Përtej përmendoreve

22:09 | 3 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Shkruan: Dritan Dragusha

“Asnjë oficer nuk e ka humbur jetën, të vrarët janë shokët e mi. (…)Nuk e di ku e kam kokën, këmbën, ku gjendem dhe cila ditë është, sa vjet i kam. Unë asgjë s’di. Çmendi e vërtetë. Ku të shtie në dikë, ose dikush në mua. Nuk është e mundur. Lus Zotin vetëm të mbetem gjallë, dhe asgjë tjetër. Veç gjallë të mbes, për kokën e nënës.”. Këto janë disa nga fjalët e një ushtari nëntëmbëdhjetë vjeçar, i quajtur Bahrudin (xhiruar nga kameramani Sylejman Kllokoqi), të cilin pak ditë pasi kishte filluar lufta në Slloveni, më 1991, e gjejmë në vijën e parë të frontit. Përmes këtij prononcimi ky ushtar i Armatës Popullore të Jugosllavisë së dikurshme e tregon anën tjetër të luftës. Brenga e tij është të mbetet gjallë, dhe të kthehet në shtëpi, te nëna e tij. Pra, ai prek sentimentin më kulmor, nënën, për të cilën luftërat nuk kanë aspak respekt. Mbase luftërat, ose ata që i nxisin ato, janë armiku më i madh i nënave. Kur jemi te luftërat, e gjithë përpjekja retorike bëhet që t’i bindin njerëzit se po jetojnë dhe luftojnë për një ideal, e që shpeshherë ky ideal lidhet me nënën. “Nëna është atdheu ynë”, është përpjekja që ndjeshmërinë që kemi për nënën ta ridimensionojmë tek atdheu ose kombi, po edhe partia po ashtu.

Kush e ka parë filmin Lulëkuqet mbi mure, i kujtohet kur aktori Timo Flloko reciton vargjet e poezisë së Nolit, Anës së Lumenjve, dhe aty, ndër të tjera, Timo, që luan rolin e mësuesit, u drejtohet nxënësve të tij: “Një popull jetim është fatkeq. Atë e marrin nëpër këmbë, ia mohojnë fisin dhe origjinën, gjuhën dhe bukën e gojës. E shtyjnë, e pështyjnë, ia marrin nderin. Kush do ta shpëtojë?! Vetën do ta shpëtojë! Do t’u thotë bijve më t’mirë: vihuni në ballë, ja dhe zemërimi im në dorën tuaj, si shpatë t’i dalim mbanë kësaj pune. Dhe nga ky çast populli s’është më jetim, dhe ju nuk jeni më jetimë! Për ju, si për gjithë popullin, vuan dhe punon një nënë që e keni gjithmonë pranë. Ta dini kur ju lehtësohet një dhembje, kur ju thonë një fjalë të mirë, është ajo aty. Dëgjojeni fjalën e saj…” Kjo është ajo nëna ideale ( që mund të identifikohej me atdheun ose partinë) që është në luftë të përhershme me nënën reale. Kjo nënë ideale jeton për lavdi, kurse nëna reale jeton për t’i kujtuar fëmijët e saj që ia mori lufta.

Nëna ideale ngopet me gjakun e bijave dhe bijve të nënës reale. Nderi i nënës ideale e lë nënën reale pa fëmijët e saj. Nderi?! Ky ankth dhe ky mallkim për nënën, sepse ajo e ndjenë që për, kinse këtë nder, do të vuajë e vetme në vetmi. Atdheu mbjell te ne zemërim, kurse nëna mbjell dashuri. Prandaj, atdheu e shfrytëzon këtë “dobësi” të nënës, që fëmijët e saj t’ia rrëmbejë. Lajkat e atdheut janë joshëse, prandaj janë të paskrupullta. Nëna dëshiron më të mirën tonë për ne. Ajo dëshiron që ne ta kemi ngrohtë, të jemi të sjellshëm, të jemi të mirë, të jemi të përgjegjshëm, të edukohemi mirë, kurse nëna ideale na dëshiron për flijim, për gjakun tonë. Dhe, krejt kjo në emër të nderit kombëtar. Në emër të atdhedashurisë. Nëna na mëson se si të duhet dhe si të respektohet tjetri. Madje, në rast rreziku ajo del e para në fushën e flijimit, vetëm e vetëm që fëmijëve të saj mos t’u ndodhë asgjë e keqe. Kurse nderi i kombit, i cili vetën e projekton në maje të Olimpit, na vëzhgon se si ne theremi si kafshë në fushën e betejës, për të cilën fushë më vonë do të flasë vetëm Historia.

Ta urrejmë tjetrin, dhe me shpatë në dorë ta shfryjmë tërë mllefin mbi të! Atë mllef që me aq ftohtësi na e ka mbjellë në shpirt atdheu ynë. Prandaj, nuk thuhet kot se kush nuk jep jetën për atdhe, nuk meriton as varr. Të rinj e të reja që bien përdhe sikur gjethet e blirit në një fushë të absurdit, nesër do të ngrihen në bronz për lavdinë e atdheut. “Asnjë oficer nuk ka humbur jetën”, thoshte Bahuridini. Ndërsa te libri Thertorja pesë, Kurt Vonnegut thoshte se: “Kishim harruar që luftërat luftohen nga bebet. Kur i pashë ato fytyra të freskëta të rruara, ishte goditje. O Zot, o Zot, – thashë me vete, është Kryqëzata e Fëmijëve.” Oficerët, komandantët dhe gjeneralët, nuk shkojnë në luftë për ta humbur jetën. Ata dërgojnë të reja e të rinj drejt vdekjes, e në të kthyer për këtë dekorohen nga atdheu. Atdheu është sadist!

Dikush edhe mund të thotë se, nuk ka dasmë pa mish, e liri pa gjak. Ama pse kurrë nuk e pyesim njeriun që këtë devijim kolektiv e njeh më mirë se askush tjetër. Atë njeri që e njeh humbjen e secilit gram. Mirëpo jo. Nëna është e përjashtuar nga ky diskutim. E vetmja gjë që e ka për detyrim është të lindë e të rrisë fëmijë, që nesër të vijë atdheu dhe t’ia dërgojë në thertore. Lufta u përket burrave (baballarëve), prandaj atdheu identifikohet me ta, kurse grave (nënave) u përket dhembja dhe vajtimi. Përderisa ne hedhim valle para shtatoreve gjigante nëpër sheshe, hamë e pimë, këndojmë këngë patriotike, dikujt diku asnjëherë nuk i pushojnë lotët. Për atdheun data e rënies së një të riu a të reje është datë e lindjes, kurse për nënën që ka humbur fëmijën ajo datë ngelet si datë e humbjes së përjetshme.

“Zonjë e dashur,

Nga dosja e Departamentit të Luftës pashë një deklaratë të Ndihmësgjeneralit të Massachusetts, se ju jeni nëna e pesë djemve që vdiqën trimërisht në fushën e betejës. E ndiej se çdo fjalë imja është e dobët dhe e kotë për t’ju ngushëlluar sado pak për humbjen e më të dashurve. Mirëpo, nuk mund të mos ju drejtohem për t’jua shprehur ngushëllimet, si falënderim i Republikës për të cilën vdiqën ata. Lutem që Zoti t’jua lehtësojë dhembjen për më të dashurit, dhe t’ju lërë vetëm kujtime të mira për ta, dhe të ndiheni krenare për këtë sakrificë kaq të madhe për lirinë supreme.

Sinqerisht,

I juaji, Abraham Lincoln!”.

Nëse dikujt duhet t’i ngrihet përmendore, nëse dikush duhet përkujtuar, dhe po, t’i kërkohet falje me përultësi për vuajtjet e shkaktuara, ajo është nëna. Të gjitha mitet dhe legjendat, e gjithë ngrehina e heronjve dhe heroizmave, bie para saj, sikur një pemë që bie nga dega. Atdheu mund ta shpallë hero, dhe mund të ndërtojë përmendore bronzi mijëra kilogramshe, mirëpo në sy të nënës i rëni për atdhe mbetet fëmija që nuk e pati kurrë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme