Prej fundit të vitit të kaluar, pandemia e Covid-19-shit ka “pushtuar” globin. Pasojat shëndetësore, humanitare dhe humbja e jetëve të njerëzve kanë kaluar çdo parashikim. Shumë vende që konsideroheshin të paprekura tashmë janë përfshirë. Ndërsa një valë e dytë po prek ose pritet të përfshijë përsëri shumë vende. Thuajse të gjithë vendet tani raportojnë rritje të infeksioneve pas heqjes së kufizimeve në lëvizje. Numri i të infektuarve në botë në fund të javës që lamë pas i kaloi të 18 milionë njerëz, ndërsa kanë ndërruar jetë 693 395 njerëz. Edhe në vendin tonë dhe vendet e rajonit, virusi Sars Cov-2 vazhdon të jetë agresiv. Numri i të prekurve në vendin tonë deri në fundjavën që lamë pas ishte 5519 persona dhe ndërkaq kanë humbur jetën 166 vetë.
Janë disa sfida me të cilat po përballet mendimi dhe kërkimi shkencor mjekësor, por dhe vizionet qeverisëse dhe ato administrative në shkallë kombëtare e globale. Debati dhe puna për këtë qëllim ka përfshirë shkencëtarë dhe institucione e kompani nga më prestigjiozet në botë, institucione ndërkombëtare, liderë politikë dhe shtetërorë. Ky virus është bërë pjesë e jetës në kohën e sotme, për çdo njeri.
Sfida e parë: Vazhdimi i hulumtimeve dhe studimeve për të zbuluar origjinën e vërtetë të kësaj pandemie, rrugët e përhapjes dhe të infektimit të qelizave. Një shkak natyral apo laboratorik? Ende në diskutim. Ende i pazbuluar. Mendime të ndryshme ndonjëherë shoqëruar dhe me mistere dhe teori konspirative. Akuza dhe kundërakuza. Por, dilema vazhdon.
Sfida e dytë: Përballja e qëndrimit mjekësor ndaj mënyrave të mjekimit, trajtimit, si dhe llojet e medikamenteve që duhen përdorur ndaj këtij virusi “tinëzar”. Përcaktimi i protokolleve dhe zbatimi i tyre për mbrojtjen nga infeksionet gjithëpërfshirëse të organeve të shumta. Edhe në këtë drejtim, në menaxhimin e gjithë kësaj pandemie, me gjithë të përbashkëtat e rekomandimeve të OBSh-së dhe praktikave të vendeve më të zhvilluara, ka ende shumë çështje të paparashikuara. Dhe, ajo që është më e rëndësishmja është fakti i përpjekjeve pafund nga disa drejtime për prodhimin e vaksinës anti-Sars Cov-2, por që ende nuk ka një rezultat final, edhe pse provat laboratorike janë optimiste dhe premtimet se në fundvitin që jemi dhe fillimin e vitit tjetër, kjo vaksinë do të jetë realitet. Ndryshe nuk ka si shpjegohen bashkëpunimet kërkimore, financimet dhe së fundi tashmë kontratat për sigurimin e qindra milionë vaksinave, të cilat konfirmuar që tanimë, nga kompanitë më prestigjioze që po eksperimentojnë prodhimin e tyre.
Sfida e tretë: Mbetet çështja nëse do të vazhdohet me “karantinim” dhe “mbyllje” apo “hapje graduale” dhe “do të bashkëjetohet” me pandeminë deri në eliminimin e saj. Duket se nuk do të ketë kthim prapa në “mbyllje” dhe “karantinim”, edhe pse udhëtimi në të papriturat e kësaj pandemie vazhdon.
Një filozofi e tillë nuk duhet të lejë përshtypjen se pandemia ka kaluar. Faktet dhe të dhënat dëshmojnë se virusi Sars Cov-2 po vazhdon me të njëjtin agresivitet. Prandaj autoritetet, kudo, po përgatiten për rregulla më strikte të distancimit fizik e social për të evituar sa të munden goditjen nga vala e dytë e pandemisë. Qytetarët, kudo, duhet të ndërgjegjësohen dhe të jenë të bindur në zbatimin e tyre. Gjithsesi është paralajmëruar dhe duket se nuk do të ketë më një skenar të bllokimit thuajse total të ekonomive siç ndodhi në muajt e pranverës.
Të gjitha sfidat janë ende “një udhëtim në rrugë të panjohura” dhe përmbajnë me dhjetëra e qindra sfida brenda tyre. Njerëzimi po përballet me to.
Ajo që pritej, ndodhi. Ekonomitë më të fuqishme po përjetojnë recensionin ekonomik më të rëndë në 100 vitet e fundit. Vendet e eurozonës u “gjunjëzuan” ekonomikisht para pandemisë.
Aplikimi i masave te “karantinimit”, atyre “mbyllëse” apo “kufizuese”, që u vendosën në shumë vende në periudhën mars-qershor, e dhanë efektin negative në ekonomitë e këtyre vendeve. Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e Statistikave e Bashkimit Evropian (Eurostat), tremujori i dytë i vitit ka rezultuar më negativi për ekonominë e eurozonës, e cila prej muajsh po përpiqet të mënjanojë pasojat e pandemisë së Covid-it të ri.
Kështu, Prodhimi i Brendshëm Bruto i eurozonës ka regjistruar në tremujorin e dytë një rënie historike prej mbi 12 për qind, si pasojë e masave kufizuese në transport, biznese dhe në lëvizje të qytetarëve për shkak të koronavirusit; ndërsa bilanci i 27 vendeve anëtare ra me 11.9 për qind, rënie këto më të fortat në historinë 25-vjeçare të eurozonës. Krahasuar nga viti në vit ekonomitë që përdorin monedhën euro dhe ato kryesore evropiane janë tkurrur përkatësisht me 15 dhe 14.4 për qind.
Mes vendeve anëtare, Spanja duket se i ka përjetuar më rëndë efektet ekonomike të pandemisë së koronavirusit, me një rënie rekord gati 18.5 për qind në muajt prill-qershor, ndjekur nga fqinji tjetër iberik, Portugalia, me 14.1 për qind, Franca 13.8, Italia 12.4 dhe Gjermania, e cila humbi 10.4 për qind të prodhimit të saj kombëtar; edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ditë më parë njoftuan tkurrjen historike të ekonomisë, minus 32.9 për qind në terma vjetorë, ndërkohë që në këto 19 javët e fundit rreth 54 milionë amerikanë janë listuar si të papunë për shkak të krizës prej Covid-19.
Bashkimi Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane presin që aktiviteti ekonomik do të rikuperojnë shpejt humbjet në tremujoret në vijim, dhe shpresojnë në fillimin e rimëkëmbjes ekonomike në vitin e ardhshëm. Kjo falë paketave të shpëtimit të zbatuara deri tani, dhe së fundmi, edhe fondit 750 miliardë euro të miratuar për daljen nga kriza. Kjo “paketë gjigante”, edhe pse miratimi i saj u shoqërua me debate nga shumë analistë, u konsiderua si “Momenti Hamiltonian”. Ndërkaq, sfidat janë të mëdha.
Vendet e BE-së po përgatiten për shfrytëzimin sa më të mirë dhe përdorimin sa më efikas të kësaj pakete mbështetëse që është miratuar. Ato i konsiderojnë burimet financiare që do të alokohen nga BE-ja si “një mundësi e artë” për vendet e tyre. Në qendër qëndrojnë ndërmarrjet e reformave të reja strukturore; që kjo krizë po dikton në shkallë ekonomish kombëtare e globale dhe në nivel të bizneseve të ndryshme. Të gjithë po përgatiten dhe po bëjnë gati demonstrimin e skenarëve të besueshëm për reformat strukturore dhe për investime të menjëhershme, që t’i paraqesin në Bruksel në vjeshtë. Ky është hapi i pashmangshëm për të tërhequr burime të mëdha financiare sipas planit evropian të rimëkëmbjes, të ashtuquajtur “New generation EU” nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Duket se këtë herë, për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha fondet që do të akordojë Brukseli (nga fondet strukturore deri te fondet e kohezionit dhe aksionet e bashkëfinancimit të projekteve evropiane), nuk do të jetë e mundur të përsëriten disa prej përvojave të së kaluarës. Programi i ndërhyrjeve strukturore që do të prezantohet nga vendet përfituese, duhet të shoqërohen me një plan kohor me fazat e zbatimit të reformave të ndryshme. Gjithashtu, ciklit i reformave strukturore, madje edhe kur zbatimi i tyre është në nivele optimale, kërkon kohë që efektet e saj të jenë plotësisht “të dukshme” për sa i përket rritjes së PBB-së dhe rritjes së produktivitetit. Prandaj, vëmendja do të jetë e përqendruar në një rinisje shumë sfiduese.
Pandemia e Covid-19 dhe kriza ekonomike, sociale e humanitare tashmë e ka goditur Shqipërinë. Kësaj po t’i shtojmë edhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, pasojat janë edhe më të rënda. Gjatë kësaj pandemie janë infektuar nga virusi Sars Cov-2, deri në fundjavën që lamë pas 5 519 vetë dhe kanë humbur jetën 166 persona. Vënia në veprim e masave kufizuese dhe të karantinimit, të marra ne periudhën mars-maj, përveç anës pozitive te mbrojtjes nga ky virus, nuk mund të mos kishte dhe ndikimin me pasoja negative në ekonominë e vendit tonë. Si rrjedhojë e këtyre efekteve, në fund të gjashtëmujorit të parë ekonomia ra në recension dhe vazhdon ta përjetoje atë. Kjo u shfaq në rënien e GDP-së, duke goditur sektorët kryesorë të ekonomisë, si turizmi, shërbimet, bujqësia e ndërtimi etj., rënien e eksporteve dhe të konsumit, krijimin e një papunësie të re.
Në përballje të situatës së krijuar, përgjigjja dhe reagimi i qeverisë Rama ka qenë i përgjegjshëm, dinamik, shumëdimensional, profesional, administrativ dhe financiar, përmes marrjes dhe zbatimit të një sërë masash shëndetësore, humanitare, sociale, lehtësi fiskale dhe financuese të ekonomisë, në përputhje dhe në zbatim edhe të rekomandimeve dhe protokolleve të institucioneve ndërkombëtare (OBSh, BE, FMN, BB, OECD etj.). Janë mbi 30 akte normative dhe ndryshime ligjore që qeveria mori dhe zbatoi në funksion të këtij qëllimi. Shumica e këtyre nismave reflektonin veprime të cilat u përfshinë në të ashtuquajturat “paketa e parë”, “paketa e dytë” apo “e tretë” e ndihmës. Prej tyre kanë përfituar dhe është mbështetur shëndetësia, ekonomia, bizneset dhe qytetarët.
Ne këtë proces dhe me këtë filozofi janë bërë dhe tri ndryshime me akte normative në buxhetin e vitit 2020, dhe në ligjet e rëndësishme fiskale. Ndryshimet buxhetore synonin akomodimin në përputhje me situatën e re makroekonomike të shkaktuar nga kjo krizë, dhe riorientimin e shpenzimeve buxhetore në mbështetje të sektorëve më të goditur prej krizës dhe rindërtimin e pasojave të tërmetit. Këto ndryshime ndihmojnë nga njëra anë në shtimin e kujdesit shëndetësor përballë pandemisë, dhe nga ana tjetër, në frenimin e recensionit ekonomik dhe në krijimin e kushteve dhe hapësirave për ringritjen ekonomike. Njëhershmi, ndryshimet në ligjet fiskale krijuan lehtësi të ndryshme tatimore, sidomos biznesit të vogël, për t’i dhënë mundësi financiare për të funksionuar dhe njëhershmi për t’u ristrukturuar dhe riorientuar në një treg ndryshon me shpejtësi.
Si rrjedhojë e këtyre ndërhyrjeve, skenarët dëshmojnë se ndodhemi përpara një panorame tjetër makroekonomike e financiare dhe perspektive zhvillimi. Treguesit kryesorë kanë një përkeqësim që pritet në këtë fundvit dhe vitin në vazhdim, rrjedhojë e një politike të riorientuar të shpenzimeve në rritje dhe e masave mbështetëse ndaj biznesit, të rigjenerojnë ekonominë drejt rimëkëmbjes së saj.
Kështu që gjatë këtij recensioni parashikohet që PBB-ja reale të pësojë recension në masën -4.3 për qind, rritja nominale të jetë – 5.8 për qind, nga respektivisht 4.1 për qind dhe 5.2 për qind që ishte parashikimi në buxhetin fillestar.
Kjo sepse të ardhurat e përgjithshme të buxhetit pritet të reduktohen me 63 miliardë lekë kundrejt planit fillestar 2020, si rrjedhojë e impaktit negativ të pandemisë Covid-19, ku pjesën kryesore e zë reduktimi i të ardhurave tatimore me rreth -57 miliardë lekë.
Por, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit do të rriten me rreth 30.2 miliardë lekë, me synim kryesor financimin e sektorëve prioritarë të ekonomisë të prekur nga kriza dhe tërmeti, specifikisht përmes investimeve publike. Kjo politike nuk mund te mos ndikonte ne rritjen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik.
Deficiti buxhetor, për rrjedhojë, bëhet rreth -133 miliardë lekë ose rreth 8.4 për qind e PBB-së, nga përkatësisht 39.7 miliardë lekë, ose 2.2 për qind e PBB-së, që ishte sipas buxhetit fillestar dhe nga 68.7 miliardë lekë, ose rreth 3.9 për qind, që ishte në buxhetin e rishikuar.
Stoku i borxhit publik për rrjedhojë rritet, duke arritur nivelin e pritur prej rreth 80 për qind të PBB-së, nga rreth 65 për qind e PBB-së, që pritej sipas buxhetit fillestar dhe nga rreth 69 për qind e PBB-së në buxhetin e rishikuar.
Në këtë situatë të re të recensionit ekonomik, referuar edhe përvojave të vendeve të BE-së të prekura nga kriza, rekomandimeve të FMN, BB, OECD dhe vlerësimeve të institucioneve financiare si Standard & Poor’s dhe FIXHI etj., të cilat duhen parë jo në mënyrë të njëanshme, por realiste dhe objektive, mbeten disa sfida çështjet thelbësore që duhen konsideruar:
Së pari: Vazhdimi pa hezitim i masave mbështetëse për shëndetësinë dhe njëhershmi për biznesin dhe ekonominë në tërësi, për të frenuar recensionin ekonomik dhe fillimin e ringritjes.
Së dyti: Kujdesin e moderuar mbi deficitin primar, borxhin publik dhe sidomos përdorimin efecient të borxhit, duke pasur strategji dhe synim të qartë për rikthimin e tyre në një periudhe afatmesme, në nivelet para krizës së Covid-19. Po me këtë filozofi duhet të vazhdojë dhe procesi i fiskalizimit dhe reduktimi i ekonomisë informale (sidomos pas daljes nga recensioni), me qëllim që në terma afatmesëm t’i rikthehemi konsolidimit fiskal.
Se treti: Një këndvështrim i ri ndaj tregut të punës duke u orientuar nga fronte të reja pune që u përgjigjen zhvillimeve të shpejta të inovacionit dhe një ristrukturimi të bizneseve dhe ekonomisë.
Se katërti: Përgjigjes dhe vullnetit pozitiv të donatorëve për të na mbështetur në këtë periudhë krize, duhet t’i përgjigjemi me gatishmëri të lartë profesionale dhe të shfrytëzojmë në maksimum këtë axhendë suportuese.
Më në fund, por jo nga rëndësia, një strategji e dekadës se tretë të këtij shekulli, për zhvillimin e Shqipërisë, mbështetur në programin e luftës ndaj Covid-19, frenimit të recensionit ekonomik dhe rindërtimit të pasojave të tërmetit për të udhëtuar drejt ringritjes ekonomike në terma afatmesëm dhe një program reformash strukturore të ekonomisë bazuar në resurset e brendshme dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, asaj blu, me politika të reja të shëndetit dhe edukimit, të profesioneve të reja të punësimit me nxitje të zhvillimeve shkencore, teknologjike dhe inovative, do të ishin të mirëpritura.
Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemi...
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion