Shkolla është rasti që u jepet njerëzve për të mësuar të mendojnë me kokën e vet”. Kështu më ka thënë njëherë zëvendësdrejtori i një instituti në Italinë e Jugut.
“Shkolla është bota ku kultivohet dhe rritet mendimi”, vijonte ai, “është bota që autorizon nxënësin të besojë te vetja, te idetë e veta, te identiteti i vet; të rritet pa shtrëngesat e stereotipeve dhe kushtëzimeve.
Një nxënës, falë studimit, ka mundësinë të lërë në hije modelet që bëhen obsesion për grupin e miqve të tij, një tjetër që bëhet viktimë e bulizmit ka mundësinë të zbulojë se është më i fortë se vetë bullizmi.
Një brez që nuk i jep vlerën e duhur shkollës, është një brez i destinuar të imitojë televizionin, shefin e zyrës, pasanikun në lagje apo më të bukurin/ën e shkollës; të bëhet një brez i fasadës, i bindur se rezultati i çdo veprimi apo arsyetimi është gjithmonë ai më i dukshmi dhe më banali.
Shpirti kritik lind vetëm nga studimi dhe nga shkolla”.
Kam pasur gjithnjë bindjen se shkolla është institucioni themelor, ai që duhet mbajtur gjithnjë nën vëzhgim nëse kërkojmë të shohim një kuadro të plotë vendit ku jetojmë.
Politika është marrë shumë me shkollën vitet e fundit.
Praktikisht, çdo qeveri ka iniciuar një reformë të vetën.
Por asnjë prej tyre nuk ka ndryshuar fatin e institucionit, pasi në thelb të tyre nuk ka qenë kurrë vizioni i duhur.
Duhet të nisemi nga ideja që instrumenti kulturor është busulla që na orienton në përballimin e problemeve më të ndërlikuara; që të studiuarit është rruga e duhur për t’u përballur me problemet dhe kompleksitetin që jeta na vë përpara.
Duhet ta rikthejmë aty ku i takon instrumentin kulturor, si mjet themelor me të cilin qeveriset e tashmja.
Duhet të rikthejmë besimin te roli i mësuesve, njerëzit që më mirë se kushdo e kanë në dorë këtë instrument, ata që mund t’ua kalojnë qytetarëve të së ardhmes.
Por në këtë pikë lind pyetja se kush është injoranti.
Unë mendoj se injoranti nuk është ai që nuk di të shpjegohet te të tjerët apo nuk arrin t’i kuptojë ata.
Fjala injorant është një përkufizim i natyrshëm që nuk vlen vetëm për ata që nuk studiojnë, por përfshin edhe njerëz që kanë studiuar shumë.
Madje edhe ata që kanë studiuar tepër.
Në fakt, një njeri i zgjuar mbetet gjithmonë i tillë, edhe nëse nuk shkon përtej klasës së pestë fillore.
Por edhe një injorant që diplomohet, do të mbetet gjithmonë injorant.
Çështja është: në çfarë niveli duhet t’i përdorë potencialet e tij një njeri i zgjuar?
Nëse duam që të gjithë njerëzit e zotë të vendit të kenë mundësinë të garojnë për t’u bërë klasë drejtuese, ose qoftë edhe thjesht të jetojnë më mirë, duhet t’u japim atyre “armët” që i ndihmojnë ta bëjnë këtë.
Këto “armë” nuk janë gjë tjetër veçse kultura dhe dija.
Nga ana tjetër, kultura (e përgjithshme apo e një fushe të caktuar qoftë) nuk është domosdoshmërisht sinonim i aftësisë dhe as i ndershmërisë (as asaj intelektuale).
Ajo nuk është as sinonim i sjelljes së mirë.
Për mendimin tim, një person i arsimuar është në fakt ai që ka një mendje të hapur dhe kritike, i gatshëm të dëgjojë propozimet e të tjerëve për zgjidhje dhe për të korrigjuar gabimet e veta.
