Shkruan: Sejdi Rexhepi
Këto ditë pothuajse brenda një jave ajo që nuk ishte bërë për 12-13 vite, paga minimale u rritë dy herë, dhe atë herën e parë nga 170€ në 264€ dhe pa u bërë një javë e plotë, nga 264€ në 350€.
Nëse e shikojmë matematikisht kemi të bëjmë me një rritje substanciale prej 105.9 %, që në çdo vlerësim real mund të merret si një hapë shumë i rëndësishëm në përmirësimin e shpërblimit për nivelin më të ultë të punës. Po a është vërtetë kjo rritje e mjaftueshme kur merret parasysh se pothuajse të gjitha vendet rajonit kanë paga më të larta se 530€ në përjashtim të Bosnjës dhe Hercegovinës që ka pagën minimale më të ultë prej 316€, dhe Shqipëria që ka pagën minimale 385€.
Reagimet e opinionit publik ishin më të ndryshme, por kryesisht kishin karakter të deklaratave politike e shumë pak të një analizë të parametrave mbi të cilët duhet të mbështete caktimi i pagës minimale. Madje edhe deklaratat e përfaqësuesve të punëtorëve (sindikatat) kishin karakter të deklaratave politike.
Në vend që rritjen e pagës edhe për këtë nivel, le të themi jo të mjaftueshëm, ta kapitalizojnë si një e arritur të tyre në raport me qeverinë dhe bizneset, ose më mirë me thënë si një e arritur e presioni sindikal që i kanë bërë qeverisë për përmirësimin e shpërblimit minimal për punën, ata u morën ma shumë me efektin politikë “të rritjes së vonuar” në raport me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Më të kujdesshmit në deklarata ishin përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve të cilët nuk u deklaruan shumë lidhur me arsyeshmërin e nivelit të lartësisë së pagës minimale prej 350€, sigurisht edhe për faktin se pagat minimale reale sot në pjesën më të madhe të bizneseve serioze, është përtej këtij niveli. Por, ma shumë kritikuan mungesën e bashkëpunimit të qeverisë, me sindikatat e punëtorëve dhe shoqatat e bizneseve dhe mënyrën administrative të marrjes së këtij vendimi.
Po shtrohet pyetja, a mund të përcaktohet paga minimale në mënyrë administrative? Kjo për faktin se vetë vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale ishte thjesht një vendim administrativ, por edhe për arsye se pati deklarata publike që niveli i tanishëm i pagës minimale prap është i ultë dhe se ajo duhet të jetë së paku 500€ e më shumë. Thjeshtë deklarata pa një analizë të kujdesshme të fakteve reale ekonomike dhe mundësive buxhetore mbi të cilat mbështetët përcaktimi i pagës minimale. Askush nuk e mori parasysh detyrimin ligjor që ka pagesa e pagës minimale për çdo biznes qoftë publik apo privat.
Supozojmë se paga minimale do të ishte përcaktuar në shumën prej 500€, atëherë shtrohet pyetja a do të ishin të gatshme të gjitha bizneset që të zbatojë një kërkesë të tillë ligjore, apo një pjese të tyre do të ju duhej të kalojnë në pagesa joformale, apo do të detyrohen që ta mbyllin biznesin. Ose sa do të ishte kostoja e një page minimale prej 500€ për buxhetin e shtetit, dhe nga do të siguroheshin ato para. Sigurisht nga taksat të cilat do të duhet ti paguajnë qytetarët. Po kështu ekziston një lloj shkallëzimi në mes të kategorive të ndryshme për punë sipas ndërlikushmëris, ekspertizës dhe shkathtësive teknike që ajo i kërkon. Nëse paga minimale do të ishte 500€, atëherë sa do të duhej të ishte paga e një menaxheri të teknologjisë informative, apo e një mjeku. Pra duke mos e kontestuar secilin argument, dua të theksoj se detyra e profesionisteve është që të bëjnë analiza profesionale pa marrë parasysh përkatësin politike, e jo kritika dhe kërkesa të përgjithësuara.
Ajo që ka ndodh që nga viti 2011 kur është përcaktuar paga minimale në shumë prej 170€ e deri në këtë vit, vërtetë ju ka mundësuar bizneseve që të abuzojnë me ofertën e tregut të punës dhe maksimalisht të eksploatojnë një pjesë të madhe të punëtorëve duke ju paguar paga tejet të ulta, të cilat kanë qenë nën nivelin e produktivitetit real të punës, e që as për afër nuk kanë mbuluar nevojat ekzistenciale të përfituesve dhe familjeve të tyre.
Paga e tilla të ulta kanë ulur motivin për punë dhe natyrisht një pjesë e madhe e atyre që kanë pas mundësi kanë lëshuar vendin dhe kanë migruar, një pjesë tjetër ma më dëshirë ka pranuar që të kalojë në skema sociale dhe të pranojnë një ndihmë se sa të punojë, dhe natyrisht të tjerët që nuk kanë pasur rrugëdalje kanë qenë të detyruar që të punojnë dhe të pranojnë të eksploatohen. Pra pagesa e pagës monetare nën nivelin e produktivitetit të punës së punëtorit nuk mund të shpjegohet ndryshe veç si eksploatim nga ana e punëdhënësve. Kur kësaj i shtohet edhe rritja e vazhdueshme e nivelit të çmimeve, atëherë çdo koment është i tepërt.
Natyrisht në rrethana të tilla të abuzimit me punëtorë, është dashur që të reagojnë edhe qeveritë e kaluara por edhe kjo e tanishmja shumë më herët, përmes rritje së pagës minimale. Kjo sigurisht do të rriste motivin për punë, por edhe shpresën për të ardhmen e cila te një pjesë e punëtorëve dhe e të rinjve ka qenë e venitur. Andaj nuk është befasi kur shohim të dhënat për numrin e banorëve të Kosovës tani dhe para 10 viteve.
Pra qëllim i pagës minimale është që të parandaloj abuzimin e punëdhënësve me ofertën e punës, në veçanti në periudha të krizave ekonomike, e në vendet e pazhvilluara edhe në mbrojtjen e një standardi minimal të jetesës. Qëllimi i pagës minimale është që të krijoj një “barazi minimale” shoqërore përmes eliminimit të t’ ashtuquajturës kategori e “të varfërve që punojnë”. Paga prej 170€ sigurish se nuk e ka arritë këtë qëllim. Ata që kanë pranuar të punojnë me këtë pagë kanë jetuar në varfëri me vetëm 5.67€ në ditë. Merreni me mend nëse përfituesi i saj ka qenë mbajtës i një familje prej 4 anëtarëve, familja e tij ka jetuar në varfëri të skajshme!.
Po a mund ta arrijë qëllimin e eliminimit të kategorisë së të “varfërve që punojnë” paga minimale prej 350€, në rrethanat e një rritje të vazhdueshme të çmimeve kur dihet se paga minimale plotësisht harxhohet për plotësimin e nevojave për ushqim dhe veshmbathje? Kjo është pyetja të cilës përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve është dashur analizuar dhe dhënë përgjigje të menjëhershme pas deklarimit të vendimit të qeverisë për pagën minimale prej 350€. Por kjo nënkupton analizën e kostos së jetesës, apo shportës së konsumit të një familje mesatare dhe krahasimin e saj me pagën minimale.
Vetëm atëherë sindikata me kompetencë do të mund të mbrojnë interesat e punëtorëve. Një analizë të tillë është dashur që ta bëjë edhe qeveria para se të marrë vendim për madhësinë e pagës minimale, sepse vetëm kështu mbron dhe përfaqëson interesin e qytetarëve të vendit. Një analizë të tillë nuk mund të presim që do ta bëjnë përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve, sepse në ekonominë e tregut, qëllimi i të bërit biznes është profiti, dhe natyrisht bizneset sa herë që kanë mundësi do të përfitojnë nga mundësit që i ofron oferta e tregut të punës. Andaj, Qeveria duhet të marrë edhe rolin e rregullatorit sa herë që “tregu i lirë” për arsye të ndryshme “deformohet”.
Një nga qëllimet tjera të përcaktimit të pagës minimale është në veçanti mbrojtja e të rinjve nga eksploatimi. Duke qenë të papunë dhe duke mos pasur përvojë pune, të rinjtë janë të detyruar që të pranojnë thuajse çdo ofertë pune. Kjo natyrisht ju ulë motivin dhe ambiciet. Pagat e ulta për vite me radhe bënë që në mënyrë të vazhdueshme një pjesë e popullsisë të migroj në vendet perëndimore, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të rinjë. Pra në përcaktimin e pagës minimale duhet të merren parasysh shumë faktor.
Pra përcaktimi i drejtë i pagës minimale është më rëndësi shumë të madhe edhe për faktin se të gjitha kategoritë tjera të kompensimit e kanë atë si pikë orientuese. Ashtu që caktimi administrativ i saj mund të jetë me pasoja për funksionimin normal të tregut “të lirë” të punës. Nëse është nën niveli e pagës së ekuilibrit të ofertës dhe kërkesës për punë, ajo mund të ulë motivin për të kërkuar punë dhe të papunët ma më dëshirë pranojnë një asistencë sociale se sa të pranojnë që të punojnë me një pagë e cila pak dallon nga shuma e kompensimit për asistencës, ose ma më dëshirë do të migrojnë.
Po kështu pagat e ulta i bëjnë vendet e punës të paqëndrueshme ashtu që ndikojnë negativisht në produktivitetin e punës të punëtorëve, të bizneseve dhe të ekonomisë në tërësi. A është paga minimale prej 350€ mjaftueshëm motivuese për tregun e punës, është një pyetje të cilës duhet dhënë përgjigje Sindikatat e punëtorëve të cilat natyrisht se duhet dhënë një “miratim” të kufirit më të ultë të sajë, por bazuar në të dhëna dhe analiza reale, jo deklarime të përgjithësuara.
Anasjelltas, nëse paga minimale caktohet mbi nivelin e pagës së ekuilibrit të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, ajo do të rrisë koston e punës ashtu që kërkesa për punë do të bie dhe natyrshëm do të rritet papunësia. A kemi një analizë se si do të reagonin bizneset nëse paga minimale do të caktohej në nivelin prej 500€, dhe sa kjo do të ndikonte në kërkesën për punë dhe në zhvillimin e bizneseve? Nëse paga minimale për punën që nuk kërkon shkathtësi të veçanta do të ishte 500€ sa do të duhej të ishin pagat që kërkojnë përgatitje profesionale dhe shkathtësi të veçanta.
Duke qenë se paga minimale është “pikë orientuese” për të gjitha kategoritë tjera të punës, atëherë shtrohet pyetja a ka mundësi buxhetore Qeveria që të përballoj një rritje të tillë të dhënieve publike. Sigurisht për këtë nivel të pagës duhet pasur një miratim edhe nga Qeveria edhe nga Shoqatat e Bizneseve, sepse buxhetet e tyre “atakohen”. Përcaktimi i pagës minimale në shumë pre 350€ “nënkupton” në mënyrë logjike që paga për punë më të ndërlikuara që kërkojnë shkathtësi të veçanta në sektorin publik do të rriten. Kur merret parasysh rritja e vazhdueshme e çmimeve, kjo sigurisht do të duhet të ndodh në ditët në vijim!.
Pra përcaktimi i pagës minimale nuk është vetëm një “vendim i thjesht” administrativ, por është një detyrë dhe vendim shumë kompleks. Si do që të jetë, në përcaktimin e pagës minimale kriter bazë është paga mesatare në ekonomi. Në ekonomitë e zhvilluara paga minimale sillet nga 40 deri në 60% të pagës mesatare. Por në periudhën e krizave ekonomike dhe në veçanti në vendet e pazhvilluara, caktimi i pagës minimale vetëm duke u bazuar në pagën mesatare, mund të bëjë që shuma e fituar e pagës minimale të mos jetë e mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve elementar për jetë të përfituesve të saj.
Kjo rrjedh si rezultat i asaj që shuma e pagës mesatare në ekonomi shpesh mund të jetë “e deformuar”, për faktin se statistikat zyrtare shpesh nuk e prezantojnë realitetin e pagës monetare të paguar nga bizneset. Le të nisemi nga rasti i pagës minimale kur ishte 170€. Bizneset për ti ikur obligimeve për tatim dhe kontribute, sa herë që kanë pasur mundësi kanë kalkuluar dhe deklaruar zyrtarisht paga shumë të ulta, në ndërkohë që një pjesë të punëtorëve i kanë paguar për diferencën me para të gatshme.
Kalkulimi i pagës mesatare në ekonomi nga këto të dhëna zyrtare jep një pamje jo të drejtë të pagës reale mesatare. Në rrethanat e tilla duhet të merren parasysh edhe faktor të tjerë siç janë; kostoja e jetesës, ecurit e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, kostoja e shportës së konsumit të një familje mesatare, rrethanat ekonomike në vend, shkalla e produktivitetit të ekonomisë, etj. Prandaj, për caktimin e shumës së pagës minimale duhet të ekzistoj një pajtueshmëri në mes të Sindikatave të Punës që mbrojë interesat e punëtorëve, Shoqatave të bizneseve që mbrojë interesat e bizneseve dhe Qeverisë që mbron interesat e përgjithshme të vendit.
Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”
Nis votimi i 128 amendamenteve, opozita lëshon sallën
Akuzohet për krime lufte në Gaza/ Lëshohet urdhër arrest për...
Haxhiu: Gjykata Kushtetuese qëllimshëm po e pengon reformën ...
Nëna e 14-vjeçarit të vrarë në Tiranë: Martini ishte i mbush...
Pasivizimi i adresave, BE: Kemi parasysh shqetësimet e shqip...
Vullneti, Gresa dhe Xuxi komentojnë banorët për festën mbrëm...