Zyra e Prokurorit Special të Kosovës ia doli të siluronte me akuzat e tij kundër Presidentit Hashim Thaçi takimin e parë historik në Shtëpinë e Bardhë mes përfaqësuesve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, organizuar nga i ngarkuari i Presidentit Tramp, Richard Grenell.
Ka shumë hipoteza përse Prokurori Special zgjodhi këtë moment për të hedhur “bombën”, të cilën e mbante në sirtar prej më shumë se dy muajsh. Për më tepër, kur bëhet fjalë për akuza që do të duhet të shihen nga një gjykatës paraprak, i cili mund të vendosë t’i rrëzojë si të pabazuara pa i kaluar fare për gjykim me themel ose t’i kalojë duke i hapur rrugë ballafaqimit në aulën e gjykatës të mbrojtjes me akuzën. Që do të thotë se shpallja e tyre mund të priste sa nuk është shprehur ende gjyqtari paraprak.
Një hipotezë është ajo se Prokurori veproi me nxitim për të ndaluar faktorizimin dhe “imunizimin” e Thaçit në një takim që i përmbante shanset për të qenë historik, qoftë edhe si përurim i zhvendosjes së dialogut Kosovë-Serbi në instancën me të lartë të politikës botërore. Me fjalë të tjera pikasi një rrezik se Thaçi po i shpëtonte, pra e kishte vetëm më të dhe kaq. Kjo duket e vogël në raport me pasojën e goditjes dhe rrëzimit të një nisme të madhe amerikane. Akuzat penale nuk ç ‘aktivizohen nga takimet. Marrëveshjet politike nuk imunizojnë asnjë politikan apo shtetar nga drejtësia. Në SHBA nuk mund të kishte marrëveshje për të amnistuar politikanët. Takimi historik nuk mund të fluturonte kaq ulët. Do të kishte qenë diskredituese dhe e papranueshme për palën kosovare në radhë të parë.
Një hipotezë tjetër, shumë më e përhapur se e para, sheh në këtë që ndodhi një skemë që e ka me Presidentin e SHBA-së, Donald Tramp, duke dashur t’i pamundësojnë atij një sukses që do ta përdorte për kredite elektorale në fushatën për t’u rizgjedhur. Në këtë rast i bie që prokurori special është vënë me mjetet që kishte nëpër duar në shërbim të kundërshtarëve të Presidentit Tramp brenda dhe jashtë SHBA-së. Të gjithë Presidentët kanë patur e do të kenë kundërshtarë. Të gjithë bëjnë politikë të jashtme edhe për imazh dhe vota. Ama, mbi dosje që nuk mund t’i sajojnë aty për ty. Një marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton mbylljen e një historie të gjatë armiqësish e përplasjesh mes tyre, është një objektiv konstant i politikës amerikane në rajon. Ka qenë para zgjedhjes se Presidentit Tramp dhe do të jetë edhe pas tij, nëse nuk do të jetë realizuar. SHBA ka punuar e punon gjithnjë për finalizimin e investimit të saj të madh politik, diplomatik dhe ushtarak në rajon. Ndaj edhe kjo, që duhej privuar Tramp nga një trofe eventuale në prag të zgjedhjeve mund të kuptohet veçse si një meskinitet apolitik.
Disa shkojnë më larg dhe thonë se silurimi i takimit ka të bëj me protagonizmin amerikan dhe reflekton thellimin e ndarjeve mes vendeve të BE-së dhe SHBA për çështjet e Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe për dialogun Kosovë-Serbi në veçanti. Sipas këtij versioni, prokurori special ka vepruar si një instrument i palës europiane.
Cilado qoftë e vërteta, deklarata e prokurorit special me elementë të qartë të një pamfleti politik ka qëlluar në shenjë. Anulimi i takimit të 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është një rast i humbur për Kosovën dhe besoj edhe për Serbinë. Në këtë moment, është një dështim edhe për organizatorin e takimit, zoti Grenell dhe stafin e tij ndihmës të Shtëpisë së Bardhë e Departamentit të shtetit. Vështirë të mendohet se ata nuk kanë qenë në dijeni të kulisave kundër takimit të thirrur prej tyre.
Me rebuset e saj, kjo ngjarje ka ngritur shumë mjegull në lidhje me zhvillimet e brendshme në Kosovë, por edhe për agjendën e politikës së saj të jashtme. Elita politike kosovare është thirrur në një kauzë të veçantë mençurie në këtë moment për të mos lejuar boshllëk në qeverisje dhe për të mbajtur fort busullën e orientimit euroatlantik të vendit. Politikanët në Prishtinë e dinë çfarë duhet të bëjnë. Ata që janë akuzuar do të përballen me akuzat para gjykatës. Urimi që të jenë të pafajshëm shkon krah për krah me besimin se akuzat e tmerrshme të ngritura kundër tyre janë të pabazuara. Ndërkaq, Kosova nuk duhet të ndrydhet apo ndalet. Elita politike kosovare nuk duhet të pushojë se shërbyeri prioritetet e njohura të periudhës dhe ato strategjike, duke bërë me kurajë të vetën, përkrah dhe në sintoni me vendet aleate, më SHBA në radhë të parë.
Kosova i ka parë si komplementare nismat europiane dhe amerikane të normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë. Nuk ka qenë puna e Kosovës të eksplorojë në nuancat e politikave që ndjekin aleatët e saj të mëdhenj perëndimorë. Dhe as në interferimet apo edhe përdorimin në momente të caktuara të çështjes së saj në funksion të agjendave politike elektorale të liderëve perëndimorë. Busulla e Kosovës janë demokracia, zhvillimi, integrimi në BE dhe NATO. Përfaqësuesit e saj të zgjedhur bëjnë mirë që shkojnë me respekt dhe pa paragjykime në çdo tryezë të thirrur nga aleatët. Sa herë t’i thërrasin. Natyrisht, duke e ditur- e kush nuk e di!- se kumbari i madh i lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit të Kosovës janë SHBA. Pa SHBA nuk do të kishim Kosovë të lirë.
Dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ka ngrirë prej dy vjetësh ndoshta për një arsye me të thellë se sa ato që thuhen zakonisht: BE, së paku deri sot, nuk është vete e qartë se ku kërkon të dalë. Ndaj ka qenë dhe është pritshme që në një pikë të caktuar dialogu të xhirojë në boshllëk. BE nga ana tjetër nuk e ka mbajtur fjalën për t’u dhënë qytetarëve të Kosovës të drejtën e lëvizjes pa viza në vendet e zonës Shengen. Ky qëndrim është fyes për ta deri në palcë.
Sidoqoftë, Kosova nuk është zhbalancuar t’u kthejë krahët apo të refuzojnë nismat europiane. Por shpresat e mëdha i ka te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo jo thjesht sepse SHBA ka bërë më shumë se askush për Kosovën dhe Shqipërinë. Por edhe për faktin se Uashingtoni ka treguar kurdoherë efikasitet të madh në krahasim me kryeqytetet politike të Europës për zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve në rajon. SHBA janë fuqia e madhe. SHBA kanë plan, ia dalin. Edhe vetë Serbia ka arsye t’i ketë varur shpresat te SHBA për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën.
Kosova as ka dashur, as e imagjinon të jetë një sanduiç mes SHBA dhe BE-së. Dilema me SHBA apo me Europën, nëse do të shtohej çështja, ka lindur e zgjidhur. SHBA është e para për Kosovën dhe Shqipërinë. Sot më shumë se dje. /Gazeta Liberale
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...