Ai është një njeri që di të argumentojë tezat e veta dhe posedon instrumentet e duhura për të kuptuar të tjerët; që di t’i rishikojë teoritë e veta kur e sheh se mposhten ndërsa përballen me ato të të tjerëve apo me vetë realitetin.
Një shoqëri e arsimuar është për mendimin tim një shoqëri e hapur, një shoqëri që hapet. Sepse dija nuk na çon drejt sigurisë, por drejt dyshimit.
Në fakt, ai që studion shkon drejt dyshimit dhe nuk e përdor diturinë e tij për të “shitur” siguri.
Në një shoqëri të hapur, ai që studion i kalon provat dhe pengesat, por nuk etiketon dhe as “fshin” idetë e të tjerëve.
Në një shoqëri të arsimuar, në një shoqëri të hapur, janë shumë ata që i shprehin mendimet.
Shumë mund të zgjedhin mendimin më bindës.
Në këtë pikë, populizmi “vdes nga uria”.
Sepse një shoqëri e tillë është e uritur për ide dhe një ide e vetme nuk i mjafton më askujt. Megjithatë, ky është një diskutim që do të na çonte në fusha të tjera.
Është e mjaftueshme të thuhet se kujdesi për shkollën mund të na çojë, të paktën në perspektivë ose si orientim, drejt një bote në të cilën dyshimi është pasuri, shumëllojshmëria është normalitet; ku alternativat dhe rezultati i qartë i çdo arsyetimi janë qëllimi i së tërës.
Në një shoqëri të tillë, qytetari ka mundësinë të formojë mendimin e vet, duke vendosur se cila është teoria më bindëse, ajo që zgjidh një numër më të madh problemesh dhe që u reziston shumicës së kritikave.
Unë mendoj se injorant është ai që nuk e kupton botën që e rrethon.
Mendoj se këtë të fundit mund ta kuptojë fare mirë edhe ai që nuk ka studiuar, sepse ka udhëtuar shumë apo nëpërmjet punës ka përvetësuar instrumentet që e kanë ndihmuar për ta bërë këtë.
Por nuk ka asnjë dyshim se shkolla na i jep instrumentet për ta kuptuar botën më me lehtësi.
Ajo e bën përmes profesorëve që përcjellin dituritë e atyre që u kanë paraprirë.
Nëse e humbet këtë lloj dije, nëse nuk i jep rëndësinë e duhur, ke humbur edhe mundësinë për të qeverisur vendin tënd.
Nuk di ta them nëse politikës i ka ikur nga shikimi shkolla apo kjo e fundit ka ndaluar së formuari politikanë të mirë, por ajo që di është se nga duhet t’ia rinisim: nga profesorët, në mënyrë që ata të rivënë në lëvizje dashurinë e një populli për dijen.
Profesori im i filozofisë thoshte dikur: “Nuk ka gjë më praktike se një teori e mirë”.
Nëse një komunitet humbet aftësinë për të qeverisur të tashmen, atëherë duhet t’u rikthehet studimeve, për të shpëtuar veten nga të qenit një shoqëri sipërfaqësore dhe e vetëkënaqur, e cila ka humbur të gjitha lidhjet me mençurinë.
Rroftë shkolla!
*Giovanni Floris është gazetar, shkrimtar dhe drejtues televiziv në Itali. Shkrimi i mësipërm është diskutimi i tij në aktivitetin “Milanesiana Letteratura, Musica, Cinema e Scienza” / Corriere della Sera
Dita e ndeshjes, Kosova pret në ‘Fadil Vokrri’ Lituaninë
Sot seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë shqyrton projektbux...
Kryeministri rumun i reagon Kurtit për ndeshjen Rumani–Kosov...
Reagon legjenda e Hungarisë pas skenave rrëqethëse ku mbeti ...
Horoskopi ditor, çfarë kanë parashikuar yjet për ju
Sot seminari “Alfabeti Shqip dhe Identiteti Kombëtar”