Google ADS

Pse është e rëndësishme liria e shtypit

08:46 | 3 Maj 2019
Arbresh.info

Sot kremtojmë Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, u shprehim mirënjohje gazetarëve që punojnë në interesin publik, dhe i përkujtojmë qeveritë për detyrën e tyre të respektimit dhe mbrojtjes të së drejtës së lirisë së shprehjes.

Kjo liri është një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut, dhe secili person ose komunitet ka të drejtë të artikulojë mendimet dhe idetë e veta, pa frikë nga hakmarrja, censura ose sanksionimi ligjor.

Përgjatë 50 viteve të fundit dhe në mbarë botën, UNDP-ja ka qenë e përkushtuar në nxitjen e mediave të pavarura, lirisë së shprehjes dhe mediave të pakicave.

Gjatë 20 viteve të fundit, UNDP-ja ka kontribuar në mënyrë domethënëse në zhvillimin e mediave të pavarura dhe të pakicave në Kosovë. UNDP-ja ka qenë instrumentale për themelimin e transmetuesit të parë të pavarur të shërbimit publik, Radiotelevizionit të Kosovës. Po ashtu, ne hartuam ligjin e miratuar dhe të zbatuar për themelimin e stacionit RTK2 në gjuhën serbe. Falënderojmë Qeverinë e Japonisë dhe Qeverinë e Mbretërisë së Danimarkës për mbështetjen e tyre financiare për këto projekte. Sot, RTK-ja është transmetuesi më i madh në Kosovë, dhe transmeton në gjuhët shqipe, serbe, dhe të pakicave të tjera.

UNDP-ja është gjithashtu e përkushtuar në mbështetjen e rolit kritik të gazetarëve brenda shoqërisë kosovare. Përmes çmimeve për raportimin rreth varfërisë dhe luftën kundër korrupsionit, janë përhapur disa nga storjet më të fuqishme, emocionuese dhe tronditëse për këto tema. Për më shumë se një dekadë, kemi kremtuar punën e gazetarëve të guximshëm dhe të përkushtuar për zbulimin e së vërtetës dhe për të sjellë në dritë storje që ndikojnë tek të gjithë. Pa punën e gazetarëve hulumtues që kërkojnë llogaridhënie nga sektori publik, nuk do të kishte luftë të suksesshme kundër korrupsionit. Storjet e tyre mbulojnë nga ryshfetet e vogla për zyrtarë publikë, deri tek skemat mashtruese të prokurimit me vlera në shumë miliona euro. Këto storje mbulojnë nepotizmin, rreziqet shëndetësore në ushqime dhe barna, si dhe rreziqet e sigurisë në udhëtimet ajrore. Këto storje na tregojnë sa i dëmshëm është korrupsioni, si dhe ndikimin e tij në shoqëri.

Përmes çmimit për raportimin rreth varfërisë, gazetarët nxisin debatin rreth çështjeve dhe shkaqeve të varfërisë brenda Kosovës. Nëse dëshirojmë të ndërtojmë një shoqëri të qëndrueshme, kjo kërkon përpjekje intensive për zhdukjen e varfërisë ekstreme, duke luftuar diskriminimin dhe duke siguruar që të gjithë munden t’i ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre të njeriut. Mbështetja jonë e gjatë dhe puna me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) kanë rëndësi kritike për zhvillimin e mëtejshëm të mediave të pavarura dhe lirisë së shprehjes në Kosovë.

Në aspektin rajonal, ka pasur regres në lirinë e mediave dhe të shtypit, çka sjell pasoja kritike për shoqërinë në përgjithësi. Megjithatë, gjatë katër viteve të fundit kemi parë renditjen e Kosovës për lirinë e shtypit të ngrihet nga vendi i 90-të në vitin 2016, në vendin e 75-të në vitin 2019. Kjo është shenjë se punët po ecin në rrugën e duhur, por ka vend për përmirësim. Ka raste kur mediat e drejtuara nga gazetarët serbë të Kosovës janë objekt i sulmeve verbale ose ngacmimeve kibernetike, dhe duhet bërë më shumë për të siguruar që ata të kenë lirinë e shprehjes, pa hakmarrje, censurë ose kërcënime.

Teksa e kremtojmë këtë ditë, i falënderojmë gazetarët që punojnë për të përmirësuar shoqëritë tona. E vlerësojmë rolin e tyre kritik në shoqëri, dhe përpiqemi t’i mbështesim në punën e tyre të çmuar.

 

Alessandra Roccasalvo

Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë

 

Të ngjashme