Nga: Ben Andoni
Ajo që artikuluan tre drejtuesit e Vetëvendosjes të hënën në Tiranë, sa i përket Asosacionit të komunave serbe dhe reagimi i të ftuarve, të bënte të mendoje sesa pak dihet në Shqipëri sa i përket realiteteve politike në Kosovë. Por, për këtë nuk të mjafton të shikosh vetëm paditurinë, por edhe indiferencën sesi shoqërohen sot të gjithë ndodhitë në Kosovë.
E gjithë ajo që ka ndodhur në Prishtinë për publikun e këtej kufirit, në kohët e fundit, përmblidhet vetëm në sasinë e vezëve që u hodh mbi Isa Mustafën, por asgjë më shumë për të gjithë arkitekturën e re të Asosacionit serb në Kosovë, që me shumë gjasa nëse do të funksionojë, do ta çojë Kosovën në një Bosnjë të dytë. Kësaj i shtohet një ambasadë inaktive e Kosovës në Tiranë, që kryen vetëm rituale protokollare sesa punë reale.
Trishtimi më i madh në ditët tona është se Kosova jo vetëm po përsërit shumë nga gabimet, që ka bërë Shqipëria në demokratizimin e saj, por më shumë akoma është e predispozuar të bëjë gabime. Në këtë vazhdë, marrëveshja e gushtit, që qeveria e Kosovës bëri me atë të Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar ka treguar mungesën e transparencës, por edhe një realitet që për hir të së vërtetës është shumë i dyshimtë.
Me këtë rast, Kosova, jo thjesht, po vuan gabimet e liderëve të saj, por edhe nënshtrimin pa kushte ndaj faktorit ndërkombëtar, që duhet thënë se ka qasje shumë të dobëta këshillimi me politikanët kosovarë. Kësaj i shtohet naiviteti dhe pompoziteti bosh i autoriteteve të Tiranës, që përmirësimin e marrëdhënieve të tyre me Beogradin e kanë shitur si arritje të diplomacisë.
Për hir të së vërtetës, mungesa e transparencës, sa i përket Asosacionit serb (Zajednicës) ka hedhur hije dyshimi për vetë largpamësinë e liderëve kosovarë ndaj të ardhmes, për të mos thënë se ata thjesht e kanë shfrytëzuar vetëm për beneficet e tyre politike. Nga ana tjetër, i gjithë ky zhvillim radikal i javëve të fundit, ka treguar se shqiptarët e Shqipërisë, jo vetëm janë të panjohur me këtë realitet, por as nuk e kanë kuptuar funksionimin real të Zajednicës, atributet e saj reale, fuqinë, rolin në parlamentin kosovar etj.
Kjo jo thjesht për shkak të vështirësisë teknike të problemit sesa mosinteresimit total për çka ndodh në Kosovë. Në Tiranë interesi për Kosovën është gjithnjë e më i largët. Këtë e shikoje lehtë edhe në reagimin e individëve të tryezës që Vetëvendosja organizoi në Tiranë, por edhe në gjithë diagramin e lajmeve për Kosovën. Dhe, të mendosh se Serbia eksporton në Kosovë më shumë sesa në Serbi, apo se eksportet kosovare vazhdojnë të kenë probleme në Shqipëri dhe këto gjëra shkruhen shumë pak, atëherë bindesh se mes dy vendeve shqiptare po krijohet një hendek i palogjikshëm. Por edhe kjo bën pak përshtypje në Tiranë, sepse opinioni publik i këtej kufirit, është gjithnjë e më indiferent për Kosovën. Për të keqen tonë… të së ardhmes së përbashkët në Evropën e Bashkuar.
Osmani pret në takim lamtumirës Ambasadorin Hovenier
Parashikimi i motit për të premten
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...