Qetësia e zhurmshme politike në Sheshin Skënderbej

13:15 | 15 Maj 2020
Arbresh.info

Nuk ka pasë një manifestim më të heshtur që ka shkaktuar aq zhurmë mediatike dhe politike se sa tubimi i disa qindra qytetarëve pardje në Sheshin Skënderbej.

Shkruan: Blerim Shala

Çfarë ka ndodhur dy ditë më parë, të martën, me 12 maj, pasdite vonë, në Sheshin Skenderbej?

Përshkrimi i vetëm krejtësisht teknik për të cilin me gjasë pajtohen të gjithë është që 400-500 qytetarë të Kosovës, të dy gjinive dhe të dy moshave, në një distancë të caktuar fizike, janë mbledhur në këtë shesh, fare pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Nuk ka pasur intervenim të Policisë së Kosovës.

Nuk kishte pasur paralajmërim, në Polici, për këtë tubim.

Pas një kohe, ka ndodhë shpërndarja e tyre e qetë.

Me një autorësi anonime  (siç u tha), por me afërsi të qartë politike, konceptuale dhe dorëshkrimore, (kah partia ’Vetëvendosje’ dhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti), porosia që këta qytetarë të Kosovës pa folur fare e dhanë shumë qartë është kjo: Ne jemi këtu. Mos mendoni që nuk do të jemi këtu, shumëfish më tepër, nëse për këtë do të paraqitet nevoja.

Ishte ky një manifestim i pastër politik, i cili sado i pazëshëm që ishte, sado që karakterizohej me një qetësi, u përcoll pastaj me shpërthimin e komenteve, shpjegimeve dhe interpretime të shumta, nga të gjitha anët.

Mbase, nuk ka pasë një manifestim më të heshtur që ka shkaktuar aq zhurmë mediatike dhe politike.

Teksa kjo  (zhurmë), ka konfirmuar edhe një herë sa të mëdha janë dallimet politike në vend, në mes të kampit të ’Vetëvendosjes’ së Kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, dhe kampit të partive tradicionale të vendit, kësaj here të prirë nga LDK e Isa Mustafës.

Dallimet gjithnjë e më të thella në interpretimet e dukurive themelore politike në vend, të cilat janë shfaqur në formën më të vrazhdë që prej vitit 2015 e këndej, kanë qenë shenjat më të qarta të mundshme të çarjes së madhe të skenës politike në vend, dhe të krijimit të raporteve përjashtuese, konfliktuoze, përplasëse në politikën vendore.

Prej atëherë, nuk ka temë të vetme apo çështje që ka bashkuar liderët dhe partitë politike në vend.

Sipas atyre që morën përgjegjësinë për këtë ngjarje, e tëra ishte një lloj e ’provës gjenerale’ për protestat e mundshme të qytetarëve  (apo, të ’popullit’, një nocion politik që huazohet dhe përdoren për të universalizuar dhe fuqizuar një qëndrim politik, gjithsesi jo në traditën dhe përvojën e demokracisë liberale, çfarë pretendojmë se jemi duke ndërtuar në Kosovë mbi njëzet vjet, apo prej çlirimit e këndej).

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, megjithëse në paraqitjen e tij të djeshme publike i shmangej pozicionimit të tij të qartë karshi kësaj proteste të heshtur, u përpoq ta dyzojë një të drejtë të pamohueshme kushtetuese dhe politike për të shprehur vullnetin politik edhe në këtë mënyrë, me respektimin e masave shëndetësore në kohën e pandemisë.

Pikërisht kjo kishte ndodhur dy ditë më parë në shesh.

Megjithatë, politikanët dhe partitë e tjera kosovare, ofruan një interpretim krejt tjetër të kësaj proteste të pazëshme dhe kumbuese njëkohësisht në Sheshin Skenderbej.

Një ngjarje e tillë, sipas tyre, nuk ka si të nxjerret jashtë kontekstit aktual politik, kur një Qeveri kujdestare, e prirë nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe një Qeveri në përgatitje e sipër për ta zëvendësuar këtë aktualen, me Avdullah Hotin si Kryeministër, janë në pritje të Verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për validitetin legal/ kushtetues të Dekretit të Presidentit Thaçi të datës 30 prill.

Ky Verdikt duhet të kumtohet jo më larg se me 29 maj.

U llogarit, kur me 2 maj, Gjykata Kushtetuese mori vendimin për Pezullimin e përkohshëm të Dekretit të Presidentit, që kemi hyrë në një periudhë disajavore të ’Armëpushimit’ politik. Doli që ky konkludim paska qenë i parakohshëm. Kemi përditë ’konflikte të intensitetit të ulët’  (që është terminologji ushtarake, fatkeqësisht e sak në këtë rast), deri në fund të këtij muaji kur duket që gjithçka mund të eskalojë në një zhvillim shumë problematik.

Janë disa çështje, disa tema të cilat do të duhej të ishin të padiskutueshme apo të painterpretueshme, për të gjithë politikanët dhe partitë e tyre.

Ta zëmë, e drejta për të protestuar lirshëm, në promovim të çfarëdo agjende politike, nuk ka si të mëdyshet. Por, në momentin kur kjo protestë eskalon në përdorim të dhunës, ajo hyn në atë fushën a domenin e Sundimit të ligjit, e jo në lirinë e shprehjes politike.

Ky veçim nuk është bërë asnjëherë në Kosovë.

Pastaj, nëse në vend tashmë, me vendimin e Qeverisë, po aplikohen Masat e veçanta për të parandaluar përhapjen e një sëmundjeje të rrezikshme ngjitëse  (çfarë është Covid-19), ky urdhër është suprem, sepse ky është një kërcënim imediat për sigurinë e shtetit, të cilit i nënshtrohen, me pajtimin parimor të të gjithë neve, të gjithë qytetarët e Kosovës.

Për këtë shkak, nuk mund të ketë liri të tubimit politik, (së paku sa të vlejnë këto masa), madje, edhe liria e qarkullimit të secilit prej nesh është e kufizuar  (dy herë nga 90 minuta).

Ky interpretim nuk krijon pra vend dhe as hapësirë për një tubim a ’provë gjenerale’ çfarë ndodhi para dy ditëve në një shesh të Prishtinës.

Më në fund, të gjithë liderët dhe partitë politike duhet të jenë vazhdimisht të qartë që do ta respektojnë Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për këtë kontestin e madh politik i cili u shpërfaq pas Mocionit të mobesimit ndaj Qeverisë së Kosovës me 25 mars.

Nuk ka gjë më përtej Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në aspektin legal dhe kushtetues.

Ai Verdikt duhet të pranohet prej të gjithëve, nëse njëmend, të gjithë politikanët dhe partitë tona ia duan të mirën shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të vet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme