Politika kosovare do të duhej ta kuptonte sa më parë se me kë ka punë kur bëhet fjalë për Presidentin e Serbisë. Diçka e tillë është e domosdoshme nëse synojmë t’i kundërpërgjigjemi kësaj mësymjeje të madhe të Serbisë të viteve të fundit.
Shkruan: Blerim Shala
Në terminologjinë kuzhiniere dhe turistike, e cila duket se i ri më së miri Aleksandar Vučićit, Presidentit të Serbisë, ky si politikan, dhe politika që ai përfaqëson mund të definohet si ’Tavolinë suedeze’ dhe si qasje ’Ultra All Inclusive’.
Këtu pra ka gjithçka për çdo kë: Për Perëndimin dhe për Rusinë, për Amerikën dhe Evropën, për nacionalistët dhe të moderuarit në Sebi, për politikën e bashkëpunimit rajonal dhe të një konfrontimi të ri në rajon.
Ky model i pushtetit të tij zatën më së miri shihet në përbërjet e vazhdueshme të Qeverive të cilat janë krijuar prej tij dhe prej vartësve të tij, në tetë vitet e kaluara të pushtetit të pakontestueshëm të tij në Serbi.
Në atë ’Përfaqësuesen’ politike të liderit të pakontestueshmëm të Serbisë, i cili ka bë hi e pluhur opozitën aktuale në këtë shtet, ka vend për politikanë pro-rus dhe anti-perëndimorë, çfarë janë Ministri i Jashtëm Ivica Dačić dhe ky i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, por edhe për politikanë që llogariten si të moderuar dhe pro-perëndimorë, çfarë janë Kryeministrja Ana Brnabić dhe Zorana Mihajlović, Ministrja e Infrastrukturës.
Për më shumë, në rastin e emërimit të Ana Brnabić si Kryeministre e Serbisë, katër vjet më parë, pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014-të, lideri i Serbisë Vučić goditi trefish në cak në raportet e tij me Perëndimin.
Brnabić vinte nga shoqëria civile (e jo nga SNS, apo partia e Vučićit), pastaj, ajo ishte femër dhe së fundit, ajo vinte nga komuniteti LGBT.
Të thuash, nuk pati kryeqendër në Perëndim që nuk e përshëndeti këtë veprim të Vučićit si një sjellje shumë të rrallë në këto anë të Ballkanit.
Teksa Ivica Dačić dhe Aleksandar Vulin janë pak a shumë brez i Vučićit, dhe poashtu, pjesë e një të kaluare të përbashkët historike dhe politike, të njohur për të gjithë, Brnabić dhe Mihajlović nuk kanë gjë të përbashkët me këtë të kaluar, prandaj Vučić e ka pasë të mundshme t’i dyfishojë apo edhe shumëfishojë mesazhet e tij në te dy krahët e politikës ndërkombëtare, kah Perëndimi i Amerikës dhe Evropës dhe kah Lindja e Rusisë.
Kur në vitin 2012-të Aleksandar Vučić, si ish-bashkëpunëtor i radikalit namëzi Vojislav Šešelj, e mori pushtetin në Serbi pasi që më parë bëri distancimin politik dhe organizativ ndaj Partisë Radikale (në të cilën ai ishte Sekretar i Përgjithshëm), ai pati vlerësuar që SNS, si një subjekt relativisht i ri në skenën politike serbe, duhet ta bëjë distancimin edhe nga ajo historia serbe e viteve të nëntëdhjeta, e cila tek e mbrama, solli një disfatë të madhe historike dhe politike për Beogradin.
Evropa dhe Perëndimi i viteve 2012, 2013, zatën, mund ta mirëprisnim vetëm një Vučić dhe një lidership të ri serb i cili do të hiqte dorë fare konkretisht nga një trashëgimi famëkeqe e Socialistëve dhe ish-Radikalëve, të cilët tash e tutje do të ishin në krye të Serbisë, duke mos pasur kinse asgjë me Slobodan Miloševićin dhe Vojislav Šešeljin.
