Nga: Adem Nimani
Kuvendi i Kosovës duhet t’ua japë një përgjigje të qartë punëtorëve të Radiotelevizionit të Prishtinës. Me gjithë përgjigjen pozitive të Gjykatës Komunale të Prishtinës për Radiotelevizionin e Prishtinës, Gjykata Supreme e Kosovës e mban peng vendimin tash e gjashtë vjet.
Radiotelevizioni i Prishtinës dhe punëtorët shqiptarë të këtij mediumi, me rastin e suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1990, kishin fatin dhe fatkeqësinë e përbashkët me vendin e tyre. Edhe sot e kësaj dite RTP-ja mbeti medium i vetëm në Evropë që u pushtua me armë nga policia serbe dhe punëtorët shqiptarë nuk u lejuan kurrë të kthehen në punë dhe shtëpinë e tyre.
Punëtorët e RTP-së lufta i gjeti në të katër anët e botës, edhe në Kosovë, me shpresë për të mbijetuar dhe që një ditë do të kthehen në vendet e punës prej nga ishin nxjerrë me dhunë.
Radiotelevizioni i Prishtinës u mbyll nga forcat e armatosura policore serbe më 5 korrik të vitit 1990. U mbyll sepse ishte bërë digë mbrojtëse e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Dy muaj para pushtimit serb të RTP-së, këtë medium e vizitoi kryeministri i Serbisë në atë kohë, Stanko Radmilloviq, i cili u kërcënua haptas se nëse nuk ndryshon politika redaktuese e Radiotelevizionit, Qeveria e Serbisë do ta mbyllë atë me forcë. Kolegjiumi përgjegjës i RTP-së nuk u luhat fare nga kërcënimi. As intervista e Radmilloviqit, e bërë me shkas, nuk u emetua në RTP. Dhe kur gjithçka kishte përgatitur Serbia për ta mbyllur përfundimisht mediumin e vetëm elektronik të Kosovës në gjuhën shqipe, pasoi pushtimi i armatosur. Kuvendi autonom i Kosovës ishte pushtuar dy dite me pare dhe sulmi i armatosur mbi RTP-në nuk ishte i papritur. Megjithëse në atë kohë në RTP punonin redaksi informative e kulturore në katër gjuhë, kjo nuk i mjaftonte Beogradit zyrtar për të gjetur pretekst për pushtimin me force të këtij mediumi. Në atë kohë RTP-ja kishte pesë njësi punuese: Televizionin e Prishtinës, Radio Prishtinën, Produksionin muzikor, Shërbimin e parapagimit dhe njësinë për Transmetim dhe Lidhje.
Më 5 korrik 1990, në orën 15:20, forca të shumta të armatosura policore, të shoqëruara me shumë “picgauer” dhe mjete tjera të motorizuara policore, ndërhynë me dhunë në lokalet e RTP-se, ndërprenë programin shqip dhe nxorën me dhunë nga puna 1350 punëtorë shqiptarë, të të gjitha profileve, gazetarë, kameramanë, regjisorë, përkthyes, lektorë, teknikë e inxhinierë.
Megjithëse Kosova u bë edhe shtet i pavarur, drejtësia për punëtorët e |RTP-se nuk foli kurrë..
Të zbardhen vrasjet e dhjetë punëtorëve të RTP-së
Nëse Misioni Evropian i Drejtësisë EULEX ka për detyrë zbardhjen e vrasjeve të ndryshme në Kosovë gjatë luftës atëherë do të duhej të interesohet edhe për vrasjen e punëtorëve shqiptarë të RTP-së: Musa Tolaj, Xaje Jashari, Haki Braha, Selman Lokaj, Fatmir Leci, Selim Gerbeshi, Haki Misini, Esat Bicurri, Enver Maloku dhe Sabit Rrahimi.
Duke lexuar shtypin dhe mediet tona pamë se si serbet shënuan përvjetorin e vrasjes se dy gazetarëve serbë diku në rrethinat e Rahovecit gjatë luftës. E shënuan këtë ngjarje sivjet edhe të gjitha mediet e Kosovës, por edhe të Serbisë. U tha gjithçka me dhimbje dhe u kërkua të gjenden vrasësit. U tha, e çfarë nuk u tha, mbi kurriz të shqiptarëve. U etiketuan sërish shqiptarët me aso epitetesh që di vetëm shtypi dhe mediet serbe në përgjithësi. U kërkua me ngulm të gjendet vrasësit dhe të dënohen. Të gjitha këto të zeza të cilat di t’i trillojë vetëm RTS, u transmetuan edhe nëpërmjet valëve të RTK-së. Megjithatë, askush nuk tha edhe një fjalë se kush dhe pse i vrau dhjetë punëtorë të Radiotelevizionit të Prishtinës. U tha gjithçka kundër shqiptarëve por, askush nuk tha asgjë se si pushtuesi serb më 5 korrik 1990 mbylli me dhunë Radiotelevizionin e vetëm që fliste shqip në Kosovë.
