Nga: Gezim Mekuli
Si mund ta sqarojmë se, përse bisedat e përgjuara telefonike u bënë kryelajm në mediat shqipe? Si të shpjegohet fakti se, përse “afera me telefonata” qëndron të jetë (ende) nën ndriçimin e reflektorit të medias së Tiranës dhe Prishtinës? Shkurt e shqip, përse kjo ndodhi u bë lajm, e material për media, e disa tjera nuk po vërehen fare në opinion?
Disa hulumtime të bëra prej Jo Bech-Karlsen tregojnë se a) ekskluziviteti, b) e reja dhe c) dramatikja, janë veçoritë kryesore të përcaktimit të lajmit. Të tjerët thonë se lajmi duhet të jetë 1) përmbajtesor, 2) të ketë rëndësi e domëthënie për kombin dhe shoqërinë, 3) që populli të ketë mundësi të identifikohet me lajmin (afërsia – identifikimi), 4) që ndodhia të ketë ndikim dhe pasoja të mëdha për shoqërinë (konflikte), 5) të kuptohet lehtë, 6) që në ndodhi të jenë të përfshirë persona të rëndësisë së veçantë (personët elit) dhe 7) të jetë aktuale.
T’i kthehemi analizës së përgjimeve të telefonatave të krerëve politik të qeverisë së Kosovës, të cilat u bënë kryelajm e kryefjala në hapësirat e medias shqipe (përpos RTK-së).
Nëse bëjmë një analizë të aferës së përgjimeve telefonike, dallojmë këto veçori përcaktuese që ndikuan që ky veprim të shndërrohet në lajm.
1. Lajmi ka rëndësinë për qytetarin.
Gjatë dëgjimit të telefonatave të krerëve shtetërorë e qeveritarë, qytetari pikë së pari ndien se ky lajm ka të bëjë me ta. Lajmi “e prek” dhe ka ndikim (negativ) në jetën e tij si qytetar e si indidvid.
2. Lajmi kuptohet lehtë.
Dëgjojmë se bisedat e z. Grabovci me presidentin z. Thaçi dhe me z. Veseli, kryeparlamentarin e Kosovës, janë të thjeshta, fjalori i tyre ka zhargon “sokaku prej katundi”. Struktura e fjalisë është e deformuar dhe ka plot barbarizma. Gjuha është e ndotur dhe shpesh me përmbajtje raciste. Vërejmë se lajmi është i thjeshtëzuar nuk është i komplikuar. Dhe lehtë arrin në publikun e gjerë.
3. Lajmi ka peshë kombëtare.
Veçoria tjetër që e bënë këtë përgjim telefonik lajm të rëndësisë së parë, është se çështja ka peshë të madhe për shoqërinë dhe është me pasoja për kombin.
4. Lajmi është aktual.
Koha kur është zhvilluar biseda telefonike e krerëve të qeverisë së Kosovës nuk është edhe aq e largët. Prandaj edhe afera ka vlerën e lajmit. Pra, afërsia në kohë është përcaktuese. Informacioni është i freskët për qytetarin.
5. Lajmi është negativ dhe shkakton konflikte.
Biseda telefonike, e njohur si “Pronto 2”, mbërthen në vetvete edhe konfliktin. Publiku ndien frikë për të sotmen dhe pasiguri për të nesërmen.
6. Lajmi është i afërt me qytetarin.
Kosova është e vockël. Shqipëria dhe Kosova janë vende të vogla. Të gjithë aktorët e bisedave telefonike janë me vendbanime gjithandej nëpër Kosovë. Pra secili qytetarë ka afërsinë lokale/gjeografike me «njerëzit e telefonave», që dëgjohen se si planifikojnë nepotizmin, si mashtrojnë qytetarin, si manipulojnë me paranë publike e si plaçkitin pasurinë shtetërore. Lajmi ka edhe karakter lokal dhe ky i jep lajmit vlerë më të madhe. Pra, sa më afër emocionalisht të jetë ndodhia, aq më e madhe është vlera e lajmit.
7. Lajmi është plot dramë.
Në këto përgjime telefonike ka dramë. Kemi praninë e karaktereve jo të zakonshëm. E kjo ka vlerë të lartë për lajmin. Thyerja e normave, sjelljet e shfrenuara, përkatësisht largimi nga e zakonshmja dhe thyerja e ligjit, janë të mirëpritura nga mediat. Ndoshta ndodhia, në vetvete, ka më pak dramatikë e më shumë kriminalitet.
8. Lajmi ka të bëjë me personat elitë.
Edhe Ademi, edhe Hashimi, edhe Kadria janë “persona elitë”. Që të tre janë politikanë e udhëheqës shtetërorë dhe banditë, (sipas përgjimeve telefonike).
9 .Lajmi ka edhe qartësinë.
Bisedat telefonike, e që u bënë kryelajm, kanë përmbajtje të qartë dhe nuk kanë dykuptimshmëri.
Këto ishin disa nga veçoritë e sjelljeve të krerëve qeveritarë të Kosovës, që ndikuan që “afera e telefonatave të tyre” të shndërrohet në lajm të rëndësishëm për politikën dhe sociokulturën tonë.
Gjithsesi duhet të kemi kujdes e të mos harrojmë se lajmi është prodhim i njeriut. Lajmi është realitet i ndërtuar në mënyrë sociale. Pra lajmi nuk është objektiv. Ai gjithmonë ndërtohet nga dikush e për dikë.
Prandaj, për ca gazetarë disa çështje janë “më interesante” se tjerat. Mund edhe të thuhet se “e vërteta” nuk është e njëjtë për të gjithë. Dhe, se nuk ka ndonjë rregull të prerë për mënyrën se si do të «gatuhej» lajmi. Megjithatë, ndonjëherë, bindemi se është “një model” se si gazetarët (mirë)vlerësojnë, dhe se si këta i japin përparësi gjërave të rëndësishme për shoqërinë e për kombin.
Keni pyetur se përse Radio Televizioni publik i Kosovës (RTK) nuk i dha rëndësi publike këtij lajmi e kësaj ndodhie serioze të mbështjellë me elemente kriminale?
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...