Nga: Bilall Sherifi
Tomisllav Nikoliçi kriminelët serbë të luftës po i shndërron në heronj të kombit dhe shtetit serb.
Presidentja Jahjaga dhe bartësit e tjerë të institucioneve kanë negociuar në mënyrë kundërkushtetuese një Gjykatë Speciale në mënyrë që heronjtë dhe luftëtarët e lirisë t’i gjykojë si kriminelë lufte.
Pikërisht këtu qëndron Paradoksi.
Dje, nga mediat e vendit u informuam se në samitin “Brdo-Brioni”, të mbajtur në Budva të Malit të Zi, presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç i është drejtuar presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga me këto fjalë:
“Kosova kurrë nuk do të jetë shtet dhe ti mos u shtir si udhëheqëse e saj”.
Më poshtë do të shkëpus një pjesë të reagimit të zyrës së presidentes lidhur me atë që Tomisllav Nikoliçi i ka thënë asaj gjatë Samitit “Brdo-Brioni”
“Presidenti Nikoliç iu kthye retorikës së tij tashmë të njohur, duke shkaktuar një situatë paradoksale…”
Kur analizojmë këtë fjali të zyrës së presidentes, shohim se jo Nikoliçi, por presidentja e Kosovës na del paradoksale. Para se të shpjegojë se përse Jahjaga është paradoksale dhe jo Nikoliçi, le të shohim se cili është kuptimi i fjalës “paradoksal”.
Fjala paradoks vjen nga greqishtja, paradokson –që do të thotë “i papritur dhe jo i zakonshëm, i çuditshëm dhe i pabesueshëm”.
Zyra e presidentes bën mirë të na tregojë se si ka ardhur në përfundim se Nikoliçi tani “i është kthyer retorikës së tij tashmë të njohur”, sepse kjo të bën të besosh se deri dje, Nikoliçi kishte menduar dhe vepruar ndryshe, pra kishte njohur pavarësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe Jahjagën si presidente të Kosovës, por që tani papritmas i është kthyer retorikës së tij të njohur dhe më nuk po e njeh Kosovën si shtet dhe as Jahjagën si presidente.
Kaq sa i përket pjesës së parë të fjalisë.
Tash le të shohim se kush është paradoksal.
Tomisllav Nikoliçi është njëri ndër kriminelët e luftës në Kroaci, ai ka qenë njëri ndër kreatorët e politikave të partisë radikale serbe të Voisllav Sheshelit, ai ka mbështetur dhe ka qenë aktiv në zbatimin politikave gjenocidale të Milosheviçit në Kosovë.
Nikoliçi edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbrojë këto politika dhe këto veprime që dikur i ka kryer, ai vazhdon jo vetëm të mos e njoh shtetin e Kosovës por nuk len rast pa shfrytëzuar për të minuar përpjekjet e saj për t’u njohur nga shtet e tjera.
Madje ai jo vetëm që nuk pranon se shteti serb ka kryer krime lufte në Kosovë, por që nga ardhja e tij në pushtet kriminelët serbë të luftës, ashtu sikurse më parë të tjerët po i gradon në nivelet më të larta të Serbisë.
Rasti i fundit është me shefin aktual shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, për të cilin Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka dokumente që dëshmojnë se ai është përgjegjës për krime lufte në Kosovë.
Kur kemi parasysh këto që thashë më lart na del se Nikolici jo vetëm që nuk është paradoksal pra jo vetëm që nuk na del “ i papritur dhe jo i zakonshëm, i çuditshëm dhe i pabesueshëm” por përkundrazi, ai mbetet shumë koherent dhe shumë konsistent në tërë rrugëtimin e tij kriminal politik.
Tani për presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, pa marrë parasysh mënyrën se si është përzgjedhur, tanimë është një fakt që ajo është presidente e Republikës së Kosovës, sepse është e zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ajo udhëheq vendin bazuar në kompetencat që ia jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Presidentja dhe jo vetëm ajo, por edhe bartësit e institucioneve tjera në mënyrë të vazhdueshme në raport me Serbinë janë sjellë në mënyrë paradoksale, që do të thotë në mënyrë “të papritur dhe jo të zakonshme, të çuditshme dhe të pabesueshme”
Paradoksi i saj në raport me Serbinë qëndron në faktin se drejtuesit e Serbisë nuk e pranojnë dhe nuk e njohin shtetin e Kosovës, ndërsa drejtuesit e institucioneve të Kosovës e pranojnë dhe e njohin shtetin e Serbisë.
Kosova ka vite që zhvillon bisedime me Serbinë për territorin dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës.
Do të mund të numëronim edhe shumë fakte të tjera që dëshmojnë këtë që po them por do të ndalem me kaq.
Për fund do të bëj një krahasim mes Nikoliçit dhe Jahjagës.
Tomisllav Nikoliçi kriminelët serbë të luftës po i shndërron në heronj të kombit dhe shtetit serb. Presidentja Jahjaga dhe bartësit e tjerë të institucioneve kanë negociuar në mënyrë kundërkushtetuese një Gjykatë Speciale në mënyrë që heronjtë dhe luftëtarët e lirisë t’i gjykojë si kriminelë lufte.
Pikërisht këtu qëndron Paradoksi.
Prandaj, presidentja Jahjaga duhet të fillojë të sillet si presidente e një shteti të pavarur dhe sovran, nëse dëshiron që Nikoliçi dhe kushdo tjetër ta trajtojë si të tillë.
Brazil/ Shembet ura, lumi kontaminohet me pesticide dhe acid...
Parashikimi i motit për sot
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024