Nga: Kastriot Islami
Arsimi i lartë s’do të arrijë të nxjerrë produkt cilësor konkurrues e të standardeve europiane, pra të rinj cilësisht të arsimuar e me
dije solide, derisa vendi të drejtohet nga kriminelët, të paaftët dhe mediokrit, që janë me shumicë, madje kontrollues, nga Kuvendi e deri në çdo qelizë të shtetit, të cilët kanë vetëm një synim: kërkojnë pasuri të paligjshme përmes pushtetit dhe tani së fundmi kanë marrë peng pushtetin për të vijuar të bëjnë pasuri të paligjshme. Përderisa s’do të vendoset tregu konkurrues i dijeve dhe kriteri i meritës s’do të jetë kriteri i rekrutimit në administratën publike e kudo.
Përderisa individët me rekorde kriminale dhe diploma false do të vijnë në Parlament e do ta kontrollojnë gjithnjë e më shumë atë, apo do të zënë postet kyçe në administratën publike. Përderisa Edi Rama, me sindromin e inferioritetit për shkak të paaftësisë endemike, por me aftësi të larta djallëzore, do të eliminojë, denigrojë, largojë, spastrojë dhe margjinalizojë profesorët e vërtetë, akademikët dhe doktorët me formim solid perëndimor dhe integritet e personalitet.
Prandaj Shqipëria po kthehet në një vend ku mbretëron mediokriteti. Ku qeveris paaftësia. Ku pasurohen kriminelët. Ku individët me diploma false e rekorde kriminale janë tanimë të veshur me firmato e jetojnë në oazet luksoze të një vendi ku asgjë s’funksionon dhe pjesa tjetër, e pashpresë, kërkon të largohet nga vendi, të emigrojë, nga më i varfëri që s’ka bukë të hajë e deri te profesori apo doktori me diplomë europiane që shpërfillet e denigrohet.
Kjo s’është pamja e nxirë, por reale e realitetit shqiptar, edhe për më optimistin. Madje, edhe vetë Kryeministri, i arratisur në mes të natës me taksi nga sindromi i tanatofobisë (frikë nga vdekja), arrin të mësojë këtë realitet nga shoferi që ka më shumë shkollë, sesa vetë pasagjeri i tij. Një realitet që mund ta çojë vendin drejt greminës për shkak të mungesës së shpresës nga arroganca e mediokërve dhe të paaftëve.
Ligji i Arsimit “MADE IN MEDIOKRITETI” godet shpresën e të rinjve, që, për shumë arsye, mendonin të kryenin studimet universitare në Shqipëri dhe i nxit ata të largohen nga vendi, sepse me kosto më të lartë e më cilësi më të dobët se në Shqipëri s’do të ketë asnjë vend tjetër në botë për t’u arsimuar, për më tepër që diploma e tyre rezulton pa vlerë nëse ata s’do të bënin pjesë në klientelën e oligarkisë së të paaftëve. Por, jam i sigurt se ky mediokritet do t’i nxisë studentët të ngrihen në protesta masive për të “përmbysur” ligjin, që synon të “përmbysë” të ardhmen e tyre…
1. NJË MODEL BASTARD JOEUROPIAN, I PAPËRSHTATSHËM DHE I PËRÇUDNUAR…
Fillimisht më duhet të them se nuk ka asnjë stigmatizim ndaj atyre që kanë punuar apo kontribuar për këtë ligj, të cilët mund të kenë punuar edhe me pasion e idealizëm, po ashtu siç mund të kenë punuar shkencëtarët për energjinë bërthamore, pa qenë të ndërgjegjshëm se diktatorët do ta përdornin punimin e tyre kundër njerëzimit. Jam më se i sigurt se secili prej tyre është ose i zhgënjyer, ose i befasuar, apo i pamundur t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve kur lexon tekstin integral apo i kthehet ligjit në retrospektivë. Jam i sigurt që secili prej tyre do të thoshte se “unë mbaj përgjegjësi vetëm për pjesën që kam punuar vetë” dhe janë disa të tjerë ata që “kanë hedhur vajgurin”, apo janë të tjerë ata që mbajnë përgjegjësinë për konceptimin apo siguritë lidhur me zbatimin e ligjit. Ligji bazohet në një nga modelet e gjithëpranuara të organizimit të arsimit dhe në këtë kuptim, nuk shtrohet çështja “është apo jo modeli më i mirë apo i keq” sepse s’ka “model më të mirë”, por ka “model që përshtatet më mirë apo më keq me kushtet, traditat, mundësitë e objektivat e një vendi”.
Ky “model” i përshtatur mirë për Anglinë, s’duket të jetë apriori i tillë për Shqipërinë. Mjafton të krahasohen të dyja vendet i) të ardhurat për frymë; ii) buxhetet për arsimin e shkencës; iii) shtrirja, niveli i cilësinë e arsimimit; iv) numri, niveli e cilësia e profesorateve; v) niveli dhe objektivat e kërkimeve shkencore; vi) vjetërsia dhe traditat e institucioneve arsimore e shkencore; vii) historitë e zhvillimit të sistemeve arsimore dhe momentet kur secili vend ka ndërmarrë të njëjtën reformë; viii) nivelet e ekipeve menaxheriale të organizimit të arsimit, të profesorëve, akademikëve apo shkencëtarëve që kanë konceptuar, formatuar, apo draftuar këto reforma; ix)dhe më së fundmi, edhe aspektin më banal, formimin arsimor të kryeministrave.
Kjo më shtyn të mendoj se ka më shumë gjasa që ky model suksesi për Anglinë të jetë në vendin e papërshtatshëm, në momentin e papërshtatshëm, i aplikuar nga njerëzit e papërshtatshëm, i konsultuar me njerëzit e papërshtatshëm dhe i prezantuar nga drejtuesit politikë më të papërshtatshëm. Për më tepër, ndërhyrjet “alla shqiptare” në këtë model e kanë shndërruar atë në një model bastard që s’i ngjan asnjë modeli në botë, një model i përçudnuar, një model joeuropian.
2. ASNJË PROFESOR ME FORMIM PERËNDIMOR DHE INTEGRITET S’E KA MBROJTUR LIGJIN…
Ligji për arsimin e lartë ka bërë xhiron e zakonshme të konsultimit partiako-servil, ku janë imponuar të marrin pjesë ata që mbështesin “përmbysjen e madhe” (kështu e cilësoi Kryeministri këtë ligj) dhe/ose ata që do të heshtnin apo s’kishin ndërmend të kundërshtonin. E kuptueshme është pranimi/mbështetja e pjesshme apo e plotë e neneve të këtij ligji nga përfaqësuesit e universiteteve private. Ky ligj s’është konsultuar dhe as është mbrojtur publikisht nga asnjë akademik, profesor apo doktor shkencash që ka kryer punime shkencore në një universitet dinjitoz jashtë vendit apo është formuar për menaxhim të institucioneve arsimore apo shkencore dhe që dallohet për integritet. Për më tepër që, pas mbrojtjes mediokre-partiake nga klientela e Ramës, ligji mori vetëm 78 vota në sajë të “pazarit të akshamit” Meta-Rama dhe prezencës: i) së individëve me rekorde kriminale, ii) të deputetëve më të pasur të Kuvendit me diploma false ose të blera; iii) deputetëve “te rinj apo te reja” që janë në Kuvend thjesht si pjesë e klientelës oligarkike; iv) dhe shumë memecëve injorantë e mediokër, që arsimin e kërkimin shkencor e konsiderojnë pengesë për t’u bërë “të fortë e të pasur”…
3. LIGJ QË GODET RËNDË TË RINJTË ME TË ARDHURA TË ULËTA…
Ky ligj, për të rinjtë nga familje me të ardhura të ulëta financiare apo me shumë fëmijë jep vetëm një mundësi shkollimi: marrjen e kredisë nga bankat, dhe asnjë mundësi tjetër. Për më tepër që tarifat e shkollimit do të vijojnë rritjen dhe madje do të shkojnë drejt barazimit fillimisht me ato private, që do të kthehen në “publike të pavarura” dhe më tej, edhe me ato strikte private. Modeli anglez e bazon cilësinë dhe suksesin e modelit pikërisht te tarifat e larta. Po kështu, buxheti i arsimit shumë i ulët, aktualisht në masën 0.4 % e PBB, e pa perspektivë rritjeje të shënueshme për shkak të krizës ekonomike, nuk ka gjasa të rritet në mënyrë të ndjeshme për të kontribuar në buxhetin e pavarur të universiteteve publike. Për rrjedhojë, e vetmja mënyrë për të mbajtur në këmbë këtë model do të jenë të ardhurat nga tarifat e studentëve apo më saktë, nga kreditë që do të marrin familjet e studentëve. Kjo do të thotë se, për të kryer studimet universitare (3 plus 2 vjet) një familje duhet të marrë kredi për të paguar “taksën e re të shkollimit të lartë” për çdo fëmijë në masën 5-7.5 mijë euro (minimalisht), pa llogaritur koston e jetesës, rreth 300 euro në muaj apo rreth 15 mijë euro për 5 vjet. Pra, që një familje të arsimojë dy fëmijët e saj do t’i duhet të marrë një kredi prej rreth 50 mijë eurosh për një periudhë deri në 15-vjeçare. Kushtet e kredisë janë ende shumë të paqarta në ligj. Tjetër problem me kredinë do të ishte shlyerja e saj, e cila do të mund të garantohej vetëm nëse me mbarimin e shkollës studentit do t’i sigurohej punësimi për një periudhë minimalisht 10-vjeçare dhe gjatë 5 vjetëve të shkollës s’do të kërkohej shlyerja e saj. Nëse kjo s’do të ndodhte, gjasat do të ishin që shumë nga kreditë të përfundonin në “kredi të këqija”. Gjasat më të mëdha janë që familjet me fëmijë të talentuar e të ardhura të ulëta t’i nisin fëmijët jashtë vendit. Kjo mund t’i leverdiste qeverisë për momentin, por universitetet private s’do të mund të rrisnin numrin e studentëve për të qenë rentabël…
4. KUJTESË PËR UNIVERSITETET PRIVATE QË DO TË DUAN TË KTHEHEN NË PUBLIKE…
Disa universiteteve private, me sa duket, do t’u duhet të kthehen, për arsye thjesht financiare, në universitete publike të pavarura, qoftë edhe përkohësisht. Këto janë kryesisht universitete që kanë investuar shumë në infrastrukturë e burime njerëzore, kanë marrë kredi të shumta dhe kanë probleme me numrin e cilësinë e studentëve që vijnë nga shkolla e mesme, më të mirët ndër të cilët dhe më të shumtët shkojnë në universitetet aktuale shtetërore. Po kështu, këto universitete kanë arritur në pjesën e “ngopjes” për rritjen e tarifave të shkollimit. Këto universitete mendojnë se përmes këtij modeli të ri i) do të rrisin numrin dhe cilësinë e studentëve; ii) do të thithin fonde nga buxheti publik dhe iii) përmes marrjes së kredisë që do të merrnin studentët, do të mund të mbanin relativisht të larta tarifat e studimit. Dhe kjo gjykohet si “skema e shpëtimit” nga “problemet financiare” që mund të kenë vënë në vështirësi ndonjë nga këto universitete. S’po marr në shqyrtim universitetet që bëjnë pjesë në klientelën e Kryeministrit, të cilët do të jenë më të privilegjuarit, sepse njihet mirë sesi funksionon skema e përfitimit klientelist. Në këto pak rreshta po bëj thjesht një kujtesë për ato universitete private, që do të tentojnë të zgjidhin problemet financiare përmes kthimit në universitete publike të pavarura; për ato do të ketë dy mundësi i) të pranojnë të kthehen në klinteliste përmes ndarjes së aksioneve (modeli i Ben Aliut në Tunizi e gjetiu) ose ii) të falimentojnë nëse s’pranojnë rregullat e klientelës. Rruga më e mirë do të ishte kërkimi i një modeli liberal e konkurrencial dhe jo etatist e kontrollues si modeli i miratuar; i një modeli me rregulla e kritere të qarta për përfitimet nga buxheti i arsimit, të përcaktuar me transparencë në ligj. Por çfarë mund të presin këto universitete private i) kur rankimin e tyre e bën Kryeministri (ndonëse rankimi është parametri më pa vlerë sepse punësimi pas studimeve s’lidhet me cilësinë e studimeve, por me njohjet klienteliste); ii) kur sasinë e buxhetit për arsimin apo shkencën e cakton Kryeministri, iii) kur sasinë e numrin e doktoratave e cakton Kryeministri dhe iv) kur në ligj flitet për “uniformitet” të universiteteve. Personalisht, në këto kushte do të preferoja ristrukturimin e këtij universiteti privat, duke u zvogëluar në përmasa të arsyeshme dhe rritur ndjeshëm cilësinë për të garantuar një rentabilitet financiar, në vend që të rendja në rrugën e vështirë e plot rreziqe të përfshirjes në klientelën e Kryeministrit, jeta politike e të cilit me siguri është shumë, shumë më e shkurtër se ajo e një universiteti serioz dhe jetëgjatë.
5. NË VEND TË PËRFUNDIMIT…
Një model që synon “përmbysje” të një akumulimi disa dhjetëravjeçarë, me siguri do të dështojë dhe do të përmbyset para se të realizojë përmbysjen. Modeli “Made in Mediokritet” në arsim është e pamundur të këtë jetë të gjatë. Përkohësisht, nëse ky ligj nuk do të bëhet objekt i protestave studentore, do t’i detyrojë studentët të ndahen në dy kategori kryesore. Njëra pjesë do të detyrohet të shkojë përkohësisht në universitetet klienteliste të Edi Ramës, ku me shumicë do të arsimohen vetëm injorantët, mediokrit dhe individët me rekorde kriminale që do të zënë për njëfarë kohe vendet në Parlament e në administratën publike, duke blerë diplomën e universitetit apo edhe doktoratën përmes kredive dhe/ose bursave të studimit që do të caktojë vetë Edi Rama në universitetet e vetme të klientelës së tij… Kurse pjesa tjetër do të marrin rrugën e mërgimit dhe ky ligj do t’u shërbejë si argumenti më i fortë për të “kërkuar azil politik” në vendet e Europës… Ka edhe një mundësi më probabël, që studentët të ngrihen në protesta masive për të “përmbysur” ligjin e mediokritetit, i cili synon të “përmbysë” të ardhmen e tyre…
(Panorama)
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...