Nga Kristaq Xharo
Kanë kaluar 20 vjet nga lufta e fundit në ish-Jugosllavi dhe Serbia është partneri kryesor i Hagës. Herë si objekt, në rolin e agresorit, por i pandëshkuar ndonjëherë në themel dhe herë si subjekt duke e ushqyer dhe përdorur Tribunalin e Hagës, për dëmet që të viktimat i kanë sjellë Serbisë. Ajo vazhdon të ruajë meritën të jetë furnitori kryesor i Gjykatës së Hagës, paradoksalisht duke akuzuar viktimat për krimet që vetë ka kryer në jo më pak se dhjetë vjet.
Serbia si një shtet, i aftë për të gjithë llojet e konflikteve që nga ndër-shtetërore deri në civile, etnike e fetare dhe ngjyrosur me gjithë format e krimeve vrasje masive, gjenocid, pastrim etnike, përdhunime, ai shkëlqeu kur arriti të zhvendos Tribunalin e Hagës drejt Kosovës. Makina e propagandës dhe prodhimit institucional të shpifjeve korri pas njëra tjetrës në arenën ndërkombëtare fitore politike, diplomatike dhe juridike.
Me objektiv luftën e saj më të fundit (në Kosovë) ajo po rifiton atë që humbi në luftë, të denigrojë heronjtë e luftës në kriminelë të deformojë karakterin dhe ta paraqes luftën e UCK e më pas të NATO-s si një agresion kundër një ‘shteti martir’.
Dhe në një mjedis pjellor ku liderët politikë shqiptarë, zakonshëm, kacafyten me njëri-tjetrin, shoqëruar me apati dhe mungesë strategjie, tashmë ndodhemi si përherë përballë faktit dhe dëmit të kryer, ku rikuperimi i pasojave mbetet shumëfish më i rëndë se parandalimi i tij. Kur pritej që bota dhe tribunali të merrej me ata, që vranë mbi 12.000 shqiptarëve të pafajshëm, mbi 20.000 gra-vajza të dhunuara, mbi 170.000 shtëpi të djegura dhe mbi 1 milion të dëbuar nga trojet e tyre, tribunali për krimet e luftës zhvendoset në Kosovë dhe kundër saj. Tashmë tribunali, me gjuhën e Beogradit po akuzon pa të drejtë ata që u organizuan për tu mbrojtur, rezistuar dhe përballur me masakrat e ushtrisë dhe paramilitarëve serbë. Dosjet e mirë dokumentuara të krimeve serbe flenë nëpër sirtarë dhe Haga punon me mbingarkesë në dosjet e Beogradit. Tashmë bëhet përherë e më e vështirë ti besohet Brukselit, Hagës apo Beogradit, pasi vetëm Prishtina dhe Tirana u dukën se u kapën në befasi…
Akuza shumë-faqesh e prokurorit të tribunalit ju përngjan në çdo rresht komunikatave të Beogradit para se të dëbohej nga Kosova. Pas mishit të helmuar që Beogradi i hodhi Karlës (de ponte) dhe Dickut (marti), duket se e njëjta menu ju afrua edhe tribunalit. Me vaktin e tanishëm servirur nga serbët, ndoshta shmanget edhe rreziku që tribunali të mbetet i pa punë… Por, është e habitshme, se ndryshe nga gjuha e sheqerosur që tashmë përdor Beogradi ndaj shqiptarëve dhe UCK, akuza ruan terminologjinë e vitit ’98 të Milloshevicit. Përndryshe tribunali ka mbetur në vitin 1998. Ndoshta për këtë mund ta ndihmonte përsëri Beogradi.
Formalisht, Kosova (jo individët) në Hagë ndodhet në një betejë juridike. Por, analizuar nga brendia dhe struktura e akuzës edhe pse amorfe, ajo është tërësisht politike. Në Hagë individët janë zgjedhur për të shkuar në objektiva strategjikë te lufta dhe Kosova. Duke qenë shpresëplotë në angazhimin e juristëve, sapo të mbaroj vetingu, për të çmontuar akuzën dhe politikanëve sapo të përfundojnë kacafytjen për zgjedhjet e ardhshme, për të çmontuar strategjinë serbe, nuk mbetet vetëm të japim disa konsideracione për çfarë po ndodh. Kambanat ranë përsëri shumë fort ndaj le të mos pyesim se për kë bien.
Së pari, akuza është fyese, denigruese dhe e pamotivuar, me goditje të largët. Edhe pse ngrihet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ajo në brendinë e vet nuk e njeh luftën dhe shumë pak bën shpjegimin e termit njerëzim. Duket, që Beogradi qëllimisht dhe prokurori njëanshëm zgjedhin për akuzën modele lufte që kanë ndodhur në Ruanda, Kongo, apo Kolumbi, me material të bollshëm për konflikte civile, etnike, fetare apo edhe për kontroll zonash. Përndryshe , e gjithë literatura e përshkruan luftën e Kosovës ndërhyrje humanitare, ndalim të gjenocidit, pastrimit etnik dhe përdhunimeve të kryera nga ushtria, paramilitarët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Mbetet vetëm kjo arsyeja që opinioni botëror e simpatizoi dhe forcat e NATO-s e mbështetën qëndresën e popullit dhe UCK në Kosovë. Përsa i përket akuzës ‘krimeve kundër njerëzimit’, populli i Kosovës, që akuza duhej të njihte si ‘njerëzimi’ ju bashkua ‘kriminelëve’ të vet në UCK, me kauzë dhe sakrificë për ‘njerëzimin e Kosovës’. Më qartë akuza do të mbetej rezistencë dhe për përballje me masakrat e ushtrisë, paramilitarëve serbë dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë për mbijetesë. Nëse krahas dosjeve të hedhura nga Beogradi, akuza do ti ballafaqonte edhe me pamjet e gjalla të Christian Amanpur në CNN, nuk e dimë çdo ti mbetej më tej kësaj akuze.
Së dyti akuza ‘harron’ apo edhe mohon se ka ekzistuar një mjedis konflikti të armatosur, dhe e modifikon gjithë kontekstin e akuzës ‘me kërcënimin, vendosjen nën kontroll e krijimin e zonave të influencës’. Vështirë për të kuptuar se përse akuza shkon për të gjetur modelin në Kolumbi për kontrollin e plantacioneve të kokainës dhe anashkalon një tokë të djegur, masakra masive, gjenocid, përdhunime, spastrim etnike dhe zhvendosje të më shumë se 80 përqind të popullsisë.
Për të gjitha këto ka mjaftueshëm dëshmi. Në këtë mjedis lufte ka pasur palë në luftë ku në njërën anë qëndronin ushtria agresive dhe paramilitarët serbë, por edhe disa nga ata që për një arsye apo tjetër u bënë pjesë e krimeve të tyre, pavarësisht nga përkatësia etnike. Kjo ndodh në çdo luftë. Përse është e vështirë të shoh akuza këtë mjedis, por ripërsërit të njëjtin skenarë të krijuar në Beograd. A mos vallë mohimi apo shmangja e mjedisit real të luftës, si dhe leximit të mbrapshtë i rezistencës synon të bëj të besueshëm një akuzë të padrejtë.
Së treti, akuza është kolektive dhe aspak individuale. Është naive të mendosh ndryshe. Lista e të akuzuarve përbën zinxhirin komandues të UCK. Tipari dallues i ushtrisë së rregullt të Kosovës ishte udhëheqja kolektive dhe linja e komandimit. Çfarë mund të jetë një ushtri pa linjë komandimi? – Turmë e armatosur, lëvizje kaotike, njerëz që nuk dinë se ku ndodhen dhe përse. Përndryshe akuza duke deformuar linjën e komandimit afron idenë karakterit vëllavrasës, luftë civile, fetare dhe urrejtje etnike. Akuza e deritanishme nuk janë ngritur mbi përgjegjësi personale, por drejtimi. Njollosni këtë zinxhir komandues dhe nuk ekzistojnë as luftëtarët, por një turmë amorfe, në një lëvizje kaotike, pa veprime e qellim moral..
Së katërti, UCK as më pak konsiderohet një ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Pas goditjes së gjithë zinxhiri të hierarkisë komanduese, në formën më të shëmtuar, akuza inkriminon krijesën më të mirë të Kosovës – UCK – një ushtri prej dhjetëra mijë ushtarë në një ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Prokurori ndoshta pa e kuptuar as vetë, përdor të njëjta terma të Beogradit për ata që u renditen në radhët e rezistencës. Ndoshta akuza do ta ketë të vështirë të kuptoj se një ushtri, që respekton gjithë rregullat ndërkombëtare të luftës: emërtimin, uniformën, shenjat dalluese, strukturat e organizimit nga njësitë bazë deri në Shtabin e Përgjithshëm dhe mbi të gjitha me parimet e deklaruara nuk mund të jetë ‘një ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Nuk mund të bëhej pjesë e kësaj ndërmarrje batalioni ‘Atlantik’ dhe djemtë e vajzat më të mirë shqiptarë që lanë perëndimin për lirinë e Kosovës.
Së pesti, UCK dhe ata që e drejtuan fituan simpatinë e popullit dhe të perëndimit. Në pamundësi për të dokumentuar sjelljen e komandës dhe shtabit të UCK gjatë periudhës së luftës akuza mbështetet mbi absurde. Ndoshta duhet kujtuar prokurorit se askush nuk mund ta ftonte UCK në Rambuje në 1999 nëse do të ishte ndryshe nga si e njohën dhe i besuan deri në fund. Kujtojmë se për gjithë kohën shërbimet inteligjente perëndimore kanë pasur akses të plotë pranë komandës, shtabit dhe formacioneve të UCK. Këtë akses e kanë pasur edhe diplomatë e senatorë, po aq edhe media botërore. A nuk ishte ky zinxhirë komandues që refuzoi në mënyrë kategorike ndihmën apo prezencën e grupeve islamike në radhët e UCK.
Së gjashti , akuza po ‘zbulon’ një konspiracion të madh. Paradoksalisht është e njëjta gjuhë që përdori Serbia në 1999 kur bombardoi territorin shqiptar në zonën e Kukësit. Për të justifikuar sulmin dhe luftën e saj më të fundit, propaganda serbe e drejtuar nga politikanë aktual, sajoi idenë e kampeve të UCK në këtë zonë. Prokurori ka bërë një ‘copy-paste’ të pastër të këtyre materialeve. Dhe ndërkohë që mohon luftën, paradoksalisht, akuza nuk nguron të zgjeroj hapësirën territoriale të kësaj ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’ edhe në Shqipërinë Verilindore. Ndoshta prokurori nuk ka njohuri e informacion ose me qëllimisht ‘harron’ se i gjithë territori shqiptar në këtë periudhë u vendos në dispozicion të NATO-s, që ushtronte kontroll të plotë në gjithë hapësirën shqiptare. Nuk e di se çdo të mjaftonte më shumë për ta konsideruar këtë akuzë sa politike po aq edhe denigruese kundër shqiptarëve dhe kauzës së tyre të drejtë.
Në përfundim, udhëheqësit e luftës në Kosovë ndodhen në Hagë me akuza të Serbisë me objektiva të qarta. Shteti serb edhe kur hiqet si e përkushtuar për paqen në rajon, nuk harron asnjëherë strategjinë e tij kundër shqiptarëve. Makineria e diplomacisë dhe e propagandës serbe është e shkëlqyer për shpifje dhe intriga.
Ajo e nxori për një kohë të shkurtër Serbinë nga pozicioni i shtetit që kreu krime dhe i dha pamjen e viktimës dhe pret të rikthejë kohën e saj. Por, ndërsa Serbia ka një strategji të qartë, gjithmonë e ka pasur, Kosova, por jo vetëm, gjithë shqiptarët nuk e kanë. Alvin Toffler thotë që strategjia është mënyra që të dallon nga të tjerët dhe në mungesë të saj me apo pa dashje, do të jesh pjesë e strategjisë së dikujt tjetër, ndoshta edhe kundërshtarit.
*Prof.dr. Kristaq Xharo: lektor për çështjet e sigurisë dhe strategjisë në UET
Ndalohen dy persona, dyshohet se kërkuan 25 mijë euro ryshfe...
Arb Manaj “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Prokuroria tregon se hetimet për sulmin në Ibër Lepenc po va...
Pas fitores bindëse, Kosova pëson humbje në miqësoren e dytë...
KRU “Mitrovica”: Ka filluar trajtimi i ujit në impiantin në ...
Kryeministri Kurti mirëpriti ambasadorin e Turqisë në Kosovë...