Nga: Ksenofon Krisafi
Territori i Kosovës si tokë shqiptare është e dhembshur dhe e dashur për çdo shqiptar, kudo që është. Fakti që ai është element shtetformues i Kosovës është rrjedhojë e anomalisë së rëndë politiko-diplomatike e historike që e la atë jashtë trungut të shtetit amë dhe që u korrigjua disi me shpalljen e pavarësisë së saj. Prandaj, është e drejta e çdo shqiptari që të shprehet për debatin lidhur me përcaktimin e vijës së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Nuk mund të mohohet se në favor të krijimit të shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkan, kësaj here ishte faktori ndërkombëtar, ai që 104 vjet më parë e copëtoi Shqipërinë dhe la jashtë Kosovën, trojet shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe territore shqiptare në Greqi.
Sot flitet shpesh se është faktori ndërkombëtar që i kërkon Kosovës përfundimin e marrëveshjes për caktimin e kufirit me Malin e Zi. Në parim kërkesa është normale, sepse integrimi në bashkësinë ndërkombëtare presupozon shmangien e të gjithë faktorëve që mund të sjellin konflikte. Lënia e hapur e premisave për keqkuptime ose për spekulime nëpërmjet interpretimeve të ndryshme, do të bëhet shkak për cenimin e rendit dhe stabilitetit ndërmjet dy vendeve, si dhe në rajon e më gjerë.
Por, faktori ndërkombëtar, që këmbëngul për eliminimin e këtij shkaku potencial, nuk kërkon përfundimin e një marrëveshjeje të keqe, të padrejtë, që shkel parimet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, siç janë respektimi i tërësisë territoriale dhe sovranitetit, barazisë së palëve, mosndërhyrjes në punët e brendshme etj. Faktori ndërkombëtar kërkon marrëveshje, por nuk dikton dhe nuk imponon cenimin e interesave të Kosovës. Prandaj, nuk ka motiv që disa prej drejtuesve të udhëheqjes së saj të pranojnë një marrëveshje që cenon territorin e Kosovës. Përkundrazi, ata duhet të zbatojnë me skrupulozitet të gjitha kërkesat, kriteret dhe kushtet shkencore, teknike, topografike, historike, juridike etj për përcaktimin e vijës së kufirit.
Përcaktimi i kufijve midis shteteve hyn në grupin e atyre çështjeve madhore në jetën e popujve që nuk janë dhe nuk mund të jenë ekskluzivitet i politikës. Ato i përkasin të drejtës themelore të vetë popujve, të cilët janë të vetmit që duhet të vendosin. Politika duhet të bëhet shprehëse e aspiratave dhe vullnetit të tyre, duke ngritur komisione e grupe pune, me specialistët më të mirë, vendas e të huaj, nga të gjitha fushat që kanë të bëjnë me kufijtë. Është çështje që kërkon dijet dhe ekspertizën e disa dhjetëra njerëzve dhe jo të pak vetëve. Kjo, duket se nuk është bërë, sepse mjafton t’i referohemi vetëm një veprimtarie të zhvilluar në Tiranë, më 10 qershor 2016, në kuadrin e 138-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku një numër profesorësh eminentë nga këto fusha argumentuan me prova të pakontestueshme se ajo që është bërë në atë që e quajnë “Marrëveshja e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi” dhe që ua kanë vënë përpara deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ratifikim, ka të ngjarë të ketë shkelur interesat e popullit të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe, si e tillë, nuk duhet ratifikuar.
Ky ishte mendimi, thellësisht i argumentuar i profesorëve nga Kosova Zymer Neziri, Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi, që ua ka rezultuar e vërtetuar shkencërisht nëpërmjet hartave, se me vijën e përcaktuar, rrezikohet të humbasin më shumë se 8000 hektarë nga territori i Kosovës, argumente që u plotësuan edhe nga hartografi nga Shqipëria, profesori Myslim Pasha. Një grup argumentesh të fuqishme me karakter juridiko-ndërkombëtar dhe historik u sollën edhe nga specialistët e kësaj fushe, profesori i Kosovës Zejnullah Gruda dhe kolegët e tij nga Shqipëria.
Punimet e këtij aktiviteti mund t’i shërbejnë shumë mirë Qeverisë së Kosovës për ta rishqyrtuar edhe një herë me gjakftohtësi, objektivitet dhe pa pasione politike tekstin e marrëveshjes, duke e ballafaquar me dokumentet e tjera tepër interesante të ekspozuara në këtë takim. Në këtë mënyrë Kuvendit të Kosovës do t’i viheshin në dispozicion argumente të rëndësishme që, në njëfarë kuptimi, përfaqësojnë mendimin e mirëfilltë shkencor, i cili rezulton i ndryshëm nga ai i grupit të punës së Qeverisë, çka do t’i ndihmojë deputetët për të gjykuar realisht për marrëveshjen.
