Në javët e fundit të Luftës së Parë Botërore, një gjeneral gjerman u dërgoi një telegram aleatëve të tij austriakë, duke e përmbledhur kështu situatën. “Situata është serioze, por jo katastrofike!”. Pak orë më vonë mbërriti përgjigja e austriakëve:“Këtu situata është katastrofike, por jo serioze!”.
Sigurisht që kjo është një shaka, por që përmbledh më së miri mosmarrëveshjen aktuale midis Amerikës dhe Evropës sa i përket situatës në Ukrainë. Për Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Joe Biden, që miratoi zyrtarisht të mërkurën një dislokim të trupave amerikane në Evropën Lindore, një pushtim rus i udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin është një “mundësi realiste”.
Për Evropën, jo dhe aq. Një diplomat i lartë gjerman e përmblodhi me pak fjalë këtë divergjencë:“SHBA mendon se Putin do të nisë një luftë në shkallë të plotë ndaj Ukrainës. Ndërkohë evropianët mendojnë se ai po luan bllofin”.
Ndoshta kjo mosmarrëveshje është e pritshme. Tek e fundit, për një publik europiano–perëndimor lufta në shkallë të gjerë, është përgjithësisht po aq e paimagjinueshme sa edhe një pushtim alien.
Dekadat e shumta të paqes në Evropën Perëndimore, të kombinuara me varësinë e thellë të kontinentit nga nafta dhe gazi i Rusisë, i nxisin zyrtarët evropianë të supozojnë se lëvizjet agresive ruse duhet të jenë me siguri një hile e Kremlinit.
Por tendenca evropiane për të pasur një qasje më të butë ndaj Rusisë pikërisht në këto momente, nuk shpjegon arsyen se pse pas alarmimit fillestar, edhe zyrtarët ukrainas duket se ndajnë tashmë të njëjtën pikëpamje me ta.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e minimizoi javën e kaluar kërcënimin e menjëhershëm të luftës, duke deklaruar se situata ishte “e rrezikshme, por e paqartë”. Për një vend të kërcënuar nga 130.000 trupa ruse në kufi, ky është një vlerësim i habitshëm. Po çfarë fshihet pas tij?
Përgjigja është befasuese, madje paradoksale. Evropianët dhe ukrainasit janë skeptikë ndaj një pushtimi të madh rus në Ukrainë, jo sepse ata kanë një pikëpamje më të mirë mbi Vladimir Putinin sesa homologët e tyre amerikanë. Përkundrazi, kjo ndodh sepse ata e shohin atë si më keqdashës.
Lufta, arsyetojnë ata, nuk është loja thelbësore e Kremlinit. Përkundrazi, loja kryesore bazohet tek një grupim i madh taktikash që janë të dizenjuara të destabilizojnë Perëndimin. Për Evropën, kërcënimi i luftës mund të rezultojë të jetë më shkatërrues sesa vetë lufta.
Amerika dhe Evropa nuk janë të ndara mbi atë që dëshiron të arrijë presidenti rus. Me gjithë spekulimet rreth motiveve të tij, shumë gjëra janë tanimë të qarta:Kremlini dëshiron një shkëputje simbolike nga vitet 1990, duke e varrosur rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë.
Kjo e fundit duhet të marrë formën e një arkitekture të re evropiane të sigurisë, që njeh sferën ruse të ndikimit në hapësirën post-sovjetike, dhe që e hedh poshtë universalitetin e vlerave perëndimore. Në vend të ri–ngritjes së Bashkimit Sovjetik, qëllimi është rimëkëmbja e asaj që Putin e konsideron si Rusia historike.
Ky mesazh është përcjellë si në Uashington po ashtu edhe në Bruksel. Ndërkaq,në të dyja anët e Atlantikut ekziston një marrëveshje e përgjithshme se çfarëdo që të bëjë më pas, Kremlini nuk do të qëndrojë palëvizur. Pra Rusia nuk do të tërhiqet në heshtje.
Por ndërsa amerikanët priren të besojnë se Putin ka nevojë për një luftë të nxehtë në Ukrainë që të përmbushë ambiciet e tij të mëdha, evropianët, dhe me sa duket ukrainasit besojnë se një strategji hibride – që përfshin praninë ushtarake në kufi, përdorimin si armë të furnizimeve me energji dhe sulmet kibernetike – do t’i shërbente më mirë.
Dhe kjo qasje bazohet në disa arsyetime logjike. Një inkursion rus në Ukrainë, mund ta shpëtojë rendin aktual evropian. NATO nuk do të kishte zgjidhje tjetër, veçse të kundërpërgjigjej me vendosmëri, duke vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë, dhe duke vepruar në unitet.
Duke e përshkallëzuar konfliktin, Vladimir Putin mund të bashkojë kundërshtarët e tij. Përkundrazi, frenimi mund të ketë efektin e kundërt:pa një pushtim, politika e presionit maksimal, mund të përfundojë duke e përçarëdhe paralizuar NATO-n.
Për të parë se si mund të ndodhë kjo, mjafton të shohim Gjermaninë. Para krizës, Gjermania ishte aleatja më e ngushtë e Amerikës në Evropë. Por ndërkohë ajo mburrej se kishte një marrëdhënie të veçantë me Moskën, dhe se ishte partnerja më e rëndësishme për Evropën Lindore dhe atë Qendrore.
Ndërkohë që sot disa zyrtarë në Uashington kanë vënë në pikëpyetje gatishmërinë e këtijvendi për t’u përballur me Rusinë, marrëdhëniet e Berlinit me Moskën po përkeqësohen me shpejtësi, dhe shumë evropiano-lindorë janë të shqetësuar nga ngurrimi i dukshëm i Gjermanisë për t’i mbështetur aleatët.
Vështirësitë e Gjermanisë janë një shembull i asaj që mund të ndodhë nëse Putin vazhdon kërcënimet e tij, por pa kaluar tek një pushtim faktik. Dhe më e rëndësishmja, nuk ka ndryshuar Gjermania, por bota në të cilën ajo vepron.
“Pozicioni i saj, është ai i një treni që qëndron pa lëvizur,edhe pasi stacioni hekurudhor ka marrë flakë”- më tha Bojan Pancevski, korrespondenti i “The Wall Street Journal” për Gjermaninë. Sot, forca gjeopolitike nuk përcaktohet nga fuqia ekonomike që zotëron një shtet, por nga sasia e dhimbjes që mund të durosh.
Në dallim nga koha e Luftës së Ftohtë, armiku nuk është dikush që ndodhet pas Perdes së Hekurt, por dikush me të cilin bëni tregti, nga i cili merrni gaz, dhe tek i cili eksportoni mallra të teknologjisë së lartë. Fuqia e butë i ka lënë vendin elasticitetit.
Dhe ky është një problem për Evropën. Nëse suksesi i Putin do të përcaktohet nga aftësia e shoqërive perëndimore për t’u përballur me presionin e çmimeve të larta të energjisë, keqinformimit dhe paqëndrueshmërisë politike gjatë një periudhe të gjatë, atëherë ai ka arsye të mjaftueshme për të shpresuar.
Siç qëndrojnë gjërat, Evropa është dukshëm e papërgatitur për këto sfida. Korrigjimi i kësajsituate, nëpërmjet investimeve tek kapacitetet ushtarake, diversifikimit të energjisë dhe ndërtimit të kohezionit social, duhet të jetë fokusi kryesor i kontinentit.
Evropianët kanë të drejtë të besojnë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia nuk është i pashmangshëm. Madje mund të jetë e saktë të thuhet se nuk është skenari më i mundshëm. Por ne nuk mund ta mashtrojmë veten se mund ta kapërcejmë testin e qëndrueshmërisë. “Nëse fton një ari të kërcejë, nuk je ti që e vendos se kur përfundon vallëzimi, por ariu”-thotë një proverb rus./bota.al/
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...