Në mënyrë tipike, Bashkimi Europian ka ndërmarrë edhe një herë një hap drejt një integrimi më të thellë si përgjigje ndaj një krize katastrofike. Dhe, edhe një herë, atij po i mungojnë mekanizmat efikase për të vënë në zbatim parimet themelore, duke përgatitur kështu terrenin për më shumë mosmarrëveshje të brendshme në të ardhme.
Autor: Harold James
Takimi pesë-ditor i Këshillit Europian për të diskutuar një buxhet 2021-2027 dhe një pako shpenzimesh emergjence për situatën e krijuar nga COVID-19 kishin të gjitha shenjat e një euro-samiti: diskutime që zgjatën deri natën vonë, kërcënime nga disa liderë se do të largoheshin pa një marrëveshje dhe një shtysë franko-gjermane për një marrëveshje. Natyrisht, gjithçka u mbyll me një kompromis të pakënaqshëm.
Konkretisht, liderët europianë ranë dakord të ndanin vetëm 390 miliardë euro (457 miliardë dollarë) nga paketa e emergjencës prej 750 miliardë eurosh në formën e grantesh, si edhe pjesën e mbetur prej 360 miliardë eurosh në formë kredish, sepse “katër kursimtarët” (Austria, Danimarka, Holanda dhe Suedia) këmbëngulën se shifra duhet të fillonte me një tresh. A është kjo marrëveshje më e mirë sesa kompromisi i fundit i pakënaqshëm në marshimin e ngadaltë të Europës drejt integrimit më të thellë?
Për 70 vjet, mantra e Europës ka qenë se ajo rritet në përgjigje të krizave. Shtysa fillestare për integrim në vitet 1950 u nxit nga Lufta e Ftohtë. Integrimi monetar i fillimit të viteve 1990 erdhi në mes një çasti vendimtar gjeopolitik të shkaktuar nga fundi i atij konflikti të gjatë. Kohët e fundit, shumë shpresuan se imigracioni, ndryshimet klimatike, revanshizmi rus, zgjedhja e presidentit amerikan Donald Trump dhe Brexit do të gjeneronin një vrull të ri për një projekt europian që duket se po i mbaron energjia.
Me sa duket, u desh një krizë ekonomike e shkaktuar nga pandemia për ta bërë këtë. Por, në përgjithësi, krizat ekonomike nuk kanë qenë të mira për integrimin europian. Madje, ato priren t’i ndajnë europianët, për shkak të ndasive përsa i përket asaj që e shkaktoi problemin dhe se çfarë duhet bërë për këtë gjë. Midis vitit 2010 dhe 2012, ndërsa tensionet mes veriut dhe jugut rriteshin, dhe më pas edhe midis lindjes dhe perëndimir, euroja thuajse kolapsoi, duke kërcënuar se do të shkatërronte të gjithë Bashkimin Europian.
Ndryshe nga ajo krizë, pandemia nuk shkaktonte nga ndonjë gabim i veçantë politik (të paktën jo nga ana e europianëve). Për shkak se incidenca, përhapja dhe pasojat ekonomike të virusit janë pak a shumë të rastësishme, ka arsye të mjaftueshme që të gjithë të tregojnë solidaritet. Prandaj, në qendër të marrëveshjes së re është një formë e re e përvtësimit të borxhit. Për herë të parë, vetë BE-ja do të japë një borxh, i cili do të mbështetet nga qeveritë e shteteve anëtare dhe do të shërbehet përmes një mekanizmi fiskal të përbashkët nën kujdesin e Komisionit Europian.
Marrëveshja krijon kështu një precedent dhe ka të ngjarë t’i bëjë asetet në euro më tërheqëse për investitorët që kërkojnë një strehë të sigurt përveç dollarit amerikan. Europa duket se ka arritur një lloj “momenti Hamiltonian”. Në vitin 1790, sekretari i parë amerikan i thesarit, Alexander Hamilton, argumentoi me sukses se qeveria federale amerikane duhet të marrë përsipër borxhet e shteteve të shkaktuara gjatë Luftës së Pavarësisë, e më pas t’i paguanin ato me të ardhurat nga tarifat e importit.
Megjithatë, marrëveshja e kompromisit e BE-së la shumë për të dëshiruar për ata që kishin kërkuar që grantet dhe huat e BE-së të shoqëroheshin me shumë kushte të tjera. Propozime të tilla risollën menjëherë në mendje kujtimet të dhimbshme nga kriza e euros, kur qeveritë kombëtare të prekura nga kriza kërkuan një palë të tretë të jashtme të cilës të mund t’i ngarkonin përgjegjësinë. Kjo çoi në një diskreditim të dyfishtë: qeveritë kombëtare dukeshin të paafta dhe të pavëmendshme, dhe pala e tretë – qoftë Gjermania apo “Europa” – u bënë mishërimi i mizorisë dhe hakmarrjes.
