100 ditë. A është shumë apo pak? Kush fiton dhe kush humbet? Kur të bëhet bilanci i luftës në Ukrainë, duhet të zbatohen standarde të ndryshme, nga ato që bëhen për qeverisjen 100-ditore të një qeverie të re.
Është shumë, sepse shumëkush në Perëndim, fillimisht besonte se qeveria në Kiev mund t’i rezistojë sulmit rus vetëm dy ose tri ditë. Kjo ishte ndoshta një nga arsyet pse disa vende, përfshirë Gjermaninë, hezituan të furnizonin me armë këtë vend. Një gabim. Të tjerët, veçanërisht SHBA-ja dhe Britania e Madhe, dërgonin armë pa ndërprerë. Duke vepruar kështu, ata ndihmuan në parandalimin e një disfate të hershme të Ukrainës. Kjo është arsyeja pse leksioni i parë i kësaj lufte është ky: Dërgesat e shpejta të armëve shpëtojnë jetë.
E nëse mbetemi tek shembulli i Gjermanisë: Prej helmetave të premtuara në shkurt deri tek njoftimi aktual se Gjermania do të dërgojë sisteme moderne të mbrojtjes ajrore IRIS-T në Ukrainë kanë kaluar tre muaj. Kjo është një kohë tepër e gjatë, pavarësisht së kaluarës gjermane. Berlini mund të veprojë më mirë e njoftimi më i fundit i kancelarit jep shpresë se edhe do të veprojë ndryshe. Ju lutemi vazhdoni kështu dhe pa vonesa!
Rusia do të pushtojë pjesën më të madhe të Ukrainës
Por 100 ditë nuk janë as shumë, sepse lufta sapo ka filluar. Rusia provoi të pushtonte Ukrainën me një luftë të shpejtë në fillim. Dështoi dhe më pas kaloi në një taktikë tjetër, të pushtimit të pjesëve një nga një. Sipas motos: Nuk arriti të gëlltisë mollën të tërë, tani po e kafshon copa-copa. Ukraina është një mollë e tillë. Dhe kjo na sjell në mësimin e dytë të kësaj lufte.
Fatkeqësisht, Rusia është vërtet aq e çmendur sa kanë predikuar prej vitesh disa – e këtë shumëkush nuk e ka kuptuar seriozisht. Kjo nuk është e mirë për Ukrainën, as për Evropën dhe as për botën. Presidenti Vladimir Putin ka nisur një luftë revanshiste asgjësimi dhe nuk do të ndalet. Kërcënimi i Moskës me armë bërthamore nuk është një blof.
Pasoja: Tani duhet bërë gjithçka për ta ndaluar atë e jo më vonë. Sepse më vonë mund të jetë edhe tepër vonë. Ukraina po humbet ushtarë, civilë dhe territor çdo ditë dhe çdo orë. Dhjetëra mijëra të vdekur – edhe ky është një bilanci i hidhur i 100 ditëve të para. Qëllimet ruse tani janë të qarta: në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme, Rusia dëshiron të pushtojë një pjesë të madhe të Ukrainës, t’i presë vendit daljen në det dhe të zhdukë gjithçka ukrainase. Nëse ka sukses, vendet e tjera në Evropën Lindore do të shantazhohen për t’u pajtuar me Moskën ose do të rrezikojnë luftën.
Rreziku i lodhjes nga lufta
Faza më e rrezikshme e kësaj lufte sapo ka filluar. Luftimet më të ashpra po zhvillohen në fushën e qymyrit në Donbas. Ushtria ukrainase atje është më e përgatitura, pasi ka pasur tetë vjet kohë për ta bërë këtë. Kjo është arsyeja pse Rusia nuk mund të përparonte në Donbas në fillim. Kjo tani po ndryshon, sepse Moska tani po përqendron të gjithë fuqinë e saj të luftës në një sektor të frontit, duke krijuar një epërsi të qartë.
Nëse Rusia ka sukses në Donbas, atëherë ajo mund të bombardojë dhe do të hapë rrugën e saj më shpejt drejt qendrës – dhe do të përpiqet përsëri të marrë Kievin dhe të rrëzojë qeverinë. Putini nuk ka interes për negociata, sepse mendon se ka më shumë kapacitete për luftë. Kjo fazë është e rrezikshme, sepse lufta është bërë e zakonshme. Tema të tjera po mbizotërojnë tani në titujt kryesorë, lodhja me luftën ka filluar pikërisht tani në pragun e sezonit të pushimeve. Vëmendja po zbehet, lodhja nga lufta kërcënon të zvogëlojë gatishmërinë për të ndihmuar – por kjo nuk duhet të ndodhë.
Paqja në Ukrainë është aktualisht iluzore. Ukraina ka nevojë urgjente për armë të rënda, por edhe për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë. Embargoja e naftës, e cila u negociua me shumë vështirësi, më në fund duhet të hyjë në fuqi dhe së shpejti të ashpërsohet. Ora e diplomacisë do të vijë vetëm kur përparimi rus të paktën të ndalet. Po kërcënon një verë e nxehtë lufte. Çdo ditë është me rëndësi./DW/
Zbulohen dy objektivat e Real Madridit për stinorin e ri
Nuk ka pritje në pikat kufitare të Republikës së Kosovës
Zbulohen dy objektivat e Real Madridit për stinorin e ri
Çfarë dihet deri më tani për rrëzimin e aeroplanit në Kazaki...
“I kishte fotografitë me FaceApp, u ngula!”, Laurenti rrëfeh...
Driloni dhe Sara përgatisin darkën për banorët