Shkruan: Xhavit Beqiri
Diskursi i çmendisë nacionalshoviniste serbe të fundshekullit XX është riaktivizuar ditëve të fundit nga eksponentë të lartë të Beogradit zyrtar.
Dy ministra të Qeverisë së Serbisë, Daçiq e Vulin, pinjollë të neveritshëm të kauzës fashiste të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq për zhbërjen fizike të shqiptarëve të Kosovës, e nxorën sheshit së fundmi fytyrën e tyre të vërtetë, duke e shpërfaqur botërisht të gjithë urrejtjen e tyre primitive ndaj nesh.
Mund të duket paksa e çuditshme që ringjallja e çmendisë ndodh vetëm një muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator në Uashington, në mes kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq, mirëpo të gjithë ata që e njohin sadopak filozofinë e mendimit politik serb (sidomos ndaj shqiptarëve), nuk mund të jenë kurrsesi të befasuar.
Beogradi zyrtar as ka qenë, as është i interesuar për paqe në mes dy vendeve! Gjithmonë, në prag të ndonjë marrëveshjeje të rëndësishme, që nga Rambujeja e këndej, Serbia i ka sabotuar vazhdimisht zgjidhjet e propozuara nga bashkësia ndërkombëtare, duke e ndezur retorikën e urrejtjes dhe të përbuzjes ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e të shqiptarëve të Kosovës në veçanti.
Si duket, në mendësinë e tyre (të bllokuar keqas në mitet e rreme për Kosovën si Jerusalemi serb) paqja me shqiptarët vazhdon të perceptohet si një katastrofë nacionale, si një fund i ëndrrës për t’i mbytur të gjithë shqiptarët në detin Adriatik. Ndryshe, si mund të kuptohet shpërthimi kaq i hapur dhe kaq i egër i diskursit zyrtar serb ndaj nesh, madje vetëm një muaj pas zotimit solemn të presidentit të tyre për paqe me ne dhe me të gjithë të tjerët në rajon.
Ringjallja e çmendisë së Vulos e Sllobës së vogël (kështu i thonë vetë serbët ish-shërbëtorit të Millosheviqit, ministrit Daçiq) nuk përbën asgjë të re. Ajo vetëm ua heq maskën nga fytyra e vërtetë dy nacionalshovinistëve primitivë, të cilët, për pak kohë, e zëvendësuan gabimisht lëkurën e ujkut grabitqarë me petka të hekurosura diplomatësh.
Mirëpo, në rrobat e tjetërkujt askush nuk ndihet rehat, ndaj i heq qafesh një orë e më parë, për t’iu kthyer vetvetes, origjinalitetit!
Njësoj si Vuloja dhe Slloba, pardon Daçoja!
Ana tregon planet e saj pas Big Brother
Çeku liston 250 investime të kryera dhe në realizim në infra...
Konsiderohej si “financier” i grupit te Habilajve, gjykata l...
Elon Musk e quan kancelarin Scholz të Gjermanisë ‘budalla’
Gresa Hoti pozon pa pikë grimi
Ndodh mes dy banoreve, puthen në buzë Gresa dhe Drenusha