Shkruan Ditmir Bushati:
Mesazhet e Vjosa Osmanit, gjatë vizitës në Tiranë, përtej intepretimeve partizane dhe epiteteve të papranueshme që u përdorën ndaj saj, nxorën edhe një herë tjetër në pah nevojën dramatike që ka shoqëria shqiptare për një regjim epistemik. Një treg idesh ku njerëzit kolektivisht kanë mundësi të arsyetojnë mbi atë që është e vërtetë. Në shoqëritë demokratike, ky regjim është një ekosistem i decentralizuar i akademikëve, klerit, shoqërisë civile, gazetarëve, sipërmarrjes dhe të tjerëve që nuk bien dakord për shumëçka, por bien dakord për një sistem të përbashkët rregullash për peshimin e provave dhe formësimin e njohurive. Një regjim, i cili po reziston me vështirësi ndaj epokës së të “vërtetave alternative” dhe garës brutale për klikime.
Në mungesë të regjimit epistemik, politika i dikton shoqërisë një agjendë mediatike, edhe për çështje të interesit kombëtar, e cila, në rastin më të mirë nuk mundëson shoshitjen e ideve që duhet t’i mbijetojnë kontrollit kolektiv, por përqendrohet tek artileria e përbaltjes dhe përbuzjes.
Le t’i marrim me radhë disa prej elementëve që duhet të përbëjnë parimet udhërrëfyese të një debati të shëndetshëm mbarëshqiptar.
I.
Ioannis Kasoulidis, ish ministër i jashtëm i Qipros dhe një prej mendjeve elegante të diplomacisë europiane nuk nguronte ta pranonte nëpër biseda se, “për arsye të njohura historike, qendra e helenizmit është Athina dhe jo Nikosia”. Kjo është e vetkuptueshme edhe për ne shqiptarët. Për Shqipërinë, Kosova është kryeçështje që prej themelimit të shtetit në vitin 1912, pavarësisht rrethanave gjeopolitike, formave të ndryshme të regjimit, qeverive që kanë shërbyer në Shqipëri dhe evoluimit të projektit të shtetësisë së Kosovës.
Mund të argumentohet e të debatohet hollësisht për peshën dhe influencën e Shqipërisë në Kosovë, për marrëdhëniet mes politikanëve dhe forcave politike, por nuk mund të vendoset në pikëpyetje roli i pazëvendësueshëm i Shqipërisë.
Për më tepër, Shqipëria është shteti amë i të gjithë shqiptarëve në rajon, e jo veç atyre që jetojnë në Kosovë. Kësisoj, pritshmëritë ndaj Shqipërisë janë gjithnjë të mëdha, sikurse përgjegjësitë e saj. Kujdesi nga Shqipëria për të mos u përfshirë dhe mos u perceptuar si e përfshirë në debatin politik të ditës në Kosovë është parakusht për një politike efektive.
I njejti kujdes duhet treguar edhe përsa i përket orientimeve dhe mbështetjeve që Shqipëria jep për fuqizimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Sa herë është synuar bashkimi dhe e mira e përbashkët, rezultatet nuk kanë munguar.
II.
Tingëllon e çuditshme, por duhet t’ia përsërisim sërish vetes se, avancimi i pozitave të shqiptarëve në rajon shkon në raport të drejtpërdrejt me ndërtimin e një marrëdhënie strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila duhet të jetë kapilare, në çdo fushë të jetës. Rrjedhimisht, edhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët e tjerë në rajon ndikohet nga ky bosht dhe ndarja e përgjegjësive e roleve mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Bie fjala, Shqipëria nuk mund të ndërtojë marrëdhënie direkte me Serbinë, duke tejkaluar Kosovën, pasi nuk e njeh mirë atë, e as nuk mund ta shoh dot pa sytë e kësaj të fundit. Sikundër, Kosova nuk e njeh Mesdheun e as garanton dot pjesëmarrjen në nismat rajonale pa Shqipërinë.
Duke ndjerë këtë nevojë jetike, programi politik i Partisë Socialiste, që mori mbështetjen e shumicës së popullit në vitin 2013, parashikonte mekanizimin për arritjen e këtij qëllimi. Ne janar të 2014, në Prizren, vetëm pak muaj pasi erdhëm në krye të punëve të vendit, firmosëm dokumentin e partneritetit strategjik. Ky dokument, bashkë me praktikën e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, u kritikua në Tiranë e Prishtinë, si i panevojshëm. Ndërkohë që u kundërshtua zëshëm në Beograd, Banjaluka e Moskë, si kërcënim për rajonin.
Duhet thënë se dokumenti ishte produkt i një punë të mirëmenduar të strukturave shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, në konsultim me partnerët strategjik, i hartuar me një gjuhë të kujdesshme, plotësisht në pajtim me angazhimet ndërkombëtare, duke mos kompromentuar asnjë prej arritjeve të mundimshme historike të shqiptarëve. Një prej tyre, kishte të bënte me paprekshmërinë e kufijve, në përputhje me angazhimet e Aktit Final të Helsinkit.
Në dokument, partneriteti Shqipëri-Kosovë përkufizohet si strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për të ardhmen e tij euroatlantike. Në rast se do të respektohej fryma dhe mekanizmi bashkërendues i parashikuar në dokument, bazuar mbi katër shtylla: (i) politika e jashtme dhe e sigurisë; (ii) drejtësia dhe çështjet e brendshme; (iii) ekonomia, energjia, transporti, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit; (iv) kultura, arsimi dhe shkenca, sot do të kishim një bashkëpunim molekular me impakt të ndjeshëm për qytetarët në të dyja anët e Morinës, që do t’i paraprinte në të njëjtën kohë bashkëpunimit rajonal me fqinjët.
Sot, do të kishim gjithashtu dy shtete më funksionale dhe një debat me vështrim nga e ardhmja për rolin dhe kontributin e shqiptarëve në shekullin e 21, në këtë kënd të Europës Juglindore dhe jo “importime interesash”. Nuk duhet të harrojmë se përfaqësimi në politikë është po aq jetik sa ç’është pulsi për njeriun. Politika, dhe aq më tepër interesi kombëtar, nuk mund të jetë si tregu i futbollit ku sportistët mund të veshin për një kohë fanellën e Real Madridit dhe për një kohë tjetër atë të Juventusit. Sepse në politikë historia dhe gjeografia janë elementë të pakapërcyeshëm.
Në rast se temat që vijojnë të mbajnë gjallë hapësirën mediatike, në lidhje me copëtimin territorial të Kosovës, mini-schengenin, gjykatën speciale, apo raportet me Serbinë, do të trajtoheshin përmes mekanizmit të ndërtuar nga partneriteti strategjik, e njëkohësisht duke siguruar mirëkuptim sa më të madh politik dhe shoqëror në Shqipëri dhe Kosovë, këto tema, do të prodhonin më shumë unitet dhe më pak përçarje. Mbase nuk do të arrinin kurrë të ishin pjesë e agjendës politike, apo t’i diktoheshin opinionit publik përmes oligarkëve propagandistik. Fatkeqësisht, këto tema i përçan shqiptarët si kurrë më parë.
III.
Mungesa e një regjimi epistemik, shoqëruar me shpërfilljen e parimeve udhërrëfyese të mësipërme, na largon nga objektivat strategjik, duke dobësuar rolin e shqiptarëve në rajon. Ndaj, le të ndalim rrugën e vetasgjësimit, e të përqendrohemi tek ndërtimi i një besimi të ndërsjellë që çliron energji pozitive.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...