Edhe para samitit të fundit, u pranua gjerësisht se forma e vjetër e kushtëzimit (kriza e euros) nuk do të ishte e përshtatshme. Zv/kryeministri spanjoll Pablo Iglesias i partisë së majtë Podemos e ka lavdëruar marrëveshjen duke u shprehur se ajo nuk ka përfshirë asnjë “burrë me të zezë” për të përmbushur zbatimin e masave shtrënguese ose kushteve të tjera. Mekanizmi Europian i Stabilitetit, pasi u krijua me një kosto të madhe politike në vitin 2012, nuk u përfshi në diskutimet e fundit.
Por propozimet për kushtëzim këtë herë nuk kishin të bënin me ekonominë sesa politikën. Ideja ishte që atyre që marrin fondet e BE-së duhet t’u kërkohet të mbështesin sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e shtypit dhe lirinë akademike. Siç theksoi ish-Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, vitin e kaluar: “Pa sundim ligji, nuk ka Europë”. Por, si përfundim, qeveritë jo liberale të Polonisë dhe Hungarisë siguruan shuma të mëdha pa asnjë garanci se ata nuk do të lejohen të cënojnë akoma më tej institucionet demokratike të vendeve të tyre.
Historikisht, imponimi i sundimit të ligjit brenda strukturave të mëdha federale nuk ka qenë asnjëherë e lehtë. Merrni si shembull Shtetet e Bashkuara, ku lëvizja e guximshme financiare e Hamilton ishte vetëm fillimi. Gjatë epokës së Rindërtimit pas Luftës Civile, Ushtria e Bashkimit nën udhëheqjen e presidentit Ulysses S. Grvuri në zbatim të drejtat e votimit dhe të drejta të tjera civile për ish-skllevërit në ish-Konfederatë. Në vitin 1957, Garda Kombëtare hoqi dallimet racore nëpër shkollat në Arkansas. Dhe në vitin 1963, presidenti John F. Kennedy dërgoi Gardën Kombëtare në Universitetin e Alabamës.
Administrata Trump tani po nxjerr agjentë federalë të armatosur kundër protestuesve që sfidojnë dëshirat e shtetit dhe të qeverive lokale. Ushtarë me uniforma jeshile, pa matrikull, janë shfaqur në rrugët e Portlandit dhe Siatëllit, dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes u është referuar rrugëve amerikane si një “shesh beteje”. Trazirat aktuale të Amerikës janë pikërisht ajo që europianët duan të shmangin.
Gjithsesi, skenari i Gardës Kombëtare është i paimagjinueshëm në Europën moderne. Nuk do të ketë trupa europiane që veprojnë për të mbrojtur lirinë akademike ose të drejtat LGBT në asnjë shtet anëtar. Askush nuk po bën thirrje për vënien në zbatim të momentit Hamiltonian dhe askush nuk e mohon që burrat me jeshile janë një kërcënim më i madh sesa burrat me të zeza.
Qeverisja bashkëkohore europiane bazohet në bindje dhe ligjërim racional. E megjithatë, e vetmja mënyrë që një Europë e qytetëruar të funksionojë është që ajo të vërë në zbatim kushte politike. Mbrojtja e vlerave evropiane kërkon që shkeljet sistematike të ndëshkohen, si duke pezulluar të drejtat e votës në vendimmarrjen e BE-së, ashtu edhe duke mbajtur pagesat e BE-së.
Europa tani do të ndërtohet nëpërmjet transfertave fiskale dhe detyrimeve që ato krijojnë. Por, si përfundim, Tusk ka të drejtë: nëse të gjithë anëtarët e tij nuk respektojnë të njëjtat standarde, atëherë nuk mund të ketë Bashkim Europian.
/Project Syndicate
Hamilton mori një vendim tronditës pas Çmimit të Madh të Bra...
Hapet zarfi i zi, Besforti dhe Rrezi përjashtohen nga gara
Dy të lënduar në një aksident trafiku në Kaçanik
Aksident mes dy veturave në Greme të Ferizajit, lëndohet një...
Kosova dhe Maqedonia e Veriut të gatshme për thellimin e bas...
Flet Atilla pas largimit: Fitova pak famë, u relaksua situat...