Valbonën e vajzën e saj e vramë ne. Krejt bashkë. E do t’ua marrim jetën edhe sa e sa të tjerave.
Vrasës e kriminelë ka kudo në botë, por vrasësit e grave e të fëmijëve te ne janë vrasës të ushqyer e të krijuar prej familjes, shtetit e shoqërisë
Secila nënë që e ka porositur vajzën: „Po shkon te burri, ule kryet, puno e n`go“, e ka vrarë Valbonën. Secili baba që i ka thënë vajzës: „Ki mendjen e mos ma mer ftyren, se këtu derë s’ki ma“, e ka marrë frymë i çliruar se vajza iu martua, e ka vrarë Valbonën, e krejt këto gra e fëmijë, të vrara prej burrave.
Atë e ka vrarë secili vëlla, që është munduar të bëhet „roje e moralit të motres“. Gratë në Kosovë po i vranë sicili prind që i thotë vajzës: „Shuj, ti je çikë“. Sa herë ia mshelni gojën një vajze e gruaje, ju po përgatitni terren për vrasjen e saj.
Valbonën e ka vrarë secili polic që është tallur me fatin e grave, atyre pak grave që kanë marrë guxim e kurajo të raportojnë dhunën në familje: „Hajt, moter, se s’u ba nami pse ta ka dhanë burri një shuplakë!“
Vrasës janë edhe punëtorët socialë, në vend se t’i bindin këto gra se aty ku nis dhuna, merr fund gjithcka, këtyre grave të shkreta u thonë: „Qysh do me i rritë fëmijët, ktheju burrit, pajtohuni, se familja është e shenjtë“.
Gratë po i vrasin edhe gjyqtarët. Krejt ne e dimë se çfarë denimesh qesharake jepen për vrasjen e një gruaje. Sikur jeta e gruas të mos ishte jetë njeriu!
Gratë po i vrasim edhe krejt ne që kemi heshtur e heshtim. Ne që bëjmë zhurmë 3 ditë mbas vrasjes se një gruaje, e heshtim deri te vrasja tjetër.
Shteti, institucionet e krejt ne po u japim zemër burrave të vrasim, e grave po ua mbyllim gojën. Edhe atyre që kanë pasur sado pak kurajo e shpresë, s’iu kemi lënë asgjë. Çdo ditë po ua dëshmojmë se janë vetëm. Me to nuk është as familja, as institucionet e as shoqëria. Kushedi sa e sa gra këto ditë kanë kaluar ditët e netët të kërcënuara: „Guxo e thirre policinë, hajt shko te familja jote, qe çka të pret“.
E ne bëjmë zhurmë disa ditë e i kthehemi heshtjes. E në heshtje, do të dhunohen verbalisht, fizikisht e seksualisht edhe shumë e shumë të tjera.
Bashkëfajtorë jemi ne!
(Autorja është gazetare shumëvjeçare)
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?