Google ADS

Procesi i Vjenës i fshehur brenda procesit të Brukselit?

23:49 | 1 Gusht 2020
Arbresh.info

Me një fjalë, Procesi i Brukselit është vazhdim i atij të Vjenës, i cili mundësoi proklamimin e një shteti pa substancë dhe jofunksional, duke i mbajtur në lojë edhe ëndrrat serbe, po edhe taktikat ruse. Rrjedhimisht ky proces mund të çojë Kosovën drejt dështimit të mëtejshëm si shtet, ndërsa Serbinë drejt iluzionit të ri se po rikthehet hap pas hapi

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Nga ajo që është bërë e ditur deri sot, episodi i ri i dialogut në Bruksel është i paketuar me të njëjtën skemë me Procesin e Vjenës në vitin 2007. Tash është më pak teatral se sa atëherë, por në esencë paraqet të njëjtin rrezik, që Kosova të mbetet shtet pa substancë dhe pa e përmbyll as kësaj here statusin e njohjes nga Serbia dhe nga bota. Pse mund të thuhet kështu?

Kështu mund të thuhet në bazë të asaj që është bërë e njohur nga përfaqësuesi i qeverisë së Kosovës, Skender Hyseni. Ai ka thënë se në këtë dialog do të diskutohen tema të veçanta, por nuk do të ketë marrëveshje të veçanta për to, sepse ato do të përfshihen në një marrëveshje të përbashkët. Pra, sipas tij, ose do të ketë marrëveshje për çdo gjë, ose për asgjë. Ata që kanë kujtesë, e mbajnë mend se me këtë skemë ka punuar edhe ekipi i Marti Ahtisarit dhe Albert Rohanit, në Procesin e Vjenës. Atje mblidheshin delegacionet e ekpsertëve nga Kosova e Serbia, zhvilloheshin diskutime për tema konkrete, fjala vjen, për pushtetin komunal, për kishat serbe, etj., ndërsa ekipi i Ahtisari prej tyre nxirrte konkluzionet dhe i bënte propozimet për zgjidhje të atyre problemeve në një marrëveshje (plan) final. Me atë metodologji punoi ekipi i Ahtisarit dhe në fund e hartoi Planin, që iu paraqit palëve dhe sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, pra një marrëveshje e përgjithshme. Sikundër dihet, Serbia i mori favoret e shumta nga ai Plan për serbët e Kosovës, për temat e veçanta që u dhanë favore serbëve lokalë e Serbisë, ndërsa Planin e Përgjithshëm e refuzoi. Në atë proces dhe me atë metodologji të mashtruese, Kosova bëri kompromise të rënda, deri në masën sa realisht u shndërrua në shtet jofunksional, kështu si është sot, pa kontroll mbi veriun dhe me kontrollin faktik të serbëve mbi institucionet qendrore.

Procesi i Vjenës mundësoi proklamimin e pavarësisë së Kosovës, por të një shteti të varur nga serbët dhe nga ndërkomëbatrët. Meqë nga ai proces doli si shtet i gjymtë, kjo gjë i ka hapur rrugën Procesit malinj të Brukselit, ku Serbia tash synon të fitojë favore të tjera edhe më të mëdha. Kjo është skema në të cilën po luan Bashkimi Evropian dhe Serbia. Me të njëjtën metodë, duke u nisur nga çështjet e veçanta drejt demek zgjidhjes së përgjithshme, por e cila në fund nuk pranohet nga Serbia me ç’rast Kosova sërish mund të mbetet palë e dëmtuar, që merr obligime për zbatimin çështjeve të veçanta, pa e marrë njohjen. Me aq sa po shihet tash për tash kjo është skema e Brukselit, bredna së cilës është e fshehur skema e Procesit të Vjenës.

Me këtë rast, duhet të mbahet në vëmendje se në procesin e ri pritet që Serbia të marrë favore edhe më të mëdha se sa në Procesin e Vjenës. Në këtë proces pritet që Serbia të shpëtojë nga padia për gjenocid, pritet që të fitojë bashkësinë e komunave serbe si entitet me ingerenca ekzekutive dhe pritet që Kosova të mbetet e varur ekonomikisht nga Serbia, jo vetëm me provizionet për Gazivodën e Trepçën, po edhe me energjinë dhe sistemet e tjera ekonomike, si dhe statusin problematik të qytetit të Mitrovicës.

Qeveria e Kosovës tash për tash është shumë e pasinqertë me publikun në qëndrimet e veta. Pse? Sepse formati, procesi, po as sfondi gjeopolitik, nuk japin asnjë indikacion se po dialogohet për njohje reciproke. Formati, procesi dhe sfondi gjeopolitik, tash për tash kanë këto synime:

1. Bashkimi Evropian synon ta arrijë një marrëveshje me të cilën do të dilte me një “storie suksesi” para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me të cilën do ta çmontonte një konflikt në oborrin e vet, por pa e zgjidhur plotësisht. Pra, synon ta çmontojë konfliktin, ashtu që Serbia të mbetet e kënaqur, ndërsa Kosova të mbetet e paaftë që të kundërshtojë çkadoqoftë.

2. Serbia synon t’i hapë vetes rrugën drejt fondeve më të mëdha të Bashkimit Evropian dhe t’i afrohet anëtarësimit, por pa e pasur vullnetin për anëtarësim të plotë edhe për disa vite, shkaku i presioneve të Rusisë.

3. Kosova synon ta përmbyll pavarësinë, me iluzionin se kjo është e realizueshme me një proces jotipik për arritjen e njohjes.

Sa u përket akterëve të tjerë, ata janë afër procesit, por jashtë procesit. ShBA synon të arrihet marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë, me të cilën Kosova do të mbetej sferë e ndikimit të SHBA-së dhe të NATO-s, por pa e përjashtuar plotësisht influencën ruse, e pakta në veriun e Kosovës. Rusia synon ta mbajë krizën të hapur, ndonëse të ngrirë, gjë që i jep mundësi të jetë prezente me metoda të presionit jo vetëm në Serbi e në rajon, po edhe ndaj Bashkimit Evropian, në rast se nxitë iniciativa për Krimenë ose për vetë Ukrainën. Me një fjalë, Procesi i Brukselit është vazhdim i atij të Vjenës, i cili mundësoi proklamimin e një shteti pa substancë dhe jofunksional, duke i mbajtur në lojë edhe ëndrrat serbe, po edhe taktikat ruse. Rrjedhimisht ky proces mund të çojë Kosovën drejt dështimit të mëtejshëm si shtet, ndërsa Serbinë drejt iluzionit të ri se po rikthehet hap pas hapi, (temë pas teme), në “tokën e shenjtë.”

Të tjerët janë në rolin e Ponc Pilatit, në instancë të fundit. Mjaftohen të kenë me çka t’i lajnë duart.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme