Pse po hesht Vuçiqi për dënimin e Sheshelit?

15:02 | 18 Prill 2018
Arbresh.info

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ishte i preferuari politikanit nacionalist Vojisllav Shesheli gjatë kohës së luftës, kështu që s’është habi që ai nuk ka thënë asgjë në lidhje me dënimin e ish-liderit të tij për krime kundër njerëzimit.

Vendimi i fundit nga gjykata e Hagës që shpalli Vojisllav Sheshelin fajtor  për krime për krime kundër njerëzimit është më i mirëpritur, por thjesht simbolik.

Edhe pse asnjë nga krimet e vërtetuara ose jo të Sheshelit nuk ishin të vegjël apo të parëndësishëm, ai u gjet fajtor vetëm për atë që një prokuror i paaftë mund të provonte – krimin e gjuhës së urrejtjes që nxiti dhunën në Serbi.

Vendimi ishte një goditje tjetër për viktimat e luftës në Bosnje dhe Kroaci, ku ai u lirua nga akuzat për ndonjë keqbërje, por megjithatë është e rëndësishme – Shesheli tani është një kriminel i dënuar lufte.

Pavarësisht kësaj, politikisht ai mbetet po aq aktiv sa gjithmonë, një anëtar i parlamentit serb si lider i Partisë Radikale Serbe, një mysafir i shpeshtë në emisionet televizive dhe aktiv në mediat sociale.

Ai arrin gjithmonë të japë shfaqje gjatë tubimeve të tij në Beograd – më i rëndësishmi ishte gjatë fushatës zgjedhore të SHBA-së në 2016, kur ai dhe mbështetësit e tij përkrahën Donald Trumpin për president. Gjatë këtij tubimi të veçantë, ai përdori gjuhën e tij të zakonshme, plot me urrejtje ndaj amerikanëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, madje duke pretenduar se djali i zv/presidentit Joe Biden vdiq nga “një mbidozë nga barnat e ofruara nga shqiptarët”.

Idetë e tij ultranacionaliste që ndihmuan në nxitjen e luftërave për një “Serbi të madhe” – në të cilën të gjithë serbët do të jetonin në të njëjtin shtet, të spastruar nga pakicat dhe ‘të tjerët’ – kanë mbetur gjithashtu të paprekura mes serbëve që prej përfundimit të konflikteve.

Sot retorika e ngjashme me atë të Sheshelit mbizotëron në sferën publike serbe, ndërsa ai vazhdon të ofendojë, tallë dhe kërcënojë armiqtë e brendshëm dhe ata ndërkombëtarë të projektit të Serbisë së Madhe të cilin ai e mbështet ende haptazi, duke sulmuar këdo që e pengon atë.

Në reagimin e tij ndaj vendimit që e shpalli atë fajtor, Shesheli si gjithmonë nuk e shfajësoi veten. Ai tha për BIRN se është “krenar për të gjitha krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit” që i ngarkuan atij dhe se ai “është gati t’i përsërisë ata prapë në të ardhmen e afërt”.

Partia e tij Radikale Serbe ka ende 22 deputetë në parlament, por me kalimin e viteve, ndjekësit e tij janë ulur në numër dhe marrëdhënia me Vuçiqin është përkeqësuar, ish-dishepulli i tij në parti, së bashku me Tomislav Nikoliqin.

Në fillim u zgjodh Nikoliqi president i Serbisë, pastaj Vuçiqi. Por në ditët kur ata ishin zyrtarë të Partisë Radikale, ata mund të shiheshin përkrahë Sheshelit në krye të tubimeve që nxitën pasionet nacionaliste në Bosnje dhe Kroaci.

Nikoliqi dhe Vuçiqi shërbyen të dy si altoparlantë të tij në parlament deri në vitin 2008, kur ata u shkëputën dhe krijuan Partinë Progresive Serbe tani në pushtet. Megjithatë, përfshirja e tyre si krahu i djathtë dhe i majtë i Shesheli është e padiskutueshme. Mjafton të shohësh pamjet e tmerrshme të një Vuçiqi të ri duke vizituar kodrat e Sarajevës me Sheshelin dhe duke vështruar rrethimin e qytetit nga forcat serbe të Bosnjës.

Vuçiq, pavarësisht pozitës së tij të mirë mes të liderëve perëndimorë, ende duket se i ka borxh një nder ish-shefit të tij.

Nëse nuk do të ishte kështu, ne do të kishim dëgjuar të paktën një fjalë prej tij lidhur me vendimin që së fundmi e shpalli Sheshelin fajtor për krime lufte në Serbi. A nuk ishte e pritshme që presidenti i një vendi të flasë për një vendim që shpall fajtor për krime një njeri në vetë vendin ku ai është president?

Në rastin e Vuçiqit – jo. Është tepër e qartë pse Vuçiqi vendosi të heshtë. E kaluara e Vuçiqit, e mbushur me veprime dhe fjalë të ngjashme me Sheshelin, e pengon atë që të flasë bindshëm apo të bëjë ndonjë gjë në lidhje me atë që ndodhi.

Le të mos harrojmë se në vitin 2007, me urdhra të Sheshelit, Vuçiq ofroi parlamentin serb si një shtëpi të sigurt për kreun ushtarak serb të Bosnjës të atëhershëm Ratko Mlladiq. Ai madje shkoi edhe më tej, duke e ftuar “Gjeneralin”të fshihej në shtëpinë e tij, të cilën ai ia përshkroi Mlladiqin si një strehë e sigurt.

Nuk është për t’u habitur atëherë që Vuçiqi nuk ka pasur ndonjë gjë për të thënë për vendimin e Sheshelit pasi ai kurrë nuk e ka denoncuar Sheshelin dhe as nuk ka kërkuar ndjesë për kontributin e tij në retorikën e nxitjes së luftës të viteve 1990.

Përkundrazi, anëtarët e tjerë të partisë së tij që ishin pjesë e grupit të Shesheli po ashtu janë zyrtarë publikë nën administrimin e Vuçiqit sot.

Shembulli më i fundit është kryetari i Komitetit për Kulturë dhe Informacion i parlamentit serb, Mirko Krliq, një anëtar i partisë së Vuçiqit, i cili ishte përfshirë në rekrutimin e vullnetarëve paraushtarakë nga rajoni serb i Vojvodinës që të shkonin në Bosnje dhe Kroaci.

Kjo është arsyeja përse Vuçiq është i heshtur kur vjen fjala te Shesheli – pasi ka arritur të manipulojë elektoratin serb dhe të luajë rolin e viktimës së përjetshme, duke u ofruar në altarin e interesit kombëtar, ai jo vetëm që ka mbijetuar politikisht, por ka lulëzuar.

Të gjithë e dinë këtë, por gjendja e shoqërisë serbe është e tillë që Vuçiq, nga të gjithë njerëzit, shihet si shpresa jonë më e mirë si brenda dhe jashtë si një “faktor stabiliteti” në Ballkan.

Gjatë këtyre periudhave të shtrembëruara, epoka pas të vërtetës, përveçse ka luajtur një rol të nënshtruar  si i mbrojturi i Angela Merkelit dhe Vladimir Putinit në Ballkan – Vuçiq po rigrupon në heshtje forca të këqija dhe po dyfishon retorikën nacionaliste që filloi agresionin serb në rajon në fillim të viteve 1990.

Duke bërë atë që ai di më mirë – të kënaqë nevojat e mentorëve të tij, ndërkohë që në Serbi mburret në mënyrë arrogante se është shpëtimtari i kombit – Vuçiq ka arritur ta portretizojë veten si e vetmja e ardhme që na ka mbetur.

Pas të gjitha lutjeve të tij rreth “situatës së rëndë” që Serbia po përballet aktualisht me Kosovën, për shkak të së cilës ai “nuk mund të hajë apo të flejë”, qeverisja autokratike e Vuçiqit mbetet e pakontrolluar dhe kundërshtarët e tij të paaftë të hutuar, ndërkohë që popullariteti i tij vazhdon të rritet.

Megjithatë, Vuçiq është politikani më i talentuar në një brez – ai ka arritur të mbajë aurën radikale të Sheshelit, e cila e ndihmon atë midis nacionalistëve të shumtë që e admirojnë, por e ndihmon gjithashtu atë të mbajë gjallë idetë e Sheshelit dhe të Sllobodan Millosheviqit.

Kjo shihet më së miri në mbështetjen e tij për përpjekjet e presidentit serb të Bosnjës Milorad Dodik për të shkatërruar Bosnjën dhe në përpjekjet e tij antagoniste kur bëhet fjalë për marrëdhëniet Serbi-Kosovë.

Ndoshta Shesheli është ende më i zëshmi në promovimin e urrejtjes që ka përhapur për dekada me radhë, por mbështetësi më i rëndësishëm i heshtur i politikës së tij është apostulli i tij më i mirë, njeriu më i fuqishëm në Serbinë e sotme – Aleksandar Vuçiq.

Shesheli është fajtor, por ai fitoi. Krimi i tij ishte i përsosur. Veprimet e tij helmuese krijuan mjaftueshëm përkrahës për të mbështetur idetë e tij në dekadat që pasuan.

Kjo është arsyeja pse Vuçiqi, mbështetësi më i suksesshëm i Sheshelit, është i heshtur këto ditë, por ka një nënqeshje fitimtari në fytyrë.

 

Milos Ciric është një politolog, edukator, shkrimtar  dhe aktivist i medias dhe i të drejtave të njerut. Ai ka diplomë në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Beogradit, master në Politikë Kulturore nga Universiteti i Arteve, Beograd, dhe Lumiere University Lion 2, Francë, dhe master në Studimet e Medias nga The New School University, Nju Jork.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme