Gjatë gjithë historisë, në momentet kyçe, elitat politike kanë kërkuar unitet dhe bashkim me spektrin e gjerë politik për t’i arritur qëllimet kombëtare. Në të gjitha rastet kur është arritur uniteti, sukseset kanë qenë të pashmangshme.
Është e ditur publike se tek popujt që kanë qenë të robëruar, problemet e brendshme janë të mëdha por edhe përçarjet e krerëve të politikës janë evidente. Shumë gjëra të kësaj natyre i kemi trashëguar nga ish-sistemi okupues, madje një pjesë të asaj strukture e kemi te inkorporuar në administratë, në parti politike, në Kuvend, në vijat e biznesit, media e kudo tjetër në spektrin e politikbërjes.
Ish-strukturat e UÇK-së, kur kanë ardhur në pushtet e kanë amnistuar klasën e ish-sistemit, madje edhe nomenklaturën që ka qenë pjesë e pushtetit të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviqit. Por kjo nuk ka qenë reciproke edhe nga ana e ish-klasës së sistemeve të ish-strukturave komuniste por edhe të atyre që kanë qenë pjesë e pushtetit të Sllobodan Millosheviqit, të cilët u shndërruan në kundërshtarë dhe rivalë të papërmirësueshëm kundër strukturës së UÇK-së. Si pasojë e këtyre përplasjeve politike që janë bërë evidente sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, përplasjet mes këtyre dy grupimeve u bënë më të ashpra, madje, filloj edhe një luftë e ashpër për pushtet.
Edhe përkundër vështirësive dhe pengesave të mëdha, qeveritë e deritanishme të Kosovës janë përpjekur për ta ndërtuar shtetin e Kosovës, në bazë të mundësive dhe kapaciteteve që i kanë pasur ato. Pos vështirësive dhe ballafaqimeve me të panjohurat që kanë dalë pas shpalljes së Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, më 17 shkurt 2008, qeveritë e Kosovës janë ballafaquar edhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të shtetit të Serbisë dhe shteteve mike të saj, të cilat e kanë shantazhuar Kosovën skajshmërisht, i kanë sabotuar proceset madje edhe në nivele ndërkombëtare, e kanë cenuar dhe rrezikuar sigurinë e Kosovës gjatë 365 ditëve të vitit.
Proceset komplotiste të disa qarqeve të caktuara janë bërë të dukshme. Ndoshta për këtë arsye pasivizimi i shtetësisë nga kjo klasë është bërë trend. Enklavizimi i Kosovës për ditë e më shumë, po merr dimensione të reja. Disa komuna ka kohë që janë zhveshur nga kompetencat e ligjeve të Kosovës. Pos kësaj, disa vendbanimeve në territorin e Kosovës po emërohen me emra serb. Uniteti është e vetmja armë përmes të cilës mund të tejkalohet kjo gjendje me shumë pak mundësi për rugëdalje.
Brenga që ka pllakosur vendin tonë kohëve të fundit, është ikja masive e të rinjve nga Kosova. Ky fenomen është vetëvrasje për vendin tonë. Prandaj, Qeveria e Kosovës është e obliguar për ta bërë një raport në të cilin duhet të ceken shkaqet e ikjes masive të të rinjve nga Kosova. Ikja e shqiptarëve nga vendet e tyre kohë më parë ka ndodhur edhe tek shqiptarët në Çamëri, në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovën Lindore etj. Këto vende janë zbrazur nga elementi shqiptarë dhe kanë mbetur pothuajse të boshatisura. Këtë egzod kaq të madh, nuk kanë mundur ta nxisin as luftërat, as masakrat e pafund që i kanë bërë mbi këtë popullatë. Atëherë, pse po braktisen trojet shqiptare nga shqiptarët. I kujt është ky projekt. Projektuesit e këtyre planeve kaq antishqiptare, po e shfrytëzojnë përçarjen tonë të brendshme, unitetin e brishtë, divergjencat ideologjike, fetare e ekonomike.
Forca e unitetit mungon në vendin tonë. Unë mendoj dhe apeloj që ta ruajmë dhe ta forcojmë unitetin. Uniteti kombëtar është arma më efektive me të cilën duhet t’i dalim përballë të gjitha projekteve të përgatitura antikombëtare. Mungesa e këtij uniteti i ka kthyer partitë dhe shtetin në vetëshërbim të tyre, në klientela familjare.
