Politika si zeja më e vjetër

14:24 | 28 Prill 2016
Arbresh.info

Nga: Fadil Lepaja

Më e vjetër dhe më e vështirë, do të plotësoja titullin.  Dikush me nge, këto ditë, e hapi  debatin për politikën. Është zeja më e vjetër tha, duke rivalizuar kështu… po e dini kë. Në fakt, nuk mund të thuhet se ishte tamam debat, si bëhet nëpër zona tona operative të debatit, në ato emisionet që u shiten televizioneve publike. Sepse debatet pra, kanë rregull. Debatet hapen veç për temat të cilat i sponsorizon dikush që ka para, pra nga jashtë. Ose nga brenda, debatohet në ndonjërën nga emisionet që mbijetojnë falë politikës.

Ishte më tepër një dilemë akademike, e hedhur kalimthi dhe kishte të bënte me karakterin e një zeje të vjetër, më të vjetrën nga të gjitha, por të cilës ne i kemi dhënë shkëlqim të ri. E kemi bërë të skuqet nga smira Makiavellin. E kuptuat gjithsesi, se bëhet fjalë për biznesin e vetëm të suksesshëm në këtë vend, pra për politikën. E keni parasysh  politikën tonë, e cila përpos me telashet standarde që i ka politika e zakonshme që të shpenzoj, e sidomos të e shpërndajë nëpër akraba e dosta buxhetin e taksapaguesve kosovarë,  tash po ka telashe edhe me negociatat. U këputën. Veç në aeroplan po rrinë.

Një mik i imi gazetar, me përvojë, i mërzitur tej mase për vuajtjet e politikës tonë në Bruksel, po më kërkonte një opinion lidhur me ditën e lodhshme që e kishin pasur, negociatorët tonë nga Kosova dhe Serbia,  në përpjekje për të normalizuar sadopak marrëdhëniet mes dy vendeve tona fqinje të cilat tërë ditën e lume punojnë shumë që të komplikojnë jetën e njëra tjetrës. Mediat me shkronja të mëdha shkruanin për një ditë të mundimshme. Negociata të mundimshme. Katërmbëdhjetë orë, bisedime. Nuk po lëshojnë pe! Populli në stres, gati sa nuk po niset për Bruksel. Pa viza.

Nuk  fola aksidentalisht për dy delegacionet tona, sepse ato janë aq prezentë në jetën tonë sa nuk ka qytetar i cili nuk i njeh me emër. Nga përdorimi i shpeshtë emrat e tyre na duken aq të shpërlarë, sikur një rrobë tona që i veshim përditë dhe e kemi hedhur për ta larë. Politika është bërë për tu larë, mik i dashur, është bërë për centrifugë. Le të u merren mendtë atyre më mirë se popullit.

Por të shkojmë me radhë. Përpara se të flasim për jetën e vështirë dhe punën e mundimshme që bëjnë politikanët tonë, do të debatojmë për temën  rreth të cilës me siguri se nuk do të pajtohemi. Kështu fillojnë të gjitha bisedimet e suksesshme:  bisedohet për tema të cilat nuk i zgjidhim dot.  Sa më i madh problemi, aq më i madh buxheti. Pastaj, pavarësisht prej temës, e themi publikisht në media: Kurrë! S’ka marrëveshje! Kur thuhet fjala kurrë, qohet në këmbë krejt burokracia e kontinentit, veç për me kthye në “ndoshta”!  Delegacionet shkojnë e vijnë në Bruksel. Edhe populli shqetësohet, pastaj ndihet krenarë me përfaqësuesit e vet që nuk po lëshojnë pe, që nuk po na shesin. Sikur do të na blej dikush. Sidoqoftë, politikanët po vuajnë, në kohën kur populli i tyre, ende rri i mbyllur në shpi e po kënaqet me seriale  turke, për të cilat zëvendës-kryeministri i këtij vendi mik, po na thoshte se na  ofrojnë, na bashkojnë na e kujtojnë të kaluarën e përbashkët. Ato ishin kohë, eh!

A e meriton ky popull gjithë këtë sakrificë të politikës tonë? Gjithë ky zjarr për marrëveshjet në të cilat janë vënë nënshkrimet ende pa filluar. Pse gjithë këto vuajtje kur e kemi hapur derën e moçme, thonë disa.

Por, loja duhet të luhet e tëra. Kështu kërkohet që krejt kontinenti të  angazhohet rreth Kosovës, sepse Kosova përkundër idesë që kemi ne për veten, ka po aq rëndësi për Evropën, sa edhe Komorani për Kosovën. Ndodhen në udhëkryq dhe kur duan e dhezin. Na e dhezin, në fakt. Se populli po këqyrë seriale!

E sa për zejen, ju do të thoni se nuk është. Unë them se po. Gjithçka shkoi mbrapsht, qysh me fushatën e parë nëpër fiset e lashta  kur i zgjedhuri, u ankua se po vuante, se në vend se të shihte punët e veta, ai po lodhej e po merrej me tonat, se donte më shumë buxhet, se donte këshilltarë dhe asistente të bukur! Donte veturën  me shkronjën “Z” në targa!

Ju do të kundërshtoni duke thënë se nuk është as  zeja më e vjetër, e as më e rënda. Por, unë do ju sjell argumentet e mija, të cilat janë si rezultat i një reflektimi të gjatë. Emri kryesor përkëdhelës i politikës ndër ne është se ajo është një lavire. Lavire quhej ndër ne,pa të drejtë gjithsesi, një femër e cila i ndërronte partnerët. Në këtë shkrim gjithsesi nuk bëhet fjalë veç për femra. Të më falin prostitutat e ndershme për këtë krahasim, ato që i paguajnë tatim shtetit dhe deklarojnë pasurinë realisht. Ato e kanë fituar me shpinë, por edhe me punë. Të më falin edhe gjithë ato gra e burra që bëjnë seks për qejf, dhe i quajnë ashtu, kot, lavire . Politika është zanat më i vjetër. Të më falë edhe Monika e cila, u bë skandal global, krejt kot, për pak gjë. Gjithë ai skandal e doli të ishte veç një gojore koti.  Po të mos ishte pushteti, askush nuk do të kishte nevojë të prostituohej!

E di se qysh në start , ashtu si ndodhë në debatet tona publike, shumëkush do të kontestojë të dy pohime që dalin nga ky titull. Në kuptimin e dytë dhe të tretë, ndoshta edhe më shumë, do të ishin të kontestueshme, por ju lutem po e fillojmë veç me kuptimin e parë.  Politikën tonë, pra, nëse ka sado pak kuptim, po e marrim vetëm në kuptimin e parë, sepse po u futëm në fushën e nënkuptimeve , kuptimeve të dyta e të kësaj fjale, ndër ne, nuk do të mjaftojë një kolumne javore, e madhësisë standarde. Do të duhej një bibliotekë

Në parim, topi nuk e luan. Fillimisht ishte politika. Gjërat më të mira ia bëri me karar. Me kosto. I bëri zeje.  Pastaj populli u prish.  Por, kjo gjithsesi nuk vlen për ne. Ne jemi edhe shtet i ri, kështu që edhe politika është e re. E vjetër është veç parapolitika. Ajo që mbijetoi prej përpara se të ekzistonte shteti. E vjetër dhe e mundimshme dhe nuk po shkëputet dot nga shteti. As nga buxheti.

Jeta rrjedh rrugëve të rrahura.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme