, ajo spanjolle e portugeze së fundmi dhe Brexit kanë ravijëzuar një perceptim që shkon në një ndarje veri-jug.
Në një pjesë të konsiderueshme të njerëzve që jetojnë në këto vende është krijuar përshtypja se kemi të bëjmë me dy modele të ndryshme të drejtimit të shtetit. Nëse vendet e Evropës Qëndrore, Veriore e Perëndimore kanë arritur të ndërtojnë dhe të venë në efiçencë institucione shtetërore të besueshme dhe më pak të korruptueshme, e kundërta ndodh me vendet e Evropës Jugore por edhe Lindore, të cilat kanë demonstruar deficite të konsiderueshme në përmbushjen e detyrimeve si ndaj shtetasve të tyre, ashtu edhe ndaj Unionit, prandaj konsiderohen edhe si barrë për vendet e tjera. Këto deficite dhe vështirësi përkthehen në kosto financiare për buxhetin e përbashkët dhe njëkohësisht edhe në qëndrime e vlerësime negative për vendet në vështirësi.
Kjo ka krijuar një hendek në aspektin sesi banorët respektivë e shohin dhe konsiderojnë njëri-tjetrin. Paragjykimet dhe steriotipet për pjesë të ndryshme të kontinentit sigurisht që, nuk i shërbejnë sigurisë dhe integritetit të brendshëm të Bashkimit Europian. I ndërtuar duke pasur në bazë koherencën Bashkimi Evropian do të detyrohej të vuante nga shumë probleme madje të rrezikohej për të ekzistuar nëse kjo koherencë do të humbiste.
Sinjale paralajmëruese për të qenë të kujdesshëm dhe për të përmirësuar gjithnjë e më tepër instrumentet strukturorë e legjislativë përsa i përket garantimit të sigurisë erdhën edhe përtej kufijve të Bashkimit Evropian.
E ashtuquajtura Pranvera Arabe, megjithë arritjet në demontimin e sistemeve autoritariste dhe diktatoriale përsëri “eksportoi” rreziqe dhe kërcënime për Europën. Çështja e emigracionit ka kohë që diskutohet në kancelaritë e shumë vendeve evropiane dhe megjithë “solidaritetin” dhe “përkrahjen” për emigrantët përsëri nuk është arritur të gjendet gjuha e përbashkët, sa kohë që shtete të ndryshme anëtare të unionit e shohin dhe e vlerësojnë këtë çështje në këndvështrime të ndryshme nisur nga interesa të ngushta kombëtare.
Statistikat nga Europoli dhe agjenci te tjera flasin se, së bashku me emigrantët që u kanë ikur luftërave në Lindjen e Mesme, e emigrantëve të paligjshëm nga vendet e varfra të Europës, në Berlin, Paris, Bruksel, Romë, etj, hyjnë edhe elementë me precedentë penalë, individë që i përkasin grupeve dhe organizatave terroriste, të cilët kanë kryer akte vrasëse, të cilat Europa i kishte harruar prej dekadash.
Por, përveç tyre Bashkimi Europian është i detyruar të marrë në konsideratë edhe rolin e aktorëve të rëndësishëm gjeopolitikë siç janë Rusia dhe në një farë mase edhe Turqia,vende këto që ndodhen në kufijtë natyralë me Unionin. Rëndësia e këtyre vendeve për sigurinë e Bashkimit Europian, lidhet me faktorët siç janë numri i popullsisë dhe i madhësisë gjeografike të tyre, aksesi i tyre në burime të rëndësishme energjetike por edhe si vende transite për kalimin në Bashkimin Europian, jo vetëm të rezervave energjetike aq të nevojshme për konsumatorin dhe ekonominë, por edhe të dukurive dhe fenomeneve kërcënuese që barten nga individë e organizata të ndryshme.
Në dhjetë vitet e fundit Rusia është rikthyer fuqishëm në arenën ndërkombëtare si një aktor i rëndësishëm. Duke shfrytëzuar burimet e saj energjetike, kaq të rëndësishme për shumë vende anëtare të Unionit, ajo ka treguar se në momente të caktuara mund të luajë fort me kartën e furnizimit me energji të Evropës dhe të përpiqet që të mbrojë interesat e saj përkundrejt interesave të Bashkimit Europian në tërësi dhe të shteteve të veçanta anëtare.
Ngjarjet në Ukrainë, janë një tregues kuptimplotë se megjithë përparimet e mëdha të bëra në fushën e sigurisë, Bashkimi Europian nuk është imun ndaj kërcënimeve të reja. Ishte pikërisht përplasja për të ardhmen e Ukrainës që shpuri në konfliktin jo vetëm të brendshëm mes mbështetësve të qëndrimeve të ndryshme në Ukrainë, por edhe në divergjencat dhe këndvështrimet e ndryshme ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit nga njëra anë dhe Moskës nga ana tjetër.
Një aktor shumë i rëndësishëm rajonal si dhe me një rëndësi të veçantë gjeopolitike për interesat dhe sigurinë e Bashkimit Europian, është edhe Turqia e cila ndryshe nga Rusia, po përpiqet që të forcojë dhe stabilizojë rolin e saj përmes rritjes së volumit të tregtisë më prodhuesit lokalë duke e shtrirë atë edhe në proçesin e përpunimit të mëtejshëm të mallrave. Duke parë se perspektiva e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian nuk është shumë premtuese për shkak të qëndrimeve bllokuese të disa prej vendeve më me peshë të Unionit, Turqia nën drejtimin e Erdogan po përpiqet që të kthehet në një superfuqi jo vetëm ekonomike por edhe politike të rajonit.
Rusia dhe Turqia, po tentojnë të influencojnë në “zgjidhjen” e problemeve kryesisht në Siri, aty ku dhe lufta është e ashpër, e prej ku kanë mbrritur në portat e Europës miliona emigrantët nga Lindja e Mesme.
Një ndër kërcënimet aktuale për Bashkimin Europian, është rritja e frymës së euroskepticizmit. Vetëm një dekadë më parë shumë pak studiues mund ta kenë parashikuar se pas 10 vjetësh do të kishte një nivel kaq të lartë të skepticizmit mbi Unionin, fenomen ky që vërehet kryesisht në vendet më me influencë dhe me kontribute më të mëdha anëtare. Sigurisht që ky perceptim lidhet me faktorë të natyrave të ndryshme qofshin këto politike, ekonomike, sociale apo edhe kulturore të cilat në realitet duke ndërvepruar me njëra-tjetrën rezultojnë në rënien e entuziazmit për Europën e Bashkuar.
Fryma euroskeptike, megjithëse fillesat i ka që nga koha kur Britania drejtohej nga kryeministria konservatore Theçer, sot konsiderohet si një fenomen me mbështetje gjithnjë e në rritje. Pas Brexit dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA, në mjedisin politik Europian është shtuar mbështetja për partitë euroskeptike si, AfD në Gjermani, Fronti Kombëtar në Francë, Partia për Lirinë në Holandë, Partia e Lirë në Austri, Lega Nord në Itali, etj.
Ajo që shqetëson politikën por edhe shoqërinë civile në shumë vende të Bashkimit Europian, është fakti se në këtë simfoni forcash politike me prirje euroskeptike, shpesh ndërthuren edhe elemente të ideologjisë populiste dhe ksenofobe, të cilat rrezikojnë dhe minojnë sigurinë. Janë të njohur qëndrimet radikale ndaj fesë myslimane të liderit të ekstremit të djathtë në Holandë Wilders, një ndër kundërshtarët e vendosur për mosdhënien e statusit kandidat për vendin tonë. Kjo frymë populiste dhe euroskeptike do të ndikonte tek niveli i sigurisë dhe qetësisë në Europë e për pasojë shumë kush mund ta ndjente veten të kërcënuar.
Mund të thuhet se edhe Shqipëria për vetë objektivat strategjike që ka është tejet e interesuar që të njohë dhe t’i paraprijë çdo lloj zhvillimi që ka të bëjë me sigurinë. Fenomene në dukje të largëta siç janë, terrorizmi, emigracioni, euroskepticizmi, ndikimi i politikave të faktorëve globalë dhe rajonalë, ndikojnë drejtpërdrejtë, apo dhe tërthorazi mbi vendin tonë. Duke njohur realitetin për politikbërësit shqiptarë është e rëndësishme ndryshimi i perceptimit, e për rrjedhojë i aksionit duke kaluar nga përballimi i skenarëve dhe krizave afatshkurtra, në përpilimin e strategjive afatgjata, ku të përfshiheshin të gjithë elementët strukturorë dhe instrumentalë për të garantuar sigurinë dhe qetësinë për shqiptarët kudo ata janë.
______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Sara qan dhe kërkon falje për situatën që u krijua, Xuxi e p...
Rriten me 20 për qind rastet e fruthit në botë
Sot fillon Fushata Globale ” 16 Ditët e Aktivizmit Kun...
Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i C...
Autobusi del nga rruga dhe përfundon në humnerë, 17 viktima ...