NGA AKRI ÇIPA
Shtatorin e kaluar, deklarata e Hashim Thaçit, Presidentit të Kosovës, se ai do të hapte ambasadën në Jeruzalem nëse Izraeli do e njihte Kosovën si një shtet sovran u shpërnda gjerësisht nga mediat izraelite. Deklarata e Presidentit Thaçi ishte vetëm një nga disa përpjekje të zyrtarëve kosovarë për të bindur Izraelin të tejkalojë hezitimin e deritanishëm dhe të njohë shtetin më të ri në Ballkan. Pavarësisht se ishte një pohim disi populist, sugjerimi themelor se Izraeli do të fitonte një mik duke njohur Kosovën fton për reflektim.
Këtë vit, Kosova festoi 11 vjetorin e pavarësisë nga Serbia – pas shpalljes së njëanshme të vitit 2008. Kosova – popullsia e së cilës është mbi 90% etnikisht shqiptare, është njohur nga më shumë se 110 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe shumicën e vendeve perëndimore. Megjithatë, Serbia, e mbështetur nga Rusia, refuzon të njohë Kosovën dhe është përpjekur në mënyrë aktive për ta bllokuar atë nga integrimi në organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara.
Izraeli është në grupin e vendeve që ende nuk e njohin Kosovën si një vend të pavarur. Dy vendet nuk kanë marrëdhënie zyrtare me njëra-tjetrën. Ngurrimi i Izraelit për të njohur Kosovën është pjesërisht i motivuar nga frika se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës mund të përdoret si precedent në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez. Megjithatë, faktet tregojnë që nuk ka bazë për frikë të tillë.
Pavarësia e Kosovës është e bazuar në aspiratën për vetëvendosje të popullsisë së saj pas fushatës së spastrimit etnik që Serbia zhvilloi kundër këtij rajoni të mëparshëm autonom dhe që u ndalua nga ndërhyrja ndërkombëtare. Bisedimet e udhëhequra nga OKB midis 1999 dhe 2008 duke nxitur një zgjidhje përfundimtare për konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë dështuan për shkak të refuzimit serb. Nuk mund të ketë krahasim në këtë rast me konfliktin izraelito-palestinez, ku tejzgjatja e konfliktit vjen kryesisht për shkak të refuzimit në shumë raste të udhëheqjes palestineze për kompromis.
Për më tepër, shpallja e pavarësisë së Kosovës është mbështetur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND). Në Opinionin e saj Këshillimor në vitin 2010, pas kërkesës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, GJND-ja vuri në dukje se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel asnjë ligj ndërkombëtar. Rasti sui generis i Kosovës është argumentuar herë pas herë. Megjithatë, argumenti më i pakundërshtueshëm ndaj analogjive të mundshme midis kontekstit Kosovë-Serbi dhe konfliktit izraelito-palestinez është refuzimi i Autoritetit Palestinez për pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen e qartë për Serbinë. Ky qëndrim varros në vetvete të gjitha pretendimet e mundshme që Kosova mund të përdoret si precedent për rastin palestinez.
Faktori tjetër i rëndësishëm që ka ndikuar në qasjen e zyrtarëve izraelitë për Kosovën ka qenë plasaritja hipotetike që kjo njohje do të shkaktonte në marrëdhëniet midis shtetit të Izraelit dhe Serbisë. Por marrëdhëniet serbo-izraelite kanë pasur problemet e tyre. Në shumë raste, Serbia ka mbështetur palestinezët dhe aleatët e tyre në OKB. Vitin e kaluar, Serbia kritikoi ashpër Izraelin për pjesëmarrjen në një ceremoni në Kroaci. Por, marrëdhënia midis dy vendeve ka treguar se është e qëndrueshme dhe i ka kapërcyer këto përplasje. Njohja izraelite e Kosovës, sipas të gjitha gjasave, do jetë po aq e kapërcyeshme për marrëdhëniet izraelito-serbe. Në fund të fundit, shumica e vendeve demokratike perëndimore e njohin dhe mbështesin në mënyrë aktive pavarësinë e Kosovës dhe Serbia vazhdon të ketë marrëdhënie miqësore me ta.
Së fundmi, njohja e Kosovës do të përbënte një mik të shtuar për Izraelin. Përveç deklaratave zyrtare, shqiptarët në përgjithësi kanë një simpati të thellë për bashkësinë hebraike dhe shtetin hebre, i cili manifestohet edhe në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe shtetit të Izraelit. Kjo marrëdhënie mes shqiptarëve dhe hebrenjve u forcua në tragjedinë e Holokaustit, kur shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë refuzuan t’i dorëzonin anërarët e komuniteteve lokale hebreje te Italia fashiste dhe Gjermaninë naziste; ndërkohë që ndihmuan shumë refugjatë hebrenj që iknin nga Evropa Qendrore dhe Jugore duke u ofruar atyre ushqim dhe strehim. Dhe kjo lidhje u përforcua në vitin 1999 kur, gjatë spastrimit etnik të kryer në Kosovë nga Serbia, Izraeli mirëpriti refugjatët shqiptarë.
Këtë javë, më 11 qershor, Kosova festoi kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e saj nga Kosova. Ky kapitullim bëri të mundur që një milion refugjatë që ikën nga Kosova gjatë luftës, duke përfshirë ata që përkohësisht gjetën strehë në Izrael, të kthehen në shtëpi. Por, në të njëjtën kohë, ishte momenti përcaktues që i vuri në lëvizje rrotat e historisë dhe çoi në realitetin e ri të pavarësisë së pakthyeshme të Kosovës. Nëse ka diçka që edhe kritikët e tij gjithmonë e pranojnë, kryeministri Benjamin Netanjahu e ka udhëhequr Izraelin përmes një qasjeje realiste dhe pragmatike drejt zgjerimit të listës së miqve të Izraelit në arenën botërore. Duke njohur Kosovën tani, Izraeli jo vetëm që do të bënte drejtësi ndaj realitetit, por do të shtonte edhe një emër në atë listë.
Shkrimtari është një ekspert për çështjet e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Shkrimi është botuar fillimisht në anglisht në Jerusalem Post.
Leo e pranon hapur: Kam pëlqim për Lelën dhe po përshtatemi ...
Banka Botërore: Libani ka pësuar dëme prej 8.5 miliardë doll...
Anglia bindëse ndaj Greqisë, rikthehet në pozitën e parë në ...
Apple nuk është i interesuar për unazat inteligjente
Mijëra Tesla Cybertrucks largohen prej tregut shkaku i defek...
6 këshilla për Black Friday