Shkruan: Belul Beqaj
Përkundër animoziteteve të thella, idealistët e dikurshëm të “rezistencës së armatosur” dhe ata të “rezistencës paqësore“ e inauguruan dhe e materializuan bashkëqeverisjen rreth njëzetvjeçare në mënyrë ideale
Ne që merremi me studimet e politikologjisë e kemi për detyrë që t’ia sqarojmë opinionit të interesuar si u krijua dhe pse aq gjatë po vazhdon simbioza e pushtetit mes lidershipit të “rezistencës se armatosur” dhe lidershipit politik të “rezistencës paqësore”?
S’do mend se spini që u shndërrua në karrem kryesor politik i pasluftës ishte ideali për liri dhe unitet për arritjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës si synim sublim?! Ndonëse deformimet, keqveprimet dhe armiqësitë politike ishin të pranishme gjatë këtij procesi dhe shumë para arritjes së pavarësisë më 2008, ato çuditërisht nuk reflektuan pakënaqësi serioze brenda dhe jashtë, që do të rrezikonin binomin kryesor politik si format kryesor sipas të cilit u qeveris me Kosovën.
Ironia e kësaj simbioze pushtetare deshi që liderët e “rezistencës paqësore”, që i akuzuan “njerëzit e rezistencës se armatosur” edhe për vrasje politike të anëtarëve të LDK-së, mjerisht, akuzat vazhdimisht i kanë përdorur para dhe gjatë fushatave, por duke “i harruar ato gjatë bashkëqeverisjes” rreth njëzetvjeçare! Në këtë kontekst, motivi i “përfaqësuesve politikë të rezistencës paqësore” doli po aq i dyshimtë sa “arsyetimi” eventual i përfaqësuesve të “rezistencës së armatosur”, së kundërshtarët politikë, kryesisht të LDK-së, i kanë vrarë “androidët”!
Sidoqoftë, kjo periudhë e propagandës manipulative politike zgjati pa u debatuar seriozisht për të disa vjet edhe pas pavarësisë, kur si rrufe në qiellin e trazuar shpërtheu deklarata e ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, i cili kërkoi publikisht që përfaqësuesit e rezistencës së armatosur “të largohen sa janë në majë të suksesit të tyre, e jo kur bëhet shumë vonë!” Ishte këshilla më dashamirëse dhe korrekte që është dëgjuar ndonjëherë nga miqtë ndërkombëtarë. Qysh atëherë pata vërejtur se “më i përballueshëm është fundi zhgënjyes, sesa zhgënjimi i pafund”, dëshmitarë i të cilës jemi. ‘Selami’ i diplomatit amerikan fatkeqësisht nuk u kuptua si vërejtja e fundit para se përfaqësuesit eminentë të ‘krahut të luftës’ të mos e përdhosin definitivisht të kaluarën e lavdishme, duke përfunduar me cilësi të ndryshme në Gjykatën Speciale për krime të luftës deri më 2000.
Në anën tjetër, edhe pse zyrtari amerikan nuk u deklarua në mënyrë eksplicite për përfaqësuesit e lidershipit të “rezistencës paqësore” për bashkëqeverisjen me lidershipin e “rezistencës së armatosur”, u nënkuptua se degradimi i vendit falë keqqeverisjes nga ana e binomit paqësor – luftarak kryesisht ishte pasojë e bashkëqeverisjes.
Fakti se shteti i pavarur i Kosovës pas 2008-s, veçmas pas vendimit të GJND-së, vulosi më 2010 Pavarësinë e Kosovës, e cila në vend se të konsolidohej, afirmohej dhe funksionalizohej brenda, vazhdimisht degradohej deri në rrezikimin e ushtrimit të pushtetit efektiv në tërë territorin e saj. Ç’është edhe më keq, ky binom, për shkak se drejtësinë kosovare e kishte kapur qysh në hapat e parë të shtetndërtimit, detyroi miqtë brendakombëtarë që të huajsojnë drejtësinë (GJSN) me seli në Hagë. Ndërsa, në aspektin e jashtëm, në vend se të ritet numri i njohjeve të pavarësisë, u rrit numri i çnjohjeve të saj!
Çdo qytetar i interesuar për shtetin e vet pyetet a thua vallë pse ndodhi kjo? Përgjigja është e qartë. Idealistët e dikurshëm të “rezistencës së armatosur” dhe “rezistencës paqësore” e inauguruan dhe e materializuan bashkëqeverisjen e tyre rreth njëzetvjeçare në mënyrë ideale! Kosova, pikërisht për këtë, po bëhet vend i pashpresë – sa për shkak të simbiozës së pushtetit të “rezistencës së armatosur” dhe “rezistencës paqësore”, sa për shkak të shumicës së qytetarëve të ndershëm që nuk po kuptojnë se ka ardhur koha për catharsis.
Keqqeverisja, megjithatë, e ka edhe anën e mirë. Është krijuar një masë kritike në mesin e qytetarëve për nevojën e ndryshimeve fundamentale në skenën politike. Është kohë e “revolucionit” kur mendimet e shëndosha të ndrydhura ndër vite duhet jo vetëm për të dalë në sipërfaqe, por edhe ta bëjnë ndryshimin duke e përcjellë binomin fatkeq ne krematoriumin e historisë!
______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Osmani mori pjesë në pritjen zyrtare të Krishtlindjes në Kat...
Nasim Haradinaj tregon daljen e parë para gjyqtarit: Kostumi...
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...