Ne e kemi vra këtë djalë

13:03 | 6 Nëntor 2016
Arbresh.info

Kur një student 26 vjeçar vritet apo vetvritet në paraburgim , pa marrë parasyshë arësyet,  sistemi i drejtësisë, me të gjitha hallkat, vëhet para përgjegjësisë  faktike.

Por jo vetëm drejtësia, politika dhe shteti që janë përgjegjës për vdekjen e Astritit, vëllaut të tij para dy vjetësh, sikurse edhe shumë e shumë të rinjëve,  atdhetarëve e veteranëve të vërtetë të luftës.

Përgjegjësia bie shumë mbi neve  edhe si gjeneratë edhe si prindër, edhe si intelektualë,që nuk patëm k**e me u ballafaque me të keqen që ngriti kokën që në ditët e para të çlirimit, dhe me qyqarëllëkun tonë e lamë një bandë të vogël kriminelësh të rriten, duke marrë ngadalëdalë çdo segment apo shtyllë të shtetit  deri në përmasat e ngulfatjes.

Kur është çliruar Kosova, Astriti ka pasur vetëm 9 vjet, fëmijë i rritur në Zvicërr me të gjitha të mirat që i ofron një shtet i mirëfilltë demokratik. Babai i tyre, një aktivist i hershëm vendosë te kthehet në Kosovë për të vazhduar realizimin e ëndërrave me të cilat jemi rritur si gjeneratë.

Por  ne si gjeneratë me mosdijën tonë , me egoizmin tonë,  ëndërrën për ndërtimin e shtetit e reduktuam në përmasat e ndërtimit të shtëpive megalomane, për të shëruar komplekset dhe frustracionet tona në dëm të ndërtimit të një shoqërie njerëzore ku vlerë themelore do të ishte dashunia, respekti, drejtësia.

Ne ju lamë shumë telashe fëmijëve tanë sikur Astritit, Agimit, Shpresës…,  të cilët në vend që të merren me jetën, lirinë, shkencën, artin dashurinë, duhet t’a vuajnë nonshalancën dhe moskryerjen e detyrave të prindërve, ashtu sikurse ne që vuajtëm paditurinë dhe pafuqinë e baballarëve dhe gjyshërve tanë…

Pra edhe ne vet jem kah e vrajmë ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme