Jakup Abrashi respektohet si një prej trajnerëve më të mirë që e ka pasur Kosova ndonjëherë. Mirëpo, po i njëjti Abrashi ka qenë përgjithmonë temë e një shakaje të madhe.Fadil Vokrri, një djalosh i ri i talentuar nga Llapi i Podujevë e kishte shkuar në Trepçë, ekip që luante në liga federative për më shumë se një dekadë, për t’u provuar. Abrashi, Vokrrit i kishte thënë të “kthehet në Llap se nuk është për stadium”.
Guus Hiddink është një prej trajnerëve më të mirë holandezë në histori dhe njeriu që ka fituar Ligën e Kampionëve dhe ka udhëhequr ekip në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror.Kur Vokrri kishte probleme me formë, si pjesë e ekipit të Fenerbahçes, Hiddink nuk e kishte humbur besimin në futbollistin kosovar dhe, pasi Hiddink u shkarkua, Vokrri qëndroi edhe një sezon në Fenerbahçe ku fitoi zemrat e turqve, por ka mbetur shok me Hiddinkun përgjithmonë.Me qejf tregonte episodet kur Hiddink kishte kërkuar ta takojë në Francë gjatë Botërorit të para 20 vjetëve.Mirëpo, ndërmjet Jakup Abrashit dhe Guus Hiddinkut shtrihet një prej karrierave më të bujshme dhe të ndritshme sportive të ndonjë kosovari.Për Vokrrin të gjithë pajtohen se ka qenë më i madhi i gjeneratës së tij dhe më i madhi i të gjitha kohëve. Shikoni, në këto raste përzgjedhja e fjalëve është shumë e rëndësishme.
Fadil Vokrri ka qenë një personalitet, një karakter, që mund të mos ketë qenë lojtari me teknikën më të mirë, ose lojtari më i shpejtë, ose golashënuesi më i mirë me statistika, por ka qenë më i madhi.Vokrri ka qenë lider i lindur dhe ka qenë karakter më i madh se të gjithë. Kjo gjë nuk shihet në shifra dhe fakte.Kur te Trepça nuk funksionoi e Llapi u bë shumë i vogël, Vokrri u transferua në KXMK Kosova – KEK-u i sotëm.
Më pas shkoi tek Prishtina, kur ky ekip po tentonte të bënte diçka më të madhe.Pas shumë tentimeve dhe dështimeve në Ligën e Dytë Federative, Prishtina po kërkonte të bënte një projekt të madh dhe të hyjë në Ligën e Parë të Jusgosllavisë.Për këtë qëllim transferuan Vokrrin në sezonin 1980/81 dhe aty fillon historia. Ramadan Cimili shpesh në shaka preferonte të thoshte se ai ka qenë “kapiteni i Fadil Vokrrit”.Rreth Cimilit në fakt ishte ndërtuar një ekip ku gravitonin të gjithë talentët më të mëdhenj, por shumë shpejt lider i asaj gjenerate u bë Vokrri.Aty duheshin edhe Rugova, Tortoshi, Cana, Faton e Faruk Domi, Lalic, dhe Sinani e Tortoshi që ishin në klub që nga fëmijëria dhe u bë ekipi që mund të synonte plasmanin në Ligën e Parë Federative.
Ky ekip sot njihet si “gjenerata e artë” dhe sot e kësaj dite është sinonim i futbollit të Kosovës, kurse Vokrri lider i gjeneratës.Pas gjashtë sezoneve në Prishtinë Vokrri kishte 33 gola në 84 ndeshje të Ligës së Dytë dhe 22 gola dhe 88 ndeshje të Ligës së Parë, koha ishte që Vokrri të bënte hapin tjetër të madh, Prishtina ishte e vogël.Destinacioni i ardhshëm – Partizani – klubi ku më herët kishin qenë Zenun Brovina, Luan e Xhevat Prekazi dhe Kujtim Shala, por Vokrri ishte diçka tjetër.
Vokrri, përkundër problemeve dhe lëndimeve shndërrohet në yll të ekipit nga Beogradi, e paraprakisht arrin synimin e radhës në karrierë – bëhet shqiptari i parë që u ftua të luajë në reprezentacionin e Jugosllavisë për seniorë.Në 12 ndeshje me Jugosllavinë ka të shënuara gjashtë gola. Golat e tij me Luksemburgun dhe me Irlandën kanë qenë vendimtarë për fitoret e Jugosllavisë në kualifikimet për kampionate dhe autoriteti i tij ka qenë shumë i madh.Pikërisht nga një ndeshje e reprezentacionit të Jugosllavisë datojnë dy ngjarje interesante në karrierën e tij.
Ka qenë takimi i datës 14 tetor 1987 në stadiumin Grbavica në Sarajevë, kur Vokrri shënoi dy nga tre golat e shtetit që nuk ekziston më, në fitoren 3:0 ndaj Irlandës së Veriut.Në këtë takim, Vokrri pasi shënon dy gola, zëvendësohet nga një djalosh i ri dhe i talentuar, me emrin Dejan Savicevic.Njeriu që më pas do të njihej si “gjeniu” dhe do të bëhej fitues i Ligës së Kampionëve me Crvena Zvedzdën dhe Milanin dhe Kryetar i Federatës së Malit të Zi, përgjithmonë nga Vokrri do të shihej si djaloshi të cilit Vokrri “ia lëshoi” radhën të hyjë në lojë.
Miqësia midis tyre, si midis shumë lojtarëve të tjerë të mëdhenj ka qenë e gjatë dhe interesante dhe është dëshmia e radhës për karakterin e Vokrrit, për të cilin shkruhet dhe flitet shumë.Në takim të të njëjtit grup me Anglinë, Vokrri ka dhënë një prej shfaqjeve të dobëta të tij në reprezentacion dhe përgjigja e tij, sa herë që përmendej ajo ndeshje ishte shumë e thjehstë: Tony Adams më ruante – provo me lujtë kundër tij.Episodi tjetër ka të bëjë me një ngjarje të gati 20 vjetëve më vonë, kur Vokrri për herë të parë u takua me Sepp Blatterin në një turne të të rinjve në Zvicër, ku po luante një ekip nga Kosova.
Vokrri, duke qenë “larger than life” si figurë, mirëpo, duke u shërbyer me frëngjishten si gjuhë të parë të huaj, hyn në bisedë me Blatterin, i prezantohet, bënjnë një bisedë të cilën e ka realizuar Agim Binaku për RTV21.Aty Blatter i thotë se mbiemri i duket disi i njohur dhe e pyet mos jemi takuar më herët, në çka Vokrri përgjigjet se jo, por tregon që ka luajtur për kombëtaren e Jugosllavisë dhe aty ndërhyn Blatter, i cili i tregon që ka qenë zyrtar i FIFA-s në takimin në Sarajevë dhe e mban shumë mirë mjeshtërinë e tij.
Edhe për këtë episod gjatë ka pasur anekdota dhe Binaku në shaka e quante “përkthyesi im me Blatterin”, por këtu nisi miqësia e Vokrrit me Kryetarin e atëhershëm të FIFA-s, që më pas u thellua në një marrëdhënie personale, që Vokrri e krijoi me shumë njerëz me ndikim në FIFA dhe UEFA dhe e bënë atë të njohur e të respektuar në këto dy shtëpi të futbollit.Pasi u kthye në Kosovë, fillimisht si drejtor i Prishtinës dhe më pas si Kryetar i FFK-së, u pa se Vokrri kishte më shumë kilogramë dhe kishte humbur në shpejtësi, por karakteri ishte i njëjtë.
Kokëfortë, llapjan tipik, por i vendosur dhe i vëmendshëm, Vokrri ishte njeriu i duhur për të udhëhequr futbollin e Kosovës drejt arritjes tjetër – ndërkombëtarizimit.Për këtë pjesë tregimet janë të shumta dhe të njohur nga të gjithë, por Vokrri e shfrytëzoi emrin dhe reputacionin e tij me politikanët e Kosovës, të cilët ishin rritur me golat e tij dhe kishin kënaqësinë që flasin me të, me federatën e Serbisë, ku vazhdon të konsiderohet si legjendë dhe gëzonte respekt të madh edhe pse i printe “të ashtuquajturës federatë të shtetit të papranuar të Kosovës”, me federatat në rajon, që udhëhiqeshin nga shokët e tij, me Blatterin e Platininë, të cilët i bëri miq personalë dhe efekti u arrit – futbolli u ndërkombëtarizua.
Projekti i madh i radhës ishte krijimi dhe funksionalizimi i reprezentacionit të Kosovës – këtë qëllim e la në rrugë të mirë, por duhet ta vazhdojë dikush tjetër – Vokrri nuk është më dhe gjërat më nuk do të jenë të njëjta.Në FFK do të mungojë karizma e një lideri, pjesërisht për shkak se karizma e Vokrrit mbulonte të gjithë të tjerët në dhe rreth tij. /Leart Hoxha, Insporti.com/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...