Më 21 gusht 2014, u tha e u shkrua se si qenkan zhdukur dy gazetarë serbë, por askush nuk tha se si më 5 korrik 1990, u nxorën me dhunë nga puna, të gjithë punëtorët shqiptarë, të RTP-së, hiq me pak se 1350, gazetarë, teknikë, kameramanë, regjisorë, lektorë e përkthyes, thjesht të gjithë punëtorë të profileve të nevojshme që bëjnë një RTV publik.
Pse punëtorët serbë kërkuan zbardhjen e fatit e kolegëve të tyre nuk kontestohet, por shtrohet pyetja se a shkruan ata ndonjëherë për fatin e 1350 punëtorëve shqiptarë, të cilët u nxorën me dhunë nga vendet e tyre të punës, ndërsa dhjete prej tyre u vranë në pragun e shtëpisë. Askush nga këta gazetarë, kameramanë e teknikë serbë kurrë nuk e thanë asnjë fjale të vetme për fatin e punëtorëve shqiptarë të RTP-së.
Çka është edhe më keq, mediet e shumta të Kosovës, bile shumë herë, tash e 15 vjet pas luftës në Kosovë, në plot raste nuk e shënuan fare as datën e themelimit as atë të pushtimit të RTP-se, por ndodhi të shënojnë e transmetojnë kërkesat e gazetarëve serbë, në përvjetorin e vrasjes apo zhdukjes së tyre si dhe datën e bombardimit të RTS-it.
Do të ishte mirë që i ashtuquajturi TV publik RTK ta kishte shënuar dhe emetuar një ditë se kur dhe pse u vra gazetari i RTP-se Haki Braha nga Ferizaj. Do ishte e ndershme të shkruanin dhe të hulumtonin e të kërkonin zbardhjen e vrasjes se tij dhe kush e vrau atë. Kush dhe pse e vrau Musa Tolajn, gazetarin dhe redaktorin e programit muzikor të RTP-së? Ai u vra nga paramilitarët serbë, në derë të shtëpisë së tij në Prishtinë. Kush e vrau këngëtarin dhe redaktorin e muzikës, punëtorin e RTP-se të përjashtuar nga puna Haki Misinin? Trupi i tij edhe sot konsiderohet i zhdukur. Kush e vrau redaktorin e njohur të Radiotelevizionit të Prishtinës Enver Malokun në derë të shtëpisë? Kush e vrau Esat Bicurrin, këngëtarin dhe punëtorin e RTP-së nga Gjakova? Si ngjau që kufoma e të ndjerit të gjendet në varrezat masive në Batajnicë. Kush e vrau Xajë Jasharin, punëtorin, gazetarin e teknikun e RTP-së nga Strofci i Vushtrrisë? Kush e vrau në derë të shtëpisë Selim Gerbeshin, në Lagjen Vranjevc? Kujt i kishte faj Selimi, i cili mezi siguronte ekzistencën e familjes që kur u nxor nga puna në vitin 1990? Kush e vrau Fatmir Lecin, nga fshati Barilevë, teknik i RTP-së në Golesh? A foli ndonjë gazetar serb pse u vra Fatmiri dhe cilit serb i kishte bërë diçka të keqe ai? Të gjitha këto pyetje iu drejtohen punëtorëve të RTS-sit, medium ky i cili me shkrimet dhe storiet e tija filmike, ka bërë me shume krime se gjithë makineria vrastare e Millosheviqit. Sot në RTK kanë gjetur strehë dhe vend pune bashkëpunëtorët e vrasësve serbë të punëtorëve të RTP-së. Ku janë sot ata gazetarë serbë që kurrë nuk e thanë edhe një fjalë të vetme për punëtorët e vrarë të RTP-së.
Megjithëse kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe tash kur kemi aq shumë medie të cilat folën e shkruan edhe për përvjetorin e bombardimit të RTS-sit, por ato nuk e thanë asnjë fjalë pse NATO-ja e shpalli RTS-in cak ushtarak kriminal që duhej goditur. Pse për punëtorët e RTP-së nuk ka as përvjetor as drejtësi tash 25 vjet? Si mund të flitet për drejtësi kur vrasësit e punëtorëve të RTP-së punojnë edhe sot, ndërsa shumica e punëtorëve shqiptarë nuk u lejua të kthehej kurrë në vendet e tyre të punës. Cili gazetar a punëtor serb i RTK-së së tashmë nuk di për pushtimin e mediumit të vetëm informativ shqiptar të kohës dhe vrasjen e dhjetë punëtorëve të RTP-së.
Përgjegjësia e Kuvendit të Kosovës për zgjidhjen e problemit të RTP-së
UNMIK-u, misioni i OKB-së, që u instalua në Kosovë, themeloi një servis televiziv me akronimin RTK, i cili vazhdon të financohet nga buxheti i Kosovës, por i cili nuk mori asnjë përgjegjësi për punëtorët e RTP-së. RTK-ja ushqehet me para të gatshme nga buxheti i Kosovës për punën që nuk e kryen kurrë. Servisi televiziv publik që uzurpoi lokalet, teknikën dhe frekuencat radiotelevizive të RTP-së me akronimin RTK mori gjithçka në dorë dhe punësoi pa asnjë kriter me qindra familjar të politikanëve pa asnjë obligim ndaj punëtorëve të RTP-së.
RTK edhe sot e vazhdon ta shfrytëzojë të gjithë arkivin e dhe produksionin e RTP-se pa asnjë të drejtë as juridike e morale.
TV servisi i UNMIK-ut me emrin RTK nuk u legalizua si e do ligji asnjëherë, mu pse është vendosur në pronë e pasuri të huaj dhe vazhdon t’i shmanget me djallëzi çdo obligimi ligjor që rrjedh nga drejtësia. Për shumë objekte të RTP-se merr qira në mënyre ilegale dhe ato përfundojnë në xhepa privatë.
Kur misioni ndërkombëtar UNMIK u bë themelues i RTK-së, aty nisen të gjitha plaçkitjet. Në fillim të donacioneve të mëdha për të cilat nuk u përgjigj askush, ndërsa Kuvendi i Kosovës së pavarur vazhdon ta financoje pa asnjë kriter.
Radiotelevizioni Publik i Kosovës vazhdon të jetë një institucion parazit
Administrata e RTK-së, e drejtuar gjithmonë nga titullarë – militantë partish – ta kujton një ushtri “patriotësh” të papunë, të cilët shoqëria jonë i paguan për punën që e bëjnë keq, shumë keq, ose nuk e bëjnë fare. RTK-ja thjeshte është një institucion i ndërtuar enkas për të shpenzuar para kesh nga buxheti aq i varfër i Kosovës. RTK-ja është një medium “bamirës” në të cilin janë punësuar qindra familjarë militant të pushtetarëve. RTK-ja i përngjanë një “korridori” mediatik të paligjshëm bamirësie. Favoret për titullarët rrjedhin si ujëvarë dhe paratë hidhen në rruge për asgjë. Aty nuk ka disiplinë, nuk ka respekt as për punën as për fondet publike. RTK-ja sot është një medium informativ, ku qindra rroga, shërbime, dieta dhe shpërblime paguhen dhe përfitohen për asgjë. 12 milionë euro të buxhetit shkojnë për militantë partiakë. Në këtë institucion mbi 900 punëtorë marrin rroga të mira pa punuar asgjë. RTK është “përmendore” pa histori mbi themelet e një medium tjetër të pushtuar. Edhe kur RTK shpenzon miliona nga buxheti, Kuvendi e kompozon mbishpenzimin, pa kërkuar asnjëherë llogari. Të gjitha subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, pa dallim përkatësie kombëtare, kanë rehatuar familjarë e militantë të panumërt në një strofull të papërgjegjshëm. Me shumë këshilltarë ka drejtori i RTK-së së kryeministri i Kosovës. Aty janë shpikur tituj pozitash e funksionesh që nuk i arsyeton dot njeri. Aty sheh drejtor e zëvendësdrejtorë të panumërt. Takon kryeredaktorë e redaktorë rubrikash e emisionesh që askush nuk i di që ekzistojnë. Megjithëse ky institucion publik nuk ka besimin e qytetarëve shqiptarë, kjo nuk e brengosë fare Kuvendin e Kosovës. Publiku nuk shikon as lajmet e RTK-se për shkak të njëanshmërisë ekstreme. Pikërisht pse ky medium përjashtoi të vërtetën nga ekrani, qytetari ynë me nuk kishte pse ta shikojë. Edhe ndryshimi i stafit drejtues gjithmonë del të jetë i vështirë nga vet fakti se duhet një vendim politik i pushtetit, që nënkupton mënjanimin e vetvetes nga ekrani i RTK-së.
Në vend të një mediumi të fuqishëm promovues vlerash publike, RTK vazhdon të jetë një barrë e rëndë sociale e financiare në shpinën e qytetareve të Kosovës, ndërsa me qindra punëtor të RTP-së vdesin rrugëve pa marrë kurrë një përgjigje nga institucionet e Kosovës për të drejtat e tyre. Edhe sot, megjithëse me vendim pozitiv të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore të Prishtinës, punëtorët e këtij institucioni mbeten pengë të drejtësisë që nuk funksionon në Kosovë.
Jashari, lojtari më i mirë i gjysmësezonit tek skuadra e tij
Për herë të gjashtë radhazi, Drenasi shpallet kampion në Gra...
Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live ...
U thirr sot në SPAK, Veliaj: Kurth i sajuar, jam denoncuar n...
Nottingham Foresti e mposht Tottenhamin, ngritët përkohësish...
Hovenier në takim lamtumirës me Kurtin: Me bashkëpunimin më ...