Vučić do t’iu përshtatej këtyre rrethanave atëbotë mbizotëruese ndërkombëtare, dhe kjo veçmas do të shprehej në vullnetin e tij për t’i udhëhequr bisedimet me instancat më të larta të Kosovës në Bruksel dhe për ta bërë, së bashku me Dačićin, Marrëveshjen e Parë me Prishtinën zyrtare, me 19 prill të vitit 2013-të.
Vučić ishte zyrtari i parë serb i periudhës së pas-luftës në Kosovë, i cili kur vizitoi komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës, në pranverën e vitit 2013-të, do të ju thotë fare hapur liderëve lokalë serbë që ata duhet t’i respektojnë Ligjet e Kosovës, dhe që duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare duke i përfillur këto ligje.
Kështu edhe do të ndodhë më pas, në vijim të krijimit të një entiteti të ri politik që i tubonte politikanët serbë të Kosovës, në kuadër të ’Listës serbe’.
Dukej pra që dialogu i Brukselit, por edhe drejtimi apo orientimi politik që kishte marrë Vučić, në përshtatjen e tij ndaj rrethanave ekzistuese ndërkombëtare, të cilat akoma njihnin një rol të dorës së dytë të Rusisë në Ballkan dhe rol krejtësisht primar të Brukselit dhe Washingtonit, do ta mundësonin integrimin e qetë dhe gradual të Veriut të Kosovës në sistemin politik, kushtetues dhe ligjor të Kosovës.
Serbia atëbotë, nisi Bisedimet për integrimin në Bashkimin Evropian, i cili nuk mund të ndodhte dot (pos tjerash, falë Kapitullit 35 të këtij Procesi), pa bërë Marrëveshjen Ligjësisht detyruese me Kosovën.
Dukej pra që u trasua një rrugë e pakthyeshme, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në bisedimet e Brukselit, të cilat duhej t’i shërbenin te dy shteteve për arritjen e qëllimeve parësore të tyre: Shtrirjen e pushtetit të Kosovës në gjithë territorin e saj, pastaj, hapjen e perspektivës së mirëfilltë evropiane për Kosovën, ndërsa në rastin e Serbisë, Beogradi do të mund të llogaritte që në një të ardhme afatmesme do të mund të bëhej shtet anëtar i BE-së.
Situata nisi të ndryshojë rrënjësisht në vitet 2014, 2015, në rajon, në Evropë dhe në Perëndim, më në fund, edhe në raportet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut të Brukselit.
Kriza e madhe financiare në BE, e shkaktuar me gati bankrotimin e Geqisë, pastaj, dyndja e madhe e refugjatëve nga Siria dhe shtetet përreth, e cila zhvillohej edhe përmes ’Rutës ballkanike’ që do të shkaktojë edhe ngritjen e madhe të Popullizmit gjithandej Evropës me Brexit-in si rezultat të vetin kryesor (në vitin 2016), qasja gjithnjë e më agresive e Rusisë në Ballkan, pastaj, humbja e momentimit për një Marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2014, për shkaqe të ndryshme (përfshirë këtu edhe telashet e brendshme kosovare pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2014), të gjitha këta faktorë në përbashkësinë e tyre do të ndikojnë në ndryshimin e dinamikës të dialogut në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, por edhe në përshtatjen apo adaptimin e sërishëm të Aleksandar Vučićit ndaj rrethanave të reja politike në Kosovë, në rajon, në Evropë dhe në Perëndim.
Pozicioni i tij ndërkombëtar do të përmirësohet ndjeshëm, për shkak të dobësimit të gjithë faktorëve të tjerë politik: Në Kosovë, në rajon, në Evropë, në Perëndim.
Ai do ta merr vesh atëbotë që atij i është zgjeruar shumë hapësira manovruese politike karshi Kosovës dhe BE-së, që mund ta përdorë shumë më tepër ‘Letrën ruse’ për promovimin e interesave të tij politik, dhe që me të shpejtë, prej një lideri të një shteti që kishte trashëguar përgjegjësinë për të gjitha tragjeditë e shkaktuara në hapësirat e ish-Jugosllavisë, i cili si i tillë bartte barrën e një faji të vazhdueshëm, mund të shndërrohet në lider të një shteti i cili synon ta ri-kthejë statusin e shtetit më me ndikim në këto anë të Ballkanit dhe të Evropës.
Për këtë shkak, ai do ta mëkëmbë qasjen nacionaliste të cilën e kishte braktisur vite më parë, sepse e kuptoi që jo vetëm që më nuk do të ndëshkohet nga Evropa dhe Perëndimi për këtë politikë (për shkak të këtyre rrethanave të reja), në kuadër të konceptit të ‘Stabilokracisë’, por për më shumë, me te do të mund ta forconte pushtetin e tij absolut në Serbi (në një ambient të natyrshëm politik nacionalist) dhe po ashtu do ta fuqizonte pozitën ndërkombëtare të Serbisë, veçmas pasi që u kuptua në Serbi dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor që një herë për një herë, nuk ka gjë prej zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e këtij ‘Ishulli’ të BE-së.
Në ndërkohë, pos me ‘Letrën ruse’, Vučić do të nisë të luajë edhe me atë të pranisë kineze në Serbi, teksa për vite me radhë edhe Turqia shtoi prezencën e saj ekonomike dhe financiare, më shumë se kudo tjetër në këto anë të Ballkanit.
Më në fund, Vučić e kuptoi në këto dy vitet e fundit që ia vlenë të mirëpriten nismat e Administratës Amerikane të Presidentit Trump për ta ndihmuar finalen e procesit të arritjes së Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Pak vite më parë pra, Vučić vlerësonte që raportet e tij me Kosovën dhe drejtimi i tij si politikan dhe lider, njohin vetëm një adresë të vetme të orientimit dhe të përfitimit: BE-në.
Pas gjithë atyre zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare (të përshkruara më parë), Vučić do të synojë, dhe këtë qasje ai e ka sot e kësaj dite, që të mbajë në qarkullim, në përmbushje të interesave të tij politik, edhe nacionalizmin edhe moderacionin (edhe me atë përbërjen e Qeverisë së Serbisë, për të cilën u fol më parë), edhe SHBA-në dhe BE-në në njërën anë, dhe Rusinë dhe Kinën në anën tjetër.
Kjo është pra kjo qasja politike ’Ultra All Inclusive’ e Presidenit Vučić, e cila i mundëson atij që t’i mbajë gjallë (si thuhet), shumë varianta në raportet e tij me Kosovën, gjegjësisht, ruajtjen e Status Quo-së, ecjen e ngadalshme ose edhe vendnumërimin në dialogun e Brukselit, apo edhe një Marrëveshje me autoritetet e Prihshtinës, poqëse do të përfitojë më shumë se sa që ka pritur nga pala kosovare në vitet 2013-të dhe 2014-të, dhe nëse do të merr një kundërshpërblim të matshëm dhe të prekshëm nga Washingtoni dhe Brukseli për bërjen e kësaj Marrëveshjeje.
Njëkohësisht, ai tani, pas zgjedhjeve të përgjithshme atje, është ri-kthyer suksesshëm në politikën e Malit të Zi dhe tutje, përmes Republikës Serbe dhe Milorad Dodikut, është i pranishëm si vendimmarrës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Politika kosovare në përgjithësi, do të duhej ta kuptonte sa më parë që është e mundur se me kë ka punë kur bëhet fjalë për Presidentin e Serbisë.
Diçka e tillë është e domosdoshme nëse si Kosovë synojmë t’i kundërpërgjigjemi kësaj mësymjeje të madhe të Serbisë të viteve të fundit.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...