Njoftimi publik i datës 24 qershor 2020 të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ndaj Hashim Thaҫit, Kadri Veselit dhe të tjerë ka qenë objekt i diskutimeve të shumta kryesisht të natyrës politike dhe më pak asaj juridike.
Ndërsa diskursi ka qenë i përqëndruar ndër të tjera mbi impaktin e drejtpërdrejtë që ky njoftim ka patur në (mos)zhvillimin e takimit të parashikuar në Shtëpinë e Bardhë, pak vëmendje i është kushtuar natyrës dhe funksionimit të institucionit gjyqësor, vulën e të cilit mban kjo aktakuzë. Në këtë këndvështrim, mendoj se është e rëndësishme të analizojmë me syrin e retrospektivës se cili ka qenë konteksti politik, juridik, dhe procedurial që i dha jetë themelimit të këtij institucioni, cila është struktura dhe juridiksioni i kësaj gjykate, dhe mbi të gjitha cilat janë pasojat që vendimet e kësaj gjykate mund të sjellin për Kosovën si dhe rendin e drejtësisë penale ndërkombëtare. Kjo analizë mund të ngrihet vetëm mbi pyetjen nëse Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar të Kosovës, siҫ njihet zyrtarisht, ka përfaqësuar së pari vullnetin e popullit të Kosovës dhe së dyti nëse ajo është konceptuar si institucioni gjyqësor më i përshtatshëm për të trajtuar kërkesën për drejtësi të viktimave në Kosovë.
Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovёs miratoi nën një trysni të fortë të ndërkombëtarëve, dhe me një shumicë bindëse votash, Nenin 162 tё Kushtetutёs sё Kosovёs dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrёn e Prokurorit tё Specializuar (Ligji Nr. 05/L -053). Vlen të theksohet se me përjashtim të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosja të cilët e kundërshtuan këtë ligj duke mos marrë pjesë në votim, një abstenimi dhe pesë votave kundër të anëtarëve të partive të tjera, ky votim mban firmën e të gjithë anëtarëve të tjerë të partive politike të përfaqësuara në kuvend, duke përfshirë edhe atë të të akuzuarëve të kësaj aktakuze. Ajo që ka rezultuar nga ky amendament i Kushtetutës është themelimi i një gjykate tërësisht sui generis, e llojit të vetëm që nuk ka ngjashmëri me asnjë gjykatë tjetër në të gjithë spektrin e drejtësisë penale ndërkombëtare deri më sot. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ruandën ishin gjykata ad hoc të themeluara me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjykatat e tjera penale hibride si ajo e Gjykatës Speciale për Sierra Leone, Tribunalit Special për Libanin, Dhomat e Jashtëzakonshme të Gjykatës së Kamboxhias, janë ngritur mbi bazën e traktatit ose marrëveshjes midis shteteve përkatëse dhe OKB-së dhe kanë natyrën e gjykatave të përkohshme dhe të “ndërkombëtarizuara”, që karakterizohen nga elemente kombëtare dhe ndërkombëtare si në përbërje ashtu edhe në funksionimin e tyre. Ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) është një gjykatë e përhershme, e krijuar nga një traktat, “Statuti i Romës”. Ashtu siҫ do të shihet edhe nga analiza në vijim, Gjykata Speciale është e paprecedentë në strukturën, kompetencat dhe funksionimin e saj.
Struktura, Kompetencat dhe Juridiksioni i Gjykatës Speciale
Institucioni Gjyqësor i Specializuar i Zhvendosur i Kosovës (të quajtuara ndryshe si Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializuara) siҫ u pagëzua në fillim ky institucion (një emër deri diku kafkian sikur të nënkuptonte një vullnet të vetë Kosovës për të zhvendosur një pjesë të pushtetit të saj gjyqësor jashtë territorit të saj) është një gjykatë vendore, pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, me seli në Hagë. Si e tillë ajo është e përbërë tërësisht nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, duke sjellë kështu edhe paradoksin më të madh të këtij institucioni: një gjykatë vendore administrimi i të cilës bëhet tërësisht nga ndërkombëtarë jashtë territorit të Kosovës. Kjo gjykatë financohet nga Bashkimi Europian me një fond fillestar të akorduar mbi 400 milionë euro. Gjykata speciale është një gjykatë me një mandat të përkohshëm dhe një juridiksion specifik mbi krimet kundёr njerёzimit, krime lufte, dhe krime tё tjera tё pёrkufizuara nё Ligjin e Kosovёs, lidhur me pretendimet e paraqitura nё Raportin e Asamblesё Parlamentare tё Kёshillit tё Evropёs tё datёs 7 janar 2011 (Raporti Marty).
Përsa i përket ligjit të aplikueshëm, në bazë të nenit 12 të Ligjit (Nr. 05/L -053), Dhomat e Specializuara zbatojnë të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe ligjin penal material të zbatueshëm në Kosovë për sa kohë ai është në përputhje me të drejtën zakonore ndërkombëtare, që ka qenë e zbatueshme në kohën që janë kryer krimet. Por çfarë do të thotë kjo në praktikë? Kjo paqartësi që vërehet në përmbajtjen e këtij neni sjell në fokus natyrën eksperimentale të vetë gjykatës. E drejta e procedurës penale ndërkombëtare dhe jurisprudenca e zhvilluar deri më sot nuk ofrojnë asnjë platformë dhe udhëheqje specifike ku mund të bazohen gjyqtarët ndërkombëtarë të kësaj gjykate për të aplikuar dhe interpretuar këtë formulë ligjore në ҫështjet që do të gjykohen prej saj. Në të gjitha ligjëratat që kam mbajtur në Europë, SHBA dhe Australi mbi gjykatën speciale që nga viti 2016 e deri më sot, jam munduar të hedh dritë mbi natyrën e paprecedentë të kësaj gjykate si dhe pasojat që ajo pritet të sjellë. Gjykata speciale ka qenë objekt diskutimi në shumë tryeza dhe konferenca, ku unë kam qenë e ftuar të jap mendim, dhe e them me bindje se nuk kam takuar asnjë studiues, gjyqtar apo prokuror me eksperiencë në fushën e së drejtës ndërkombëtare që nuk ka shprehur skepticizëm për natyrën dhe juridiksionin e kësaj gjykate. Një gjyqtar me eksperiencë në Hagë madje e quajti këtë gjykatë ‘sui generis cul de sac’. Ndërkohë në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Diasporës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës, që u mbajt në Prishtinë në 10-11 qershor 2016, ajo që më ka bërë përshtypje ishte se sa pak ose aspak dijeni kishte në rrethin e juristëve dhe gjyqtarëve të Kosovës lidhur me strukturën, dhe juridiksionin e kësaj gjykate. Kjo të bën të kuptosh që diskutimi paraprak lidhur me këtë gjykatë përpara votimit në kuvend dhe ndryshimit të Kushtetutës ka qenë i udhëhequr nga një proces politik dhe jo juridik, i kufizuar dhe jo gjithëpërfshirës.
Aktakuza
Në 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte dhe ku pretendohet që të akuzuarit të jenë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Aktakuza është një padi penale dhe është rezultat i një hetimi dhe një procesi teknik ligjor. Njoftimi publik i kësaj aktakuze në datë 24 qershor 2020, përpara marrjes së vendimit mbi konfirmimin apo jo të saj nga gjykatësi i caktuar i procedurës paraprake të DHSK-së është bërë në fakt në shkelje të Rregullit 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave dhe si i tillë është i paprecedentë në praktikën e gjykatave ndërkombëtare dhe hibride në Hagë. Gjithsesi shkelja e rregullores nuk është e asaj rëndësie dhe serioziteti që të mund të ndikojë, p.sh. në ndërprerjen e procedurës së shqyrtimit të aktakuzës nga gjykatësi apo moskonfirmimin e saj për këtë arsye. Për mendimin tim, kjo shkelje nuk do të sjellë pasoja në procedurë, por mund të sjell një dëmtim të reputacionit të prokurorit të specializuar.
Momenti i zgjedhur nga prokurori për nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat, në gjykimin e tij si të domosdoshme për shkak të përpjekjeve të përsëritura të të akuzuarve për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së, është i debatueshëm. Nëse analizën tonë e zhveshim nga interpretimet politike, mund të arsyetojmë se ky veprim mund të ketë qenë edhe një veprim taktik i prokurorit, i cili nuk do të donte që një proces hetimor disa vjecar të kompromentohej në çfarëdolloj forme nga fuqizimi i një të akuzuari, i cili pritej të merrte pjesë në negociata të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë. Gjithsesi, këto mbeten në nivelin e hamendësimeve dhe interpretimeve, pasi impakti i këtij veprimi është tashmë realitet.
Si pjesë e kësaj analize është e rëndësishme të përmendet se ҫfarëdolloj marrëveshje që mund të ishte arritur si rezultat i negociatave që priteshin në Uashington, ajo nuk do të kishte asnjë impakt mbi akuzat e ngrituara, edhe sikur amnistia për krimet e kryera të ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje. Neni 18 i Ligjit për DHSK parashikon se juridiksioni i gjykatës nuk i nënshtrohet ndonjë lloji amnistie të lejuar sipas nenit 65(15) të Kushtetutës. Ҫdo amnistim i dhënë personave për një krim ndërkombëtar si krimet e luftës dhe krime kundër njerëzimit, nuk do të ishte pengesë për ndjekje penale dhe dënim.
Përse një gjykatë speciale vendore?
Rastet e dyshuara për krime lufte në Kosovë, që nga viti 1999 e deri më sot janë trajtuar në formë të ndryshme nga organet e drejtësisë, kryesisht ato ndërkombëtare. Fillimisht, me këto raste është marrë administrata e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila pas luftës ngriti dhe fuqizoi sistemin e drejtësisë në Kosovë, si dhe Tribunali Penal Ndërkombetar për Krimet në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e themeluar nga Kombet e Bashkuara. Më pas, këto raste u trajtuan edhe nga drejtësia e Bashkimit Europian, përmes misionit të EULEX-it. Në këtë diskurs, një pyetje e rëndësishme është se përse nevojitej një gjykatë tjetër, dhe nëse një instancë tjetër gjyqësore ishte menduar si e domsosdoshme pse pikërisht një gjykatë speciale vendore e këtij lloji të paprecedentë. Mendoj se pesë janë arsyet që ҫuan në këtë përfundim.
Së pari, pretendohet se gjatë mandatit të tij nëntë vjecar UNMIK nuk trajtoi në sistemin gjyqësor të ngritur në Kosovë veprat penale të diskutuara në Raportin Marty, pavarësisht se UNMIK zotëronte të gjithë kapacitetin institucional dhe njerëzor për të hetuar dhe mbledhur informacionin që pretendohet në këtë raport.
Së dyti, edhe EULEX që vazhdoi administrimin e drejtësisë mbi sistemin e trashëguar nga UNMIK nuk arriti të trajtonte këto vepra penale të pretenduara.
Së treti, kërkesa për drejtësi e viktimave të luftës në Kosovë nuk gjeti vëmendjen e duhur gjatë 20 vjet qeverisje të Kosovës dhe nuk u trajtua si një pjesë qendrore e drejtësisë në tranzicion të shoqërisë postkonfliktuale të Kosovës.
Së katërti, sistemi gjyqësor i ngritur në Kosovën e pasluftës, edhe mbas një investimi institucional dhe financiar 20 vjeҫar, ende nuk ka treguar kapacitetin të funksionojë me integritetin dhe pavarësinë e duhur, gjë që do të ishte parakusht për një proces të drejtë dhe të pavarur për të trajtuar vepra penale të kësaj rëndësie. Në raportin e vitit 2012 të Gjykatës Europiane të Auditorëve thuhej se gjyqtarët në Kosovë, “kanë tendencën të veprojnë nën ndikimin e influencave të jashtme”.
Së pesti, prokuroria e Tribunalit të ish-Jugosllavisë, pavarësisht hetimeve të gjata dhe të detajuara që zhvilloi mbi veprimet e UÇK-së, nuk arriti të finalizonte procesin hetimor me një aktakuzë për veprat penale të diskutuara në Raportin Marty. Edhe nëse këto pretendime do të qëndronin, asnjë nga këto arsye dhe mangësi nuk do të mund t’i atribuoeshin shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Këtu komuniteti ndërkombëtar duhet të njohë dhe të pranojë përgjegjësinë e tij për trajtimin e drejtësisë në Kosovë si një laborator ekperimental.
Po të kthehemi mbrapa në kohë, ajo që do të vihej re është se trysnia mediatike dhe ajo e komunitetit ndërkombëtar filloi të rritej mbas akuzave të ngritura në librin shumë të diskutuar të ish prokurores së Tribunalit të ish-Jugosllavisë Carla del Ponte. Kjo solli si rrjedhojë një angazhim të Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që rezultoi në një raport të hartuar nga Dick Marty. Ky raport, edhe pse i përgjithshëm, sipërfaqësor dhe i zhveshur nga ҫdo evidencë dhe provë, mjaftoi për të shtyrë më tej trysninë dhe diskutimin për ngritjen e një institucioni gjyqësor të ri. Pas daljes së kёtij raporti, nё shtator tё vitit 2011, Bashkimi Europian formoi Task Forcën Hetimore Speciale (TFHS), pёr kryerjen e një hetimi tё pavarur tё pretendimeve tё ngritura nё raport dhe krimeve tё tjera nё lidhje me to. Nё verёn e vitit 2014, TFHS-ja bёri tё ditur se ekzistonin prova tё mjaftueshme pёr ngritje aktakuzash. Pёr shqyrtimin e kёtyre pretendimeve ishte i nevojshёm krijimi i njё institucioni tё pёrshtatshёm pёr procedimin e duhur gjyqёsor. Mendoj se këtu lidershipi i Kosovës mund të ishte treguar më vizionar dhe proaktiv, duke i paraprirë presionit që erdhi në rritje nga BE dhe SHBA, duke parashtruar si zgjidhje ngritjen e një institucioni brenda sistemit gjyqësor të Kosovës të përbërë nga gjykatës vendas dhe ndërkombëtarë, një institucioni që ofronte garancitë e duhura për mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, dhe mbi të gjitha një institucioni që nuk zvogëlonte autoritetin e pushtetit gjyqësor të shtetit të pavarur të Kosovës. Gjykata Speciale është tashmë një realitet që nuk mund të zhbëhet. Impakti i vendimeve që kjo gjykatë do të marrë do të ndihet jo vetem tek ata që do të jenë subjekt i gjykimeve të saj, por edhe rendin e së drejtës në Kosovë dhe juriprudencës të së drejtës penale ndërkombëtare.
Dr. RUDINA JASINI është specialiste e të drejtës penale ndërkombëtare në universitetin e Oksfordit.
Shkrimi i shkruar enkas p
Shkrimi i shkruar për Lapsi.al
Foda: Nëse duam të arrijmë vendin e parë në grup, duhet ta f...
Osmani priti në takim kryesuesin e KQZ-së Kreshnik Radoniqi,...
Në rastin ndaj Bahtijarit, Januzit dhe Shalës, shtohen gjash...
Altin Lala për Arbresh.info: Çekinë e shoh pak të rrezikshme...
Kurti mirëpriti drejtoreshën e NDI- së Nancy Soderberg, disk...
PSD me aksion për autostradën Prishtinë-Gjilan: Një rajon i ...