Nga: Misha Glenny
Termat mund të mos jenë më politikisht korrektë, por qeveritë perëndimore vazhdojnë të luftojnë paralelisht, si terrorizmin, ashtu edhe drogat. Tani është koha që ato ta shohin të vërtetën në sy: vazhdimi i luftës me këto të fundit e bën të pamundur fitoren kundër të parit. Nga Afganistani në Magreb, nga Meksika në Londër, terroristët dhe bandat e dhunshme varen nga të ardhurat e përfituara prej tregtisë së paligjshme të drogave. Miliardat e harxhuara nga Amerika dhe aleatët e saj për luftën në Afganistan, që nga viti 2001, nuk i kanë shkatërruar talebanët. Përkundrazi, fondet nga shitja e heroinës e kanë bërë grupin, më të fuqishëm se kurrë.
Edhe më i pakuptimtë është ndalimi i narkotikëve. Qëllimi kryesor i kësaj politike ka qenë një dështim thuajse i plotë qyshkur u shpall në vitet 1920. Asnjë qeveri, përveç Koresë së Veriut, nuk i ka kapacitetet për të ndaluar tregtinë e drogës. Në Mbretërinë e Bashkuar, organet ligjzbatuese kapin 10-20 për qind të drogave të paligjshme, para se ato të prekin tregun. Për t’i ndërprerë në mënyrë domethënëse të ardhurat nga tregtia e drogës, ato duhet të sekuestrojnë afërsisht 60 për qind të sasisë. Pyetini të rinjtë sa të lehtë e kanë për të blerë drogë dhe shumica do të përgjigjen se nuk është më e vështirë sesa blerja e alkoolit.
Lëvizja e kokainës dhe marijuanës përmes Afrikës Perëndimore dhe Magrebit u ka shtënë në duar një mal me para organizatave të ndryshme të lidhura me al-Kaedën dhe ISIS-in. Qeveritë e Perëndimit e kanë të pamundur ta ndalin vërshimin e drogës në qytetet e tyre, dhe nga kjo përfitojnë disa nga njerëzit më të këqij të botës. Por ky nuk është fundi i problemit. Terroristët e “prodhuar” në Britani dhe Francë shpesh indoktrinohen në burg, pasi janë dënuar për vepra të lidhura me drogën apo krime të tjera të vogla. Rekrutuesit radikalë islamikë me kohë e kanë kuptuar se burgjet janë një mjedis i përkryer për gjetjen e elementëve të nevojshëm. Nëse të rinjtë nuk kyçen pas hekurave për shkelje të vogla me drogën, ky burim ekstremizmi do të ndërpritej.
Ndryshimi i ligjeve ndaj drogave nuk është thjesht dhe vetëm flakje e një politike që nuk ka funksionuar kurrë (në fakt vepron në dëm të shoqërisë sonë). Kjo do të kishte edhe efekte pozitive financiare. Për këtë kemi prova nga shtetet amerikane që e kanë legalizuar marijuanën. Në vitin e fundit fiskal, për shembull, Koloradoja mblodhi 70 milionë dollarë nga taksa e shitjes së marijuanës, në një popullsi prej vetëm 5.5 milionë banorësh. Sikur marijuana të legalizohej në Mbretërinë e Bashkuar, përfitimi nga taksa do të arrinte në rreth një miliard stërlina në vit.
Por ky është vetëm fillimi. Ndalimi i drogave në Mbretërinë e Bashkuar sjell kosto të mëdha sociale dhe ekonomike. 15 për qind e të burgosurve janë dënuar për krime të lidhura me drogën, por më shumë se gjysma e të dënuarve pranojnë se krimi i tyre lidhej me një zakon droge. Reformimi i ligjeve të drogave mund të nxjerrë nga burgu 40 mijë, nga 87 mijë të dënuarit në Britani. Duke hequr mënjanë shpenzimet për policinë dhe gjyqet, kostoja e mbajtjes së një të burgosuri është 40 mijë stërlina në vit. Në këtë mënyrë kursehen 1.5 miliard stërlina të tjera. Përfitimet rriten edhe më tepër nëse policia lirohet nga barra e ndjekjes së përdoruesve të drogës, pjesa më e madhe e të cilëve janë përdorues të zakonshëm me moshë 16-24 vjeç. Këto para mund të përdoren për të luftuar terrorizmin, mes shumë të tjerash. Buxhetet për sigurinë nuk kanë qenë kurrë më të shtrënguara sesa sot. Policia Metropolitane po rropatet ta mbajë numrin e efektivëve në mbi 30 mijë, minimumi i nevojshëm për një qytet kaq të madh sa Londra. Agjencia Kombëtare e Krimit, versioni britanik i FBI-së, është krejtësisht e çoroditur dhe e pasigurt për rolin e vet. Shërbimet e Zbulimit, MI5 dhe MI6, janë në siklet, pasi u duhet të harxhojnë kohë dhe para për ndjekjen e elementëve me profil të ndryshëm nga kandidatët e shkuar të shtresave elitare studentore (Oksbrixh). Për shembull, pjesëtarët e bashkësive të vogla të Britanisë.
Pothuajse në çdo sektor tjetër, kancelari Xhorxh Osborn i ka bërë sytë katër. Reformimi i ligjeve të drogave do të ofronte një çmim të madh financiar. Po të ecet sipas shembullit të Zvicrës dhe Portugalisë, dekriminalizimi do të çonte edhe në ulje të konsumit të drogave.
Qeveria e re e Kanadasë pritet ta legalizojë përdorimin e marijuanës për rekreacion dhe Britania duhet të bëjë të njëjtën gjë. Krizat me të cilat përballemi sot janë kaq serioze, saqë kundërshtimi i reformës në ligjet e drogave është jo thjesht politikë e keqe, por kryekëput imorale.
(Misha Glenny është autor i librit “Nemesis: Një njeri dhe Beteja për Rion”. Marrë nga “Financial Times”)
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...