Kjo do të ishte në pajtim edhe me deklarimin më të fundit të presidentit të Kosovës, Z. Hashim Thaçi, i cili pak ditë më parë tha se debati rreth kufijve të Republikës së Kosovës me Malin e Zi është një temë e nevojshme për rritje të transparencës para qytetarëve, debat ky që i është mohuar padrejtësisht qytetarëve të Kosovës prej një viti. “Përcaktimi i kufijve është një nga kriteret e shtetësisë (juridikisht duhet thënë shtetshmërisë) dhe është çështje e rëndësisë së veçantë për integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës duhet të përmbushë këtë kriter dhe të bëjë përkufizim të qartë të territoreve të saj me të gjitha vendet me të cilat kufizohet”. Me këtë rast ai u bëri ftesë të gjithëve për debat duke besuar se debati do të sjellë më tepër unitet politik dhe qytetar. Por, më tej gati-gati e zhvleftësoi pohimin e mësipërm sepse shtoi që “Çështja e demarkacionit si problem nuk ekziston”. Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore ka përfunduar punën e shënjimit të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me Malin e Zi. “Kjo ka rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi vitin e kaluar. Të gjitha referencat faktike dhe juridike tregojnë qartazi se me këtë marrëveshje Republika e Kosovës nuk humb asnjë pëllëmbë të territorit të saj.
Ky pohim duket sikur është marrë copy-paste nga blasfemitë e pafundme të ish-kryeministrit shqiptar dhe ministrave të kabinetit të tij ndaj shkencëtarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe njerëzve të zakonshëm, në rastin e marrëveshjes së paqenë të caktimit të kufijve të shelfit kontinental dhe zonës ekonomike ekskluzive midis Shqipërisë dhe Greqisë, në vitin 2009, në Detin Jon. Ata dhe shpura përreth tyre thoshin se nuk ishte cenuar asnjë pëllëmbë, por rezultoi se ishin kaluar disa qindra km² territor. Z. Thaçi thotë më tej se burimi i dokumentacionit është në vazhdimësi dhe zyrtar nga viti 1974, 1988, 2008 e deri më 2015”.
Në fund përsërit sloganin se ratifikimi i marrëveshjes së kufirit shtetëror mes dy vendeve tona është në interesin e dy popujve tanë, të fqinjësisë së mirë, frymës euroatlantike dhe jetik për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Nëse do të rezultojë e vërtetë ajo që thonë kundërshtarët e marrëveshjes, ky episod do t’u shtohet akteve të tjera të shëmtuara të ndërmarra dikur nga Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu dhe Shefqet Vërlaci deri në Luftën e Dytë Botërore, që, për interesat e tyre shitën gjithë Shqipërinë ose pjesë të saj.
Nuk mund të justifikohet marrja e vendimit për një çështje kaq madhore me arsyetimin se na kërkohet nga Evropa, e cila nëse nuk bëhet nuk na heq vizat e lëvizjes së lirë në BE. Ajo ka të bëjnë me integritetin territorial të vendit, të atij vendi që është gjymtuar maksimalisht nga Serbia dhe Mali i Zi, që kanë marrë sa kanë dashur toka shqiptare në të kaluarën, falë zemërgjerësisë së Fuqive të Mëdha dhe që ndonjë edhe sot, duke folur në emër të tyre, kërkon t’u japë sërish. Në këtë pikë le t’i referohemi prof. Rexhep Qoses, i cili në një letër drejtuar ambasadorëve të huaj, për këtë ngjarje, thotë: “Nuk vihet ashtu lehtë, ashtu krye më vete, ashtu papërgjegjshëm, pa u këshilluar as në Kuvend, as në popull, nënshkrimi për marrëveshje të tilla, që kanë të bëjnë me të sotmen e të ardhmen e Kosovës. Përvoja tragjike historike e ka bërë popullin shqiptar të jetë pamatshëm i ndjeshëm, pamatshëm i frikësuar ndaj ‘marrëveshjeve’ të tilla”.
Prandaj, në këtë rast kërkohet më shumë se maturi, kërkohet reflektim i thellë dhe gjykim i shëndoshë larg formave standarde procedurale. Kërkohet një shikim dhe gjykim i gjerë i çështjes. Kalimi i saj në Kuvend për ratifikim nuk duhet të bëhet thjesht për noterizim, certifikim formal, por për një shqyrtim më objektiv, më autoritar, më të thellë, më kompetent, nga organi më i lartë i shtetit, për dëgjimin e mendimeve pro e kundër si dhe gjithë argumenteve në mbështetje të tyre. Ky është kuptimi dhe thelbi i ratifikimit sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe dispozitave kushtetuese dhe akteve të tjera juridike në Republikën e Kosovës.
Parimisht pranohet mundësia e gabimit gjatë negociatave dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, gabime të kryera nga pakujdesia, nga përdorimi i formave të paligjshme të imponimit fizik ose psikik, nga mashtrimi, gënjeshtra, komprometimi etj. Nëse ka dyshime për veprime të tilla, është Kuvendi dhe deputetët e tij ata që bëjnë korrigjimet përkatëse. Raste të tilla nuk mungojnë në praktikën ndërkombëtare. Presidenti Uillson nënshkroi Traktatin e Paqes së Versajës dhe Statutin e Lidhjes së Kombeve, në fundin e Luftës së Parë Botërore dhe Senati e hodhi poshtë. Shqipëria nënshkroi marrëveshjen me Greqinë për ndarjen e hapësirave detare dhe Gjykata Kushtetuese e gjeti atë me shkelje të rënda parimore kushtetuese e juridike dhe e hodhi poshtë. Ja, pra disa precedentë dhe motive pse duhet riparë dhe diskutuar gjerësisht në Kuvend marrëveshja përpara se të ratifikohet dhe të hyjë në fuqi.
Grupi i punës dhe vetë delegacioni i Kosovës në negociata nuk kanë mbështetjen e duhur juridiko-ndërkombëtare që të pranojnë si kriter vetëm vijën e kufirit të vitit 1974, sepse deri në 1999 Kosova dëgjohej pak ose aspak në ish-Jugosllavi, aq më tepër për çështje kufijsh. Kufijtë e saj ishin hequr sipas vullnetit dhe interesave të Serbisë dhe republikave të tjera ish-jugosllave. Tani që Kosova ka dalë si shtet më vete dhe i duhet të përcaktojë kufijtë shtetërorë ka gjithë të drejtën e vet, të mbështetur në akte të pafundme juridiko-ndërkombëtare, zakonore e konvencionale, dy e shumëpalëshe për t’iu referuar të vërtetave të pamohueshme. Kështu ka ndodhur me përcaktimin e kufijve ndërmjet shumë shteteve, të cilët për të gjetur të vërtetën kanë zbritur thellë në histori (jo në kuptimin e të ashtuquajturës të drejtë historike, me të cilën abuzuan pa fund serbo-malazezët dhe grekët në punimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në 1912-1913 për të rrëmbyer toka shqiptare).
Nga ana tjetër është rasti që Kosova dhe Mali i Zi t’i referohen praktikave, kritereve dhe procedurave progresive që janë përdorur e përdoren nga shtetet e tjerë, duke përfshirë sidomos ata që dolën nga ish-Jugosllavia, pas shpërbërjes së saj. Është dëgjuar të thuhet se Mali i Zi është i gatshëm ta rinegociojë marrëveshjen nga e para, çka jep mundësi që gjithçka të rishihet dhe, me këtë rast, të kërkohet mirëkuptim për korrigjimin e mangësive të vërejtura. Grupi i punës mund të mbështetet sidomos tek botimi më i fundit i prof. Zejnullah Grudës, “Kufijtë në dëm të shqiptarëve”, që është një vepër me vlera të pakontestueshme shkencore, me karakter juridiko-ndërkombëtar dhe historik. Prof. Gruda, krahas prof.Arben Putos, është afirmuar prej kohësh si një ndër studiuesit më seriozë e më kompetentë të së drejtës ndërkombëtare jo vetëm në hapësirat shqiptare, por edhe më gjerë. Argumentet e fuqishme, precedentët e shumtë dhe arsyetimet bindëse që ai sjell në këtë botim janë më se të mjaftueshme edhe për deputetët, Kuvendin e Kosovës dhe eventualisht për delegacionin që mund të rinegociojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Do të ishte mirë të mbahet parasysh konkluzioni i tij se “çfarëdo shmangie nga vija e Çakorrit, Qafa e Diellit, Kulla etj, jo vetëm nuk kanë mbështetje në faktorë gjeografikë, hidrologjikë, në histori, në parimin etnik, në arsye ekonomike, në arsye strategjike, por përkundrazi përbën shkelje të vrazhdë të të gjitha parimeve progresive dhe rregullave elementare të së drejtës ndërkombëtare dhe s’janë gjë tjetër veçse vazhdim i politikave gllabëruese të qarqeve imperialiste të fqinjëve”.
(Autori është profesor i të drejtës ndërkombëtare, ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë zyrave të OKB-së dhe të OBT-së në Gjenevë, kryetar i Komisionit për Shenjimin e Kufirit Tokësor me Greqinë)
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...