Nga David L. Phillips
Kosova ishte mësuar të gëzonte përkrahje të gjerë si të demokratëve, ashtu edhe të republikanëve në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Bill Clinton udhëhoqi aksionin e NATO-s për të ndaluar gjenocidin e Serbisë të shqiptarëve të Kosovës në 1999-n. Presidenti Xhorxh W. Bush koordinoi njohjen ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës në 2008-n. Sot administrata Trump ka një qasje të paqartë për të mbështetur Kosovën.
John R. Bolton, këshilltar i Sigurisë Kombëtare, ka një paragjykim antishqiptar që minon sovranitetin e Kosovës, si dhe interesat e SHBA-së në rajon. Për dekada me radhë Bolton ka qenë i patrazuar në preferencën e tij për Serbinë. Ai mbështet planin e tanishëm të Beogradit për ndarjen e Kosovës në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Paragjykimi antishqiptar i Boltonit daton që në vitet 1990, kur ai kundërshtoi ndërhyrjen “e paligjshme” të Amerikës për të ndaluar gjenocidin e shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Ai minimizoi vrasjen e më shumë se dhjetë mijë shqiptarëve të Kosovës dhe zhvendosjen e një milion të tjerëve. Sipas Boltonit, “Nuk ka interesim të mjaftueshëm amerikan për të marrë anën as shqiptarëve të Kosovës ose të serbëve”.
Bolton vazhdoi të kundërshtonte njohjen e SHBA-së për Kosovën në vitin 2008. Bolton kritikoi “politikën antiserbe të qeverisë së SHBA-së që nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë”. “Mendoj se SHBA-ja do ta bënte një gabim nëse ata e njohin njëanshëm Kosovën. Zgjidhja e vetme e arsyeshme do të rezultojë nga bisedimet midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Një zgjidhje potenciale e imponuar mund të çojë në dhunë, e cila nuk është në interes të asnjë personi”, kishte deklaruar ai. Në një intervistë për “Russia Today” Bolton ka paralajmëruar se pavarësia e Kosovës do ta “rrisë rrezikun e jostabilitetit dhe do të tërheqë ekstremistë islamikë nga e mbarë bota”. Askush nuk i kushtoi shumë vëmendje komenteve nxitëse dhe të parëndësishme të Boltonit në të kaluarën. Ai ishte një ekspert i çuditshëm, i njohur për pikëpamjet e tij radikale si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët.
Tani si këshilltar i Sigurisë Kombëtare Bolton është në gjendje të bëjë një dëm të vërtetë. Në muajin gusht Bolton shpërtheu dialogun Kosovë –Serbi, duke deklaruar: “SHBA-ja nuk do të përjashtojë ose nuk do të kundërshtojë këmbimet territoriale midis Serbisë dhe Kosovës”. Duke i bërë jehonë qëndrimit të Moskës ai rregulloi një letër nga Trump të drejtuar Thaçit, duke miratuar ndarjen nëse të dyja palët ranë dakord për të. Bolton së fundmi ka kritikuar miratimin e Kosovës të një tarife prej 100 për qind për eksportet serbe në Kosovë. SHBA-ja kërcënoi Kosovën për veprim pa lejen e saj.
Bolton mbylli sytë ndaj ngjarjeve që i paraprinë vendosjes së tarifës. Ndërsa po shfaqej në Bruksel për të diskutuar normalizimin me Kosovën, Serbia po luante një lojë të pistë të dyfishtë, duke dekurajuar vendet nga njohja e Kosovës dhe madje edhe duke lobuar te vendet që e kanë njohur Kosovën për tërheqjen e njohjes së tyre. Duke munguar një diplomaci efektive të SHBA-së, kandidatura e Kosovës për INTERPOL pësoi një dështim. Bolton thotë se është agnostik, por në të vërtetë favorizon ndarjen. Ai e hodhi në pah mundësinë e një ceremonie në “Kopshtin e Trëndafilave” në Shtëpinë e Bardhë nëse Kosova pranon presionin e jashtëm dhe pajtohet të rregullojë kufijtë e saj. Qasja e tij ndjek një histori të pikëpamjeve antishqiptare gjatë dekadave. Ai fsheh dallimin mes agresorit dhe viktimës.
Marti Ahtisaari, diplomati i klasit botëror i cili shërbeu si president i Finlandës dhe mori çmimin “Nobel për Paqe” në vitin 2008 për punën e tij si i dërguar i posaçëm i OKB-së për Kosovën, ishte strategjikisht i fokusuar dhe taktikisht fleksibil. Ai kishte një vizion për negociata. Sipas Ahtisaarit, pavarësia ishte rezultati i vetëm. “Treni është larguar nga stacioni dhe ne e dimë se ku do të arrijë. Në të gjitha negociatat e mia e dija që nga fillimi se çfarë do të ishte rezultati”, më tha ai. Ndërmjetësimi i Ahtisaarit u udhëhoq nga parimet: nuk ka kthim në status quo; nuk ka ndarje të Kosovës; dhe nuk ka Shqipëri të Madhe. Ai e kuptoi rëndësinë e Amerikës. “Lidershipi i SHBA-së ishte aq i qartë dhe i vendosur. Problemi im më i madh ishin evropianët”.
Qasja e Boltonit është diametralisht e ndryshme. Bolton thotë se palët duhet të vendosin. Ai mbështetet në ndërmjetësimin e udhëhequr nga Evropa. Në vend që të jetë parimor dhe i vendosur në ndjekje të një rezultati, Bolton sillet në një mënyrë që është e favorshme për Serbinë dhe e pranueshme për Rusinë. Diplomacia e tij është ose teknikisht e paaftë, ose e falimentuar moralisht, ose të dyja. Në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës ne kujtojmë premtimin e presidentit Bush për presidentin Sejdiu më 18 shkurt 2008: “Shtetet e Bashkuara do të jenë partneri juaj dhe miku juaj. Ndërsa Kosova hap një kapitull të ri në historinë e saj si një shtet i pavarur, pres thellimin dhe forcimin e miqësisë sonë të veçantë”. Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë pasigurinë e mbështetjes së Amerikës. Komoditeti mund të gjendet në faktin se Bolton është një figurë kalimtare. Paragjykimi i tij antishqiptar do të përfundojë në kovën e pluhurit të historisë.
David L. Phillips është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Universitetit Columbia për Studimit e të Drejtave të Njeriut. Ai ka punuar me ambasadorin Richard C. Holbrooke si këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit. Ai ka shkruar shumë libra, duke përfshirë: “Çlirimi i Kosovës: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA-së” (Shkolla Kennedy e Harvardit).
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...