Albin Kurti duhet ta shfrytëzojë shansin që ia kanë dhënë qytetarët për ta qeverisur vendin. Ai duhet të shohë përtej posteve të caktuara, që t’i bind qytetarët se vërtet dëshiron të bëhet kryeministër dhe të marrë përgjegjësi. Ndryshe do të mbetet veç një politikan që sfidon sistemin, por heziton ta ndryshojë atë.
Në aspektin kushtetues gjithçka është e qartë: Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit me votat e lira të deputetëve, në mesin e të cilëve edhe 27 të LDK’së. Ai e ka legjitimitetin e plotë që të udhëheq legjislativin e vendit, pa e çarë kokën fort se çfarë mund të thotë një parti politike apo kushdoqoftë tjetër. Në një shtet normal, me politikanë normalë ky do të duhej të ishte një standard. Por Kosova nuk është e tillë dhe nuk ka të tillë politikanë, andaj ato që do të duhej të konsideroheshin rregulla, shpesh dalin të jenë përjashtime.
Pikërisht te emri i Glauk Konjufcës dhe te pozita në të cilën është zgjedhur është bllokuar puna në krijimin e koalicionit qeverisës ndërmjet Vetëvendosjes e LDK’së. Është LDK, pra, e cila vetë e ka votuar Konjufcën, që tash po kërkon tërheqjen e tij. Një qasje aspak parimore, nga një parti që veten e konsideron institucionaliste, e që sfidon legjitimitetin e njeriut që udhëheq institucionin më të rëndësishëm të një republike parlamentare.
Partia e Isa Mustafës po kërkon që ta marrë këtë post për një vit e pak, derisa të zgjedhet president dikush i LDK’së, e pastaj sërish t’ia kthejë Vetëvendosjes. Pra, po kërkon ta marrë peng një post, deri sa ta sigurojë një post tjetër, edhe pse presidenti i zgjedhur nuk do t’i takojë formalisht LDK’së, se duhet të jep dorëheqje nga partia.
Është pak të thuhet se kjo është një lojë e ulët e kësaj partie, e cila në ditën e konstituimit të Kuvendit nuk e kishte të gatshëm emrin e kandidatit për kryetar. Por, situata ka ardhur në këtë pikë dhe zgjidhja duhet të gjendet.
* * *
Vetëvendosja nuk e ka të lehtë të pranojë kushtin e LDK’së. Në një shoqëri normale, kërkesa e LDK’së do të konsiderohej e padrejtë. Por, në një situatë kur duhet zgjedhur ndërmjet mundësisë për të qeverisur vendin, që ishte edhe vullnet i pjesës më të madhe të qytetarëve dhe dështimit për të marrë pozitën e kryeministrit, duhet diskutuar edhe opsione që duken nënshtruese e nënçmuese.
Ata qytetarë që e kanë votuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin e duan atë në postin e të parit të qeverisë, në mënyrë që të provojë të nis ndryshimin e premtuar. Vetë Kurti dhe partia e tij ndër vite kanë sfiduar e kritikuar sistemin, duke e konsideruar korruptiv, kriminal e jodemokratik. Ndër vite kanë përmendur se shteti është më i rëndësishëm se pushteti.
Për LDK’në, një parti që e ka krijuar e mirëmbajtur po këtë sistem, janë thënë të gjitha, pavarësisht se të vërtetat iu dhembin. Sidomos ato që kanë të bëjnë me nënshtrimin ndaj PDK’së dhe Hashim Thaçit, me shkeljen e vullnetit të votuesve të vet, të tjera për kapjen e sistemit nga anëtarë të partisë e kështu më radhë. Lista është e gjatë.
Të synosh ndryshimin e sistemit me një parti pjesë thelbësore të tij ëshët gati utopi. Por Albin Kurti e ka premtuar një gjë të tillë dhe ata që e kanë votuar i kanë besuar. Siç i kanë besuar të tjerët Vjosa Osmanit, teksa është zotuar se do të qeveris bashkë me Vetëvendosjen.
* * *
Nëse Albin Kurti dëshiron vërtet të bëhet kryeministër, atëherë duhet të shohë përtej pengesave që janë të kalueshme. Nëse ai vërtet ka vullnet për të nisur ndryshimin, atëherë një post publik nuk duhet të bëhet shkak që kjo të mos ndodh.
Të lëshosh pe, të tërhiqesh në shoqërinë tonë kuptohet si dorëzim, si nënshtrim. Kuptohet si naivitet e dobësi. Por në rast se kjo bëhet për të zhbllokuar një situatë që po mban peng vullnetin e shumicës së qytetarëve që kanë votuar më 6 tetor, atëherë nuk duhet konsideruar e dobësi. As nënshtrim. Përkundrazi, duhet konsideruar shans për ecje përpara.
Është e kuptueshme: në mos asgjë tjetër është inat të tërhiqesh nga një pozitë, në të cilën je zgjedhur edhe me votat e atyre që tash kundërshtojnë. Por në peshoren e interesave më të mëdha për qytetarët dhe vendin, siç e kanë thënë shpesh zyrtarët e Vetëvendosjes, shumë më shumë duhet të peshojë shteti se pushteti.
Albin Kurti dhe Vetëvendosja duhet të shohin përtej postit që mban Glauk Konjufca. Nëse vërtet duan të provojnë së realizuari në praktikë zotimet që kanë bërë – e kanë këtë mundësi, pavarësisht se mund të jetë e padrejtë dhe e dhimbshme. E nëse nuk janë të gatshme të marrin përgjegjësi, për shkak të sfidave që e presin vendin, atëherë Vetëvendosje e LDK le ta thonë këtë haptas. Gjithmonë ka zgjidhje të ngjashme me ato të kaluarat. Veç se atëherë fajin nuk duhet kërkuar tek të tjerët.