Nga Musa Sabedini – Rasti i Astrit Deharit, Hamdi Sopës, Dino Hasanajt dhe disa raste të tjera të ndjeshme, kanë shtruar nevojën e ngritjes profesionale të të gjitha medieve tradicionale e online për të pasur ekipe, gazetarë, apo reporterë që merren enkas me raportimin për krimet dhe dhunën, sferë kjo aq e ndjeshme saqë lidhet drejtpërdrejtë me etikën dhe të drejtat e njeriut.
Edhe rasti i Bajram Rexhepit dhe mënyra e plasimit të lajmeve, e shoqëruar edhe me foto, e dëmtojnë rëndë etikën mediale.
Portalet dhe ata që përcjellin ngjarjet që dëmtojnë reputacionin e individit, shkelin parimet etike dhe mbi të gjitha godasin ndjenjat qytetare, duhet të kenë kujdes maksimal, sepse dëmi moral, profesional dhe ligjor pastaj është i pariparueshëm.
Krimi, dhuna dhe situatat e ndjeshme, si të raportojmë?
Raportimi për situatat e ndjeshme, pastaj raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetar edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë.
Natyrisht që secila media ose secili gazetar do të ndihej i lumtur nëse në këto raportime zbulohet dhe thuhet e vërteta, se fundja këtë synim ka gazetaria.
Por a mund të raportojmë për situatat e ndjeshme, e konfliktuoze, e të mos japim paragjykime. Sigurisht që është e mundur dhe patjetër që synim dhe qëllim final mbetet për secilën media që ta avancojë këtë fushë.
E arritur e madhe mediale do të konsiderohej në këtë drejtim, nëse jemi të vëmendshëm, nëse kemi kujdes gjatë raportimit.
Lexuesin, shikuesin apo dëgjuesin duhet ta bindim për lajmet që i ofrojmë dhe të mos biem viktimë e atakimeve të përditshme në fushën e etikës.
Etika në gazetari dhe kodi etik do të duhej të ishte një udhërrëfyes i përditshëm i çdo gazetari të ri, por edhe i atyre me përvojë.
Tani kur kemi instrumente e institucione të shumta që na vëzhgojnë çdo ditë e çdo orë, përgjegjësia nga plasimi i lajmeve të pavërteta e të pakonfirmuara, është e madhe.
Andaj raportimi për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, padyshim që paraqet njërën nga sfidat më të mëdha të medias, e në veçanti të gazetarit që ballafaqohet drejtpërdrejt me këto situata.
Natyra e krimeve është e llojllojshme dhe fenomenet e raportimeve ndryshojnë nga rasti në rast.
Gazetari kosovar duhet të mendojë mirë kur raporton për situatat e rënda nëpër gjykata, për proceset e mëdha gjyqësore, për krimet politike, vrasjet e rënda, tragjeditë familjare, sëmundjet e rënda e zhvillime të tjera emocionale.
Detyrimisht, çdo gazetar që merret me këto fusha, pashmangshëm duhet të jetë i përgatitur mirë profesionalisht për t`iu bërë ballë këtyre obligimeve të rrezikshme.
Gazetari që ka përgatitje fizike, psikologjike, emocionale dhe intelektuale, shumë më lehët dhe më mirë i tejkalon këto rreziqe.
Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja derisa raportojmë për vrasjet, dhunimet, plagosjet, trazirat, trafikimin, korrupsionin, prostitucionin, por emocionet në gazetari dhe paragjykimet gjatë raportimit, janë e keqja më e madhe e gazetarisë.
Isha i befasuar dhe tmerrësisht i zhgënjyer nga raportimet rreth gjendjes shëndetësore të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.
Tituj bombastik, paragjykues dhe mbi të gjitha, tituj emocionalë që shkelin mbi dinjitetin e individit.
Rasti i Bajram Rexhepit hynë në sferën e situatave të ndjeshme, andaj edhe çdo informacion që jepet i pakonfirmuar për shëndetin e tij, krijon shqetësime etike e ligjore.
“Familjarët e Bajram Rexhepit në ankth, mblidhen para intensives”, “Ja sa sulme në kokë i ka pësuar Bajram Rexhepi” e tituj tjetër nga një portal lokal në Mitrovicë, definitivisht shtrojnë nevojën urgjente që themeluesit e këtyre mediave online të ndjekin trajnime nga fusha e etikës.
Nuk është turp as marre nëse gazetarët ndjekin shkolla etike që organizohen çdo vit nga universitete e kolegje të ndryshme në Kosovë.
Tashmë edhe portalet e kanë sistemin e vetë rregullimit përmes Këshillit të Mediave të Shkruara i cili ka një udhëzues shumë të qartë, që parasheh të gjitha detajet dhe mënyrën e raportimit për situatat e ndjeshme.
Andaj është e preferuar që çdo gazetar apo themelues i portalit, ta ketë këtë kod dhe ta lexojë e rilexojë çdo ditë.
Unë pajtohem që Bajram Rexhepi është figurë publike dhe realisht është interes publik të dihet për gjendjen e tij shëndetësore, por jo në mënyrën se si është bërë kjo deri tashti.
Kjo formë dëmton edhe atë pak gazetari të mirë e profesionale që e kemi ose e hasim në portale.
Mediet dhe gazetarët profesionistë duhet sa më parë të distancohen nga kjo mënyrë e raportimit, e cila nuk arsyetohet ndryshe, pos fitim në klikime ose “përfitim” të citimeve nga të tjerët.
Edhe rasti i Astrit Deharit, Hamdi Sopës, Dino Hasanajt, na japin të kuptojmë se mediet kanë obligim të jenë korrekte gjatë raportimit. Pavarësisht se mediat ishin të balancuara në rastin e Astrit Deharit, megjithatë storiet e ndjeshme janë përcjellë kryesisht nga gazetarë të rinj dhe të papërvojë.
Mendoj se media bëri një solidarizim masiv në rastin Dehari.
Media online, TV dhe gazetat u solidarizuan me përpjekjet e familjarëve që të ndëshkohen fajtorët, ose ata që manipuluan me disa elemente kryesore që vinin nga dyert e hekurta të burgut, ku vdiq Astrit Dehari.
Çështja e etikës në gazetarinë online dhe sjellja etike në websajte, sot është një temë që ngjall debate dhe diskutime të vazhdueshme, jo vetëm për standardet etike që aplikohen, por përgjithësisht për të ardhmen e gazetarisë në epokën e digjitalizimit dhe gazetarisë së internetit.
Tani jemi në një kohë tjetër të të bërit gazetari dhe nuk na falet nëse nuk arrijmë ta pasqyrojmë të kompletuar dhe të balancuar çfarëdo lajmi që prek edhe në pjesët më të ndjeshme të shoqërisë.
Ngritja e kapaciteteve njerëzore, investimi në shkollim profesional dhe në trajnime të vazhdueshme të gazetarëve “gjakftohtë” është rruga e vetme për ta ndërtuar një gazetari që do të përballej me skena të ndryshme nga vendet e krimit.
Megjithatë, tani ka një standard profesional që na bënë të mundur që raportimet tona të jenë më të avancuara, më pak të gabuara dhe më pak të mjegulluara.
azetaria profesionale dhe ajo hulumtuese që ka të bëjë me raportimet për krimin dhe dhunën, bazohet në këto elemente thelbësore: Hulumtimi, Verifikimi dhe Raportimi.
Këta parametra nuk janë ndonjë “alarm” sesi duhet të raportojmë, por para se gjithash na shpjegojnë se gazetari duhet të jetë i vetëdijshëm për rreziqet dhe të bëjë kujdes për gjithçka që mundet dhe të mbajë nën kontroll situatën aq sa është e mundur.
Rasti i Hamdi Sopës, rasti skandaloz i Afrim Zeqirit, trazirat e marsit 2004, rasti i Galib El-Kurdit, djaloshit sirian që përloti botën, rasti i Dino Asanajt janë vetëm disa shembuj e raste ku etika është vënë në sprovë të madhe.
Se si raportuan mediet kosovare për rastin e Hamdi Sopës, po citoj vetëm disa tituj: “Vritet në rrethana të dyshimta Hamdi Sopa, zyrtar për informim në Kryeministri”, “Arrestohen familjaret e Hamdi Sopës”, “Hamdi Sopa është vrarë, arrestohen e shoqja dhe dy vajzat”, “Vdekja e zyrtarit Hamdi Sopa, të dyshuar gruaja dhe bijat e tij”, “Kamera regjistron lëvizje të dyshimta të gruas dhe vajzave të Hamdi Sopës”, “Gruaja dhe vajza mohojnë vrasjen e Hamdi Sopës”, “Lirohen nga paraburgimi gruaja dhe vajzat e Hamdi Sopës”, “Hamdi Sopën e theri për vdekje vajza e vet narkomane”, “Sopa u rrëzua në mëngjes në banjë”, “Hamdi Sopa u vra dhe pikë”, “Hamdi Sopa u vra, nuk u vetëvra”, “Familja Sopa demanton raportin e autopsisë”, “Tomë Gashi: Dino Asanajn e vranë e Hamdi Sopa u vetëvra”.
Janë këta tituj aq bombastik e paragjykues saqë vetëm pas një kohe të gjatë mund t`i vërejmë pasojat profesionale e etike.
Gjuha e përdorur në mediet online po e denigron gazetarinë e mirë
Pavarësisht se interneti, mediat sociale, portalet e shumta kanë bërë një revolucion në plasimin e lajmeve të shpejta, kjo nuk do të thotë se gjithçka është në rregull me këtë shpejtësi të madhe të të informuarit.
Mediet online shkaktuan revolucion edhe në Kosovë dhe ende po bëjnë një hap përpara për të qenë sa më afër lexuesit e shikuesit.
Personalisht mendoj se fakti që çdo kush ka të drejtë të hap një portal dhe të mos i nënshtrohet asnjë kodi, asnjë kriteri profesional, e vënë në pikëpyetje shumë besueshmërinë e tyre.
Nëse shikohen portalet, mund të shihet se në to dominojnë lajme që shkruhen aty për aty në facebook.
Ajo çka është brengosëse në mediet online, mbetet gjuha e përdorur. Nga kjo gjuhë e shfrenuar, më së shumti përfitojnë “budallenjtë” siç është shprehur Umberto Eco.
Shkrimet që kjo kategori bënë, janë të nivelit dytësor dhe në një shoqëri normale, ato do të duhej të korrigjoheshin e seleksionoheshin, para se të merrnin dritën e botimit.
Tashmë është krijuar bindja se një person nëse posedon Facebook, është edhe media, është edhe gazetar.
Ky është rreziku më i madh i gazetarisë online. Mediat sociale mund të shfrytëzohen vetëm si pikënisje ose burim i mundshëm, por në asnjë mënyrë të krijohen prej tyre lajme ditore serioze.
Gazetaria Online duhet ta shmang këtë kategori shfrytëzuesish të cilët dinë të fyejnë, dinë të japin etiketime nga më të ndryshmet. Fjalori që përdoret nga kjo kategori, si në rrjetet sociale, ashtu edhe në portale të ndryshme, është tejet i ulët. Aq më keq që këto fyerje përkrahen edhe nga kategori të caktuara përdoruesish.
Profesionistët e pakët nëpër portale e kuptojnë fare mirë shqetësimin tim, derisa ka nga ata që as që donë ta kuptojnë, sepse u përshtatet mënyra e të jetuarit në këtë lloj gazetarie.
Fatmirësisht gazetat e pakta ditore kanë hapur edhe portalet e tyre dhe kjo është një shpresë se edhe të tjerët mund të mësojnë se si të plasohen lajmet.
Gazetat megjithatë dallojnë në këtë drejtim, sepse kanë mundësi të gabojnë më pak, ose më rrallë.
……………………………………………………………………..
Autori është ligjërues në UBT në degën e medias
Anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara
Fitues i katërfishtë i çmimit “Korrespondent i vitit”
Themelues i portalit Rajonipress
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...