Nga: Ibrahim Rexhepi
Qytetari Ragip Mustafa, apo Ragip Mustafa vëllai i kryeministrit të Republikës së Kosovës ? Ai ia ka që të dyja, por në të vërtetë doli të jetë një çështje tejet e rëndë dhe e dhimbshme. Doli se është një qytetar i këtij shteti , i cili me takatin që ka po mundohet të rrotullojë çdo gurë për të gjetur shërim.
Por, në anën tjetër ky rast në mënyrën më të egër dhe më johumane zbuloj të gjitha kontradiktat kosovare, të cilat jo rrallë janë të bazuara edhe në paragjykime. Pse vëllai i një kryeministri përherë duhet të perceptohet si një njeri i kamur, me ndikim , me plot para e kapital tjetër dhe që i ka të hapura të gjitha dyert, për shkak se këtë ia mundëson fakti se që ka një vëlla biologjik që është në majën e piramidës së pushtetit. Një qasje e këtillë nuk është e pa bazë, meqenëse,në praktikën e deritashme kosovare e vërteta është se familjarët e shefave nuk kanë pasur asnjë halla që nuk mund ta zgjidhin. Të të gjitha llojeve. Madje, edhe nëse kanë pasur probleme shëndetësore, për të cilat është dashur të trajtohen jashtë vendit, para kanë marrë nga fondi i caktuar për mbulimin rasteve të këtilla. Me rend, apo pa të, duke respektuar procedurat, apo pa përfillur fare ato. Por, rasti për të cilin u bë bujë mediatike, dallon. Vëllai i kryeministrit me përpjekjet e veta po mundohet të gjej zgjidhje. Ndërkaq, problemi i tij është akut dhe tejet i ndjeshëm.
Në këtë rrafsh del krejt normale që njeriu të kërkojë zgjidhje. Për rrethanat aktuale, është krejt e zakonshme që ai të trokas në secilën derë, në vend, apo jashtë tij, meqenëse bëhet fjalë për jetë, apo për vdekje. Në aspektin njerëzor, por edhe në atë ligjor, askush nuk ka të drejtë të urdhërojë dikë që të vdes, meqenëse përpjekja e tij për më shumë jetë po e dëmton imazhin e shtetit, apo të kryeministrit. Por, çka bëri shteti për të ? Apo çka përfitoi nga fakti se një anëtarë i familjes së tij paska pasur mundësi që të ndërtojë karrierë politike ? Është e turpshme dhe krejtësisht e papranueshme që ai me vuajtjet dhe dhimbjet e veta të mbyllet brenda katër mureve dhe të pret vdekjen. Të pajtohet se duhet të bëhet kurban i karrierës së anëtarit të familjes dhe për ruajtjen imazhit të shtetit.
Mediave duhet shprehur falënderim që u morë me këtë rast, pro jo edhe me mënyrën se si doli në opinion ai. U harrua ana njerëzore, e dominoi aspekti institucional – politik. U la në heshtje sëmundja dhe vuajtja e një qytetari të Kosovës, e u nxor në sipërfaqe fakti se ai qenka në afërsi familjare me një shef dhe se zgjidhje për hallet e veta ka kërkuar jashtë shtetit që e udhëheq vëllai i tij ! Vërtetë, kjo qasje në trajtimin e problemit mund të ketë gjithçka, por jo humanizëm. Nuk është respektuar as minimumi i kritereve të etikës profesionale. Kjo më pastaj bartë edhe llafet e bëra, apo të pabëra, apo identifikimin prejardhjes së autorit nga bota shtazore, apo të një proteste që në fakt nuk e ka pasur shumë të artikuluar qëllimin. Por, kryeministri mbanë përgjegjësi nëse vërtetë ka përdorë fjalor të këtillë në komunikim me autorin e shkrimit, e cila duhet të shkojë deri në dorëheqje. Por, meqenëse ka paqartësi rreth këtij muhabeti, duhet të reagojë prokurori- të hap hetim dhe të zbardhë të vërtetën. Por, me një hetim të pavarur dhe të pa ndikueshëm. Ky është rasti më i mirë që të dëshmohet paanësia dhe integriteti i prokurorit.
Ndërkaq, çështja e Ragipit dhe e halleve nuk duhet të heshtet. Fillimisht institucionet që kanë marrë përgjegjësi për mirëqenien e qytetarëve të këtij shteti, duhet të analizojnë të gjitha aspektet ligjore që atij t’i ofrohet ndihmë urgjente. Ndërkaq, debati duhet të vazhdojë drejt kërkimit të përgjegjësisë për pozitën e mjerë në të cilën gjendet i tërë populli i Kosovës. Posaçërisht për faktin se ka shumë njerëz që nuk janë familjarë të dikujt dhe vdesin për shkak se iu mungon ndihma-përkujdesi. Edhe ata duhet të jenë problem i këtij pushteti. Më pastaj, ky është momenti më i mirë që të hapen letrat: Çdo po ndodhë në shëndetësinë kosovare ? Si po i shpenzon Ministria e Shëndetësisë rreth 60 milionë euro në vit dhe a i mjaftojnë asaj 30 milionë euro për investime kapitale në tri vitet në vijim ? Pse nuk po arrihet një mbrojtje më e mirë shëndetësore edhe kur Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar shpenzon 70-80 milionë euro në vit ? Sa do të ishte i shëndetshëm qytetari i këtij shteti sikurse një vit të harroheshin investimet në asfalt, me qëllim që të krijohet mbulesa financiare e Ligjit për Sigurimet Shoqërore ? Por, paralelisht me këto, duhet kërkuar llogari për paratë e shpenzuara e punët e pabëra, për mënyrën zhvillimit të sektorit privat në shëndetësi, për mungesën e kontrollit në këtë sektor, për keqpërdorimet e shumta me paranë publike dhe me fuqinë e përfituar nga të qenit njeri me post… Këtu njeriu është fajtori kryesor, ndërsa ai përherë ka qenë në vendet ku numërohet paraja publike.
Ky debat është shumë i domosdoshëm meqenëse Isa Mustafa, apo cili do kryeministër tjetër e ka të kotë të flet për zhvillimin ekonomik, meqenëse së pari duhet të ketë një popullatë të shëndoshë dhe të arsimuar. Nëse nuk i ka këto, atëherë janë të kota llafet për norma të larta të rritjes ekonomike dhe për miliardët e shumtë që do të investohen.
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...
I bie një profilë metalit në kokë, vdes 25-vjeçari në Prizre...