Shkruan: Milazim Krasniqi
Trazirat e marsit 2004 i vunë pikë në mënyrë të hidhur dhe të përgjakshme konsumimit të lirisë së fituar pesë vjet më parë, si një racion i cili në fillim dukej i vetëmjaftueshëm, edhe pse nuk përmbushte nevojat dhe kërkesat elementare jetësore dhe politike të qytetarëve të Kosovës. Adresimi i dhunës së protestuesve shqiptarë, edhe ndaj personelit dhe pasurisë së UNMIK-ut, është tregues i harxhimit të kësaj ndjenje, në pako me kredibilitetin e prezencës civile ndërkombëtare në Kosovë, që pas këtyre zhvillimeve tragjike pashmangshëm duhet të ndërrojë formë dhe përmbajtje. Ndërsa, konflikti ndërmjet bllokuesve serbë të rrugëve dhe protestuesve shqiptarë, vetëm sa tregoi se raportet ndërmjet shqiptarëve e serbëve edhe pesë vjet pas mbarimit të luftës, kanë ngelur armiqësore dhe me potenciale të mëdha të konfliktualitetit. Edhe pse ky konfliktualitet ka histori të gjatë, mbi njëqind vjeçare, moszbutja simbolike e tij ka të bëjë edhe me politikat joadekuate që janë zbatuar nga UNMIK-u dhe nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, veçmas me lejimin e strukturave paralele dhe me ndarjen faktike të Kosovës. Mbajtja e status quo-së së projekteve plotësisht antagoniste, pa dhënë asnjë shenjë të qartë se cili do të jetë procesi politik që do të rezultojë me statusin juridik dhe politik të Kosovës, ka inkurajuar ideologji dhe projekte ekstreme. Projekti për mbajtjen e Kosovës në Serbi dhe projekti rezervë për ndarjen e saj nga ana serbe, ka krijuar edhe struktura parashtetërore që funksionojnë të papenguara. Ndërsa, projektet politike për bashkimin e trojeve shqiptare, ende kanë mbetur në kuotat e deklaratave politike, por duke u inkurajuar vazhdimisht nga jostabiliteti permanent i Kosovës dhe nga zbehja e projektit të moderuar të pavarësisë së Kosovës.
Shkalla e trazirave të marsit, e parë në këtë ambient konfliktualiteti dhe jostabiliteti permanent, shënoi fundin e iluzioneve të të tri palëve se mund të realizojnë në mënyra të njëanshme projektet e veta. UNMIK-u ka dështuar në mbajtjen me inercion të status quo-së. Po ashtu ka dështuar në realizimin e standardeve për Kosovën, sepse në fakt vetë nuk ka realizuar me sukses obligimet e veta, që dalin nga rezoluta 1244, për administrimin e tërë Kosovës, për zhvillimin ekonomik dhe për aftësimin e institucioneve të përkohshme për qeverisje efikase.
Shqiptarët e Kosovës kanë dështuar në synimin që të eliminojnë potencialin bllokues të serbëve të Kosovës dhe të Serbisë në Kosovë, qoftë duke injoruar prezencën e tyre, qoftë duke u përpjekur që ta shmangin në mënyrë të dhunshme.
Serbët e Kosovës dhe vetë Serbia, edhe pse kanë arritur një farë suksesi propagandistik nga trazirat e marsit, megjithatë kanë dështuar që të imponojnë politikat e veta për të ardhmen e Kosovës, për faktin se projekti i tyre ka pësuar disfatë historike në vitin 1999 dhe më nuk mund të ringjallet. Në fakt, suksesi serb ka të bëjë më shumë me dëmtimin e imazhit të shqiptarëve të Kosovës, sesa me përmirësimin e imazhit serb. Edhe projekti i Kuvendit dhe i qeverisë së Serbisë, për decentralizimin, përkatësisht për kantonizimin e Kosovës, megjithatë nuk arriti synimin e planifikuar. (Kjo jo për shkak të bashkësisë ndërkombëtare, po për shkak të potencialit shpërthyes që ekziston ndër shqiptarë ndaj projekteve të tilla).
Pavarësisht adresimit të përgjegjësive, pasojat e trazirave të marsit, sidoqoftë, janë të rënda për Kosovën dhe sot për sot ndikimi negativ i tyre për të ardhmen e saj vetëm mund të hamendësohet. Pasoja e parë që tashmë është zbuluar, ka të bëjë me aspektin moral të shqiptarëve dhe të Kosovës. Nga pozita e viktimës, shqiptarët janë parë si njerëz që kanë marrë rolin e sulmuesit, duke atakuar po të njëjtat caqe, që patën sulmuar serbët: civilët dhe objektet fetare. Për hir të së vërtetës, duhet thënë haptas se provokimi i bërë nga serbët me bllokimin e rrugës në Çagllavicë dhe me mbytjen e tre fëmijëve shqiptarë në Çabër, nuk mund të shërbejë si alibi për sulmet e kësaj natyre dhe aq më pak për sulme që lënë mbresën se janë të orkestruara.
Korpusi i dytë i pasojave ka të bëjë me aspektet e politikës ndërkombëtare për Kosovën. Tash është legjitimuar dyshimi që ka ekzistuar në bashkësinë ndërkombëtare për qëllimet e fshehta dhe të fundit të shqiptarëve. Dyshimi se multietnicitetit të proklamuar të bashkësisë ndërkombëtare i kundërvihet një projekt për krijimin e shtetit etnikisht të pastër, ose edhe krijimi i të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe, tashmë konsiderohet si i arsyetuar. Konform kësaj, duhet pritur edhe masa shtrënguese të bashkësisë ndërkombëtare ndaj pavarësisë së Kosovës, së paku në aspektin e mbajtjes sa më gjatë të një statusi të padefinuar dhe rreptësisht të kontrolluar. Mbase edhe mocioni i një grupi deputetësh të Bundestagut të Gjermanisë, për kalimin e protektoratit nga OKB-ja te Bashkimi Evropian, mund të kundrohet në këtë kontekst.
Në planin lokal, trazirat e marsit kanë shënuar edhe humbje kohe për realizimin e standardeve për Kosovën dhe komplikimin e mëtejshëm të modaliteteve të këtyre standardeve. Vlerësimet për këto trazira, kanë shërbyer edhe si pretekst i përpjekjes për kthimin e praktikës së kontrollimit politik mbi mediat, gjë që u pa në raportet e OSBE-së dhe të Komisionarit të përkohshëm të mediave, po edhe në raportimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërsa, nëse do të bëhej realitet ky kontroll i synuar mbi mediat, ai do të shënonte një kthim drastik prapa të proceseve të tashme latente demokratike dhe do të mund të prodhonte frustrime edhe më të mëdha të qytetarëve.
Trazirat e marsit 2004 e zbuluan krejt lakuriq edhe krizën morale dhe krizën e besimit ndaj elitës politike dhe institucionale aktuale. Zëvendësimi i veprimit konkret për qetësimin e situatës me fjalime demagogjike, që u pa më 17 mars, përpjekja për ta shfrytëzuar situatën për t’ia faturuar krejt përgjegjësitë vetëm UNMIK-ut, nuk e kanë larë këtë elitë nga përgjegjësia morale dhe politike për degradimin që përjetoi Kosova nga këto trazira. Në fakt, njëri nga shkaqet e degradimit të UNMIK-ut është vetë inferioriteti i kësaj elite shqiptare, e cila për tre vjetët e kaluara, ka qenë më shumë në rol dekorativ se sa të ushtrimit të një pushteti sipas interesave të qytetarëve të Kosovës. Qoftë dhe vetëm pranimi i Kornizës Kushtetuese me atë përmbajtje, që institucionet e zgjedhura i lë pa kompetenca të mirëfillta, ka qenë një inkurajim për burokratët e UNMIK-ut që të sillen me mospërfillje dhe arrogancë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, e që në trazirat e marsit rezultoi me sulmin pothuajse çartist ndaj tyre.
Eliminimi i këtyre pasojave morale, politike dhe kombëtare, nuk do të jetë një punë e lehtë për shoqërinë kosovare, në rrethanat kur mungon vullneti i faktorëve vendimmarrës, që të pranohet e drejta e vetëvendosjes së popullit të Kosovës. Ndërsa, vonesa e pranimit të kësaj të drejte, e cila mund të artikulohet me anë të një referendumi me mbikëqyrje ndërkombëtare, ka rrezik se mund të riprodhojë frustrimet ndaj UNMIK-ut dhe konfliktet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovës.
Si hap i parë për tejkalimin e pasojave direkte për UNMIK-un dhe për Kosovën në tërësi, do të duhej të ishte ndryshimi i Kornizës Kushtetuese dhe bartja e mirëfilltë e kompetencave në institucionet e zgjedhura me votën e qytetarëve. Bashkë me këtë do të duhej të shkonte edhe eliminimi i pushtetit paralel serb në Kosovë. Dhe e treta, emërtimi i standardeve për Kosovën, si standarde për pavarësinë e Kosovës. Në një rast të tillë qytetarët do të kishin një orientim dhe një motivim më të fuqishëm që të punojnë për realizimin e standardeve, si një vizion i të ardhmes së vetë atyre, e jo si kushtëzim që u bëhet, duke i mbajtur në regjim karantine, ku as ndjenja e lirisë më tej nuk mund të konsumohet.
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër