Google ADS

Në Ballkan vendos Europa – Jo Putin apo Trump

23:27 | 2 Maj 2019
Trina Galanxhi

Nga Alan Posener, Die Welt

Çfarë mund të jetë më i mërzitshëm se një samit i BE-së me Ballkanin Perëndimor? A mund të ketë aty material për analizë? Po. Sepse vështirë se mund të ketë diçka më emocionuese. Për ta thënë shkurt: Në Berlin, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron ia bënë të qartë Vladimir Putinit dhe Donald Trump se Ballkani është sfera jonë e ndikimit dhe se Europa nuk kërkon ndërhyrje nga jashtë. Tani BE duhet të tregojë se është në gjendje të zgjidhë e vetme konfliktet e mbetura në rajon.

Kur Jugosllavia u shpërbë në vitin 1991, Jacques Poos, ish-ministri i Jashtëm i Luksemburgut, vendit që mbante presidencën e radhës të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE, tha se tani është ora e Europës. Pastër e qartë. Por siç e dini, BE u tregua e paaftë për të parandaluar luftërat e Ballkanit dhe vetëm me ndërhyrjen e NATO-s dhe të SHBA ato morën fund. Që atëherë, BE ka ndjekur politikat e saj të zakonshme të paqes, duke u zgjeruar me Slloveninë dhe Kroacinë, me negociatat me Serbinë dhe Shqipërinë dhe më në fund me kompromisin për mosmarrëveshjen idiote për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Disa konflikte megjithatë janë thjesht të ngrira, jo të zgjidhura. Bosnja do të ishte shpërbërë po të mos ishte në fakt protektorat i BE. Dhe mes Serbisë dhe ish-zemrës së saj renegate, Kosovës, ka një luftë të ftohtë. Ajo duhet të përfundojë përpara se Serbia dhe më vonë Kosova të bëhen anëtare të BE. Kjo nga ana tjetër do e pengojë Putinin, që dëshiron ta rrëmbejë Serbinë nga ndikimi i Perëndimit, për të krijuar një tjetër konflikt të zjarrtë në kufirin e Europës.

Por a është arrogancë që BE po përpiqet të parandalojë këtë lojë me zjarrin? Jo. Fakti që Merkel dhe Macron kanë bërë një ftesë në Berlin, tregon edhe njëherë se qendra e pushtetit të BE nuk është Brukseli, por Këshilli i Shefave të Shteteve dhe Qeverive, që ka legjitimitetin dhe burimet për të ushtruar politikën e fuqishme. Fakti që takimi i ardhshëm do jetë në Paris, tregon se Këshilli- dhe veçanërisht ‘Makron’- këtë herë duan të përdorin orën e Europës.

Megjithatë kosovarët thonë se SHBA duhet përfshirë në bisedime dhe Serbia ka risjellë në lojë ish-aleatin e saj, Rusinë. Por BE duket e vendosur që të zgjidhë problemet vetë dhe nuk është e nevojshme që të thërrasë SHBA-në dhe Rusinë. Sa mirë. Nëse BE dëshiron që të merret seriozisht në politikën botërore, ajo duhet të tregojë se të paktën mund të vendosë rend në oborrin e saj. Emocionuese.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme