Për çfarë stabiliteti flet kryeministri kur koalicioni qeveritar dështon pesë herë në parlament të votojë një ligj, siç është ai për rimëkëmbjen ekonomike? Një qeveri e tillë jo që nuk është stabile, por është edhe e dëmshme, sepse dëmton interesin e qytetarëve që janë ngopur me “përralla me stabilitet”.
Shkruan: Imer Mushkolaj
Kuvendi i Kosovës dështoi për të pestën herë që të votojë ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, duke shkaktuar pezm te qytetarët që presin tash sa muaj të përfitojnë nga pakoja qeveritare, si ndihmë në pandemi. Koalicioni qeverisës nuk po ia del tash sa kohë të sigurojë shumicën e thjeshtë në parlament, për të kaluar një ligj të rëndësishëm. Por, përkundër kësaj, kryeministri Avdullah Hoti po vazhdon të insistojë se qeveria e udhëhequr nga ai është stabile.
Për çfarë stabiliteti qeverisës flet kryeministri, kur koalicioni dështon pesë herë rresht të kalojë një ligj shumë të rëndësishëm për qytetarët? Në një situatë normale, në një shtet normal dhe me politikanë normalë, qeveria e tillë do të duhej të jepte dorëheqje, sepse bëhet e dëmshme për qytetarët, sepse dëmton interesin e qytetarëve. Por në Kosovë ndodh ndryshe. Fatkeqësisht.
Kur koalicioni i ri po krijohej, mezi u mblodhën 61 vota për ta jetësuar atë. Vota vendimtare u sigurua natën, nga presidenti dhe ish-kryeministri. Sapo u krijua, u tha se do të ishte qeveri e vendimeve të rëndësishme. Gati katër muaj pas krijimit, ky koalicion nuk po ia del të marrë një vendim të tillë për qytetarët, duke dështuar në mënyrë sistematike të votojë ligjin në Kuvend. Gati katër muaj pas krijimit, koalicioni rrezikon të mbetet madje pa shumicën e thjeshtë të deputetëve, asepse njëri nga ta, i 61’ti, duhet të vuajë dënim me burg.
Nëse kryeministri Hoti e konsideron stabilitet vetëm akomodimin e njerëzve në qeveri, atëherë është në rregull. Akomodimin e katër, pesë e gjashtë zëvendësministrave që nuk kryejnë ndonjë punë të hajrit, akomodimin e koordinatorëve e këshilltarëve. Por, nëse flet për qeveri në shërbim të qytetarëve, atëherë ajo që ai e udhëheq nuk është e tillë. Të paktën deri tash nuk është treguar e tillë.
* * *
Zakonisht kur bëhet fjalë për kalimin e ligjeve, përgjegjësi ka edhe opozita. Por, në këtë rast, nuk është politikisht korrekte që opozita t’i kalojë ligje një koalicioni, që nuk mbërrin as shumicën e thjeshtë.
E kuptueshme, është në interesin e qytetarëve që ligji për rimëkëmbjen ekonomike të kalojë sa më shpejt dhe me mbështetjen e të gjithë deputetëve. Por, është jokorrekte të fajësohet opozita pse nuk po i siguron votat për kalimin e ligjit, ndërkohë që vetë nuk janë kërkah.
Por, përderisa qeveria po dështon të jetë në shërbim të qytetarëve, po kaq po dështon edhe opozita me qasjen e saj joserioze karshi pushtetit. Përderisa Vetëvendosje ende pret nënshkrimet e PDK’së për të ngritur mocion mosbesimi, kjo e dyta nuk di si të veprojë dhe tash për tash po funksionon “as mish, as peshk”.
Zyrtarë të PDK’së kanë deklaruar disa herë se Qeveria Hoti është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin. Njësoj janë dëgjuar shumë herë të thonë edhe zyrtarë të Vetëvendosjes. Nëse është kështu, atëherë pse opozita lejon që vendi të qeveriset nga një koalicion i tillë? Pse rrezikon edhe më tej që t’iu shkaktohet dëm qytetarëve dhe të rrezikohen ata?
E qartë, gjithçka po bëhet për kalkulime politike, pavarësisht deklarimeve publike. Mbase kështu do të vazhdojë edhe një kohë. Megjithatë, çelësi është tek PDK’ja.
Nëse kjo parti i bashkohet koalicionit aktual, atëherë duhet të sqarojë se pse po bëhet pjesë e një qeverie “të dëmshme dhe të rrezikshme”? Nëse vazhdon të mbetet në opozitë, pa vepruar asgjë në drejtim të rrëzimit të qeverisë, atëherë si po e lejon të vazhdojë qeverisjen një koalicion “i dëmshëm dhe i rrezikshëm”? Dilema që mbase vetëm PDK mund t’i arsyetojë ndryshe prej logjikës së shëndoshë.
* * *
Kryeministri Avdullah Hoti edhe mund të marrë me vete në zyrë senduiçë të përgatitur në shtëpi, siç tregoi një ndër zëvendësit e tij. Por kur vjen puna te kalimi i ligjeve në Kuvend, kjo nuk ndihmon. Në Kuvend nevojiten vota, që duket se ky koalicion nuk i ka.
Në një situatë të tillë duhet kompromis. Sa është humbur kaq shumë kohë duke provuar mos, helbete, ligji kalon në seancën e radhës, punë më e mençur do të ishte që të provohet të gjendet një zgjidhje bashkë me opozitën. Kjo do të mund të arrihej duke përfshirë në ligj disa nga propozimet e të paktën njërës parti opozitare. Në këtë mënyrë qytetarët e bizneset më në fund do ta merrnin ndihmën e premtuar.
Por kjo nuk mund të ndodh përderisa vazhdon qasja arrogante e qeverisjes me mungesë numrash dhe me shumë rrahagjokës që shiten si ekspertë ekonomie. Deri atëherë, le të argëtohemi me lajmin për sanduiçët e kryeministrit me bukë të zezë dhe me përrallat me stabilitet.
Punëtorët e ‘Pastrimi’ thirrje për kryetarin Ram...
E krahasuan me Mourinho, Guadrdola: Unë kam gjashtë tituj, ...
Punimet në rrugën Shirokë-Zogaj, Rama: Po punohet me ritme t...
Çka është infrastrukturë kritike e Kosovës dhe kush e ruan?
Mbrojtësi i viktimave do t’i thërrasë dëshmitarët e vet pasi...
Certifikimi i subjekteve politike dhe dorëzimi i listës së k...