Me të kthyer në Prishtinë, kryeministri Kurti, u përpoq ta justifikonte darkën e tij, me presidentit e Serbisë A.Vuçiq, në prezencë të M.Lajçakut, që e konsuamuan në sallonet aristokrate të diplomacisë perëndimore.
Tentoi të arsyetohet se si ai nuk ka ndryshuar, se është i njëjti, por se janë kritikët e tij që janë “verbuar” dhe nuk po janë në gjendje ta shohin idealistin konsekuent dhe të përhershëm. Sepse, sipas tij, ai asnjë herë nuk ka qenë kundër dialogut me Serbinë ‘per se’, por ka qenë kundër dialogut pa parime. Kurse tash se tash ky dialog po zhvillohet nën drejtimin e tij, ai po rikthehet në parime të shëndosha. Sepse më fund pas shumë bredhjeve, pengesave dhe sfidave vullneti politik i qytetarëve të Kosovës është materializuar ne institucionet e tij reprezentative. Ndërkohë, deri më tash ky vullnet ishte i tjetërsuar. Shteti nuk e përfaqësonte atë.
Megjithatë, gjërat nuk janë aq të thjeshta sa po mundohet t’i paraqes Kurti. Sepse, ndryshimi është evident. Ndonëse ai ka edhe të drejtë ta ndryshojë strategjinë dhe pozicionin e tij. Askush nuk mund t’ia mohojë këtë mundësi. Dhe nëse elektorati i pranon ato transformime, rruga e mbarë i qoftë! Vetëm i urojmë suksese!
Por, fillimisht duhet të tregojë se pse po e bënë një gjë të tillë. A ishte gabim më herët dhe se në ndërkohë i ka kuptuar defektet e qëndrimeve paraprake, apo për shkak të ndryshimit të rrethanave është i detyruar t’i bëjë këto kthesa. Por, jo që këtë kalim ta bëjë në mënyrë të heshtur dhe tinëzare, e të vazhdojë të sillet sikur s’ka ndodhur asgjë.
Bie fjala në Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje shkruan se “bisedimet me Serbinë pa kushte dhe për çështje të brendshme të Kosovës do të ndërpriten. Mallrave të Serbisë nuk do t’i lejohet hyrja në tregun e territorin tonë përderisa ajo nuk na njeh pavarësinë, nuk kërkon falje e s’na i paguan dëmet e luftës”. Dhe formulime të tilla nuk ishin thjesht deklarata mediale. Por, plan qeverisës.
Përsëri, po them edhe në këtë pikë kryeministri ka të drejtë të ndryshojë. Por, ai deri më sot kurrë nuk e ka zhvleftësuar publikisht alternativën e tij qeverisëse, dokument ky, që dikur e kishte aureolën e librave të shenjtë. E të tregojë se pse ato formulime ishin gabim dhe si të tilla sot e nuk përkojnë me rrethanat e reja politike. Sepse, kjo Lëvizje është në pushtet dhe mallrat serbe e kanë vërshuar tregun e Kosovës, më shumë se asnjë herë tjetër më parë. Është ky vetëm një rast në mesin e shumë rasteve të pafundme që tregojnë për braktisjen e kauzave të dikurshme.
Mirëpo, kjo qasje ku nuk pranohet konvertimi ideologjik dhe politik, deri sa ai në praktikë ndodhë çdo ditë, është qasje që e përdor retorikën idealiste për ta maskuar shtytjet opurtiniste për pushtet. Atëherë me të drejtë lindin dyshimet se edhe kur janë shkruar ato rreshta nuk kanë reflektuar ndonjë bindje dhe besim politik, por janë shfrytëzuar vetëm si mjet për kalkulime politike.
Operimi me këtë logjikë të dyfishtë fqinjëron me shumë me mendësinë e manipulimit se sa të parimeve. Prandaj, në vend të politikanit idealist, siç ka dëshirë të shitet, me këtë qasje kryeministri po shndërrohet në ndjekës fanatik të atij modeli politik që dikur e përshkruante politikani i njohur turk, Suleyman Demirel. Këtij të fundit kur gazetarët ia kujtonin gjërat kontradiktore që kishte bëre gjatë karrierës së tij, pohonte se asgjë s’ka të jashtëzakonshme në këtë punë, sepse “Yesterday is yesterday, today is today”.
Gruaja bie nga kati i shtatë i një banese në Fier, dyshohet ...
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...