Qindra e mijëra dëshmorë nuk e dhanë jetën e tyre për të krijuar një shtet, që në mënyrë të paligjshme favorizon disa, duke zvogëluar shanset për të tjerët. Kjo çka po ndodhë për ditë me popullin tonë, është krim mbi të kaluarën dhe të ardhmen e këtij vendi.
Është domosdoshmëri që të fillojmë që sot të merremi me emancipimin kombëtar, sepse përmes këtij procesi arrijmë më shpejt tek uniteti kombëtar. Uniteti është fitore e të gjitha betejave dhe mekanizëm për t’i kaluar të gjitha sfidat që na dalin përpara.
Duhet ta dimë pse qytetarët e Kosovës po ikin nga liria të cilën e fituam me mund e sakrifica të mëdha. Sipas MPB të Kosovës, këto 5 vitet e fundit nga Kosova kanë ikur 170 000 banorë. Diku 10 për qind e popullsisë së përgjithshme. Sipas Agjencisë së statistikave, më 1 janar 2017, Kosova kishte rreth 1,78,531 banorë. Në këtë rast, del se numri i atyre që kanë ikur nga Kosova duhet të jetë rreth 274’664. Pra, kjo shifër e shpopullimit të Kosovës ka marrë përmasa alarmante, fshatra të tëra janë braktisur, për çdo ditë dëgjohen fjalë nga rinia se nuk do të rri në ketë vend pa perspektivë. Faktikisht ky është alarm, e nga ana ime apel që të gjithë së bashku ta zgjidhim këtë brengë, më e madhja në vend.
Qytetarët tanë nuk duhet ta humbin shpresën, edhe pse në Kosovë është krijuar një pasiguri kolektive. Në fakt ky është një tregues i qartë që tregon se vendi ynë gjendet në një izolim bashkë me klasën e vet politike, andaj duhet t’i konsolidojmë forcat tona progresive për të dalë nga ky getoizim që dita ditës po e pllakos këtë vend. Kësaj pasigurie kolektive që është krijuar në Kosovë, i ka kontribuar shumë edhe politika e Tiranës e cila nuk ka qenë në mbështetje të politikave zhvillimore të Kosovës.
Për të shpëtuar nga kjo krizë kolektive duhet ta forcojmë arsimin, shkollimin dhe edukimin e brezit të ri. Kosova është e të gjithëve, prandaj t’i tubojmë forcat progresive dhe ta përfaqësojmë Kosovën sa më dinjitetshëm në arenën ndërkombëtare dhe botërore, sepse në disa raste përfaqësimi i dobët i ka sjellë Kosovës pasoja të konsiderueshme.
Nuk e kam kuptuar kurrë dhe vazhdoj të mos e kuptoj se si kaq haptas dhe pa e ndjerë në vete mëkatin politik, që në disa raste nuk është vetëm i tillë, njerëzit e politikës sonë, kur bëhet fjalë për unitet dhe ndërthurjen e mendimit të përbashkët, më lehtë e kanë gjetur të bashkëpunojnë me njerëz të cilët në një kohë jo shumë të largët kanë qenë pjesë e strukturave të masave të dhunshme, e në disa raste edhe të pushtetit të Millosheviqit direkt.
Janë shkruar me miliona shkrime në shtypin tonë në Kosovë se si UÇK-ja ka bërë krime, e shumë pak janë shkruar për strukturat kriminale të shtetit serb, për krimet dhe gjenocidin që e ka bërë shteti serb bashkë me aparatin e vet shtetëror në Kosovë. Vetëm uniteti mund ta mbajë gjallë një popull; vetëm bashkimi shpirtëror mund të arrijë një unitet të përhershëm. Unë besoj dhe jam i bindur se të gjithë patriotët shqiptarë janë gati për t’ju shërbyer me besnikëri e për t’ju ndihmuar të gjitha strukturave të politikbërjes në realizimin e detyrës së lavdishme të konsolidimit dhe unitetit zhvillimor të Kombit Shqiptar.
(Autori është kryetar i OVL-UÇK-së)
Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fill...
Ndërprerjet e energjisë për shkak të motit, KESCO del me njo...
Moti i keq në Shkodër, shumë zona pa energji elektrike, bllo...
Përurohet qendra e re e mjekësisë familjare në Mamushë
Ukraina: Raketa e re ruse arriti shpejtësinë mbi 13.000 kilo...
Aksident me vdekje në Bulqizë, makina del nga rruga