Shkruan: Valmir Elezi
Bill Clinton së bashku me dy mysafirët e tij kryesor, Yitzhak Rabin dhe Yasser Arafat po priteshin me shumë entuziazëm nga mysafirët tjerë të zgjedhur të dilnin në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë. Dera është e ngushtë dhe nuk i zë të dalin përnjëherë. Clinton që duket se qëndron vazhdimisht në mes, bën një hap përpara dhe pret derisa izraeliti e palestinezi t’i bashkohen dhe së bashku të ngjiten në foltoren e improvizuar. Atë të hënë të 13 shtatorit 1993, Clinton, tregohet shumë i kujdesshëm në këtë parakalim historik, që i bën bashkë dy njerëz të dy vendeve me një histori të pafund luftërash dhe përpjekjesh për paqe, por që asnjëherë nuk arrijnë të qetësojnë Lindjen e Mesme.
Aty u nënshkrua “Deklarata e Parimeve”, që shihet si një risi në këtë konflikt prej më të gjatëve në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, por që fatkeqësisht ky proces paqeje u ndërpre më vonë.
Profesori emeritus i marrëdhënieve ndërkombëtare në Oxford, Avi Shlaim do të shkruante më vonë se: “Asgjë nuk ishte më njësoj në botën arabe si rrjedhojë e marrëveshjes midis Izraelit dhe OÇP-së. Rregullat e lojës në të gjithë Lindjen e Mesme kishin ndryshuar në mënyrë rrënjësore”. Ai përmend edhe rastin kur Jordania i kishte dhënë leje një televizioni izraelit transmetimin e parë të drejtpërdrejtë televiziv nga një prej korrespondentëve të tij prej Amanit.
Natyrisht se kjo nuk është një përpjekje për të tërhequr paralele mes raporteve të dy vendeve tona, Kosovës dhe Serbisë, por një paraqitje e kompleksitetit të këtij konflikti dhe rolin e kujdesshëm të Amerikës në procesin e paqes, nga e cila mund të mësohet.
Ekziston një pajtueshmëri e gjithëmbarshme se negociatat janë rruga më e mirë për të zgjidhur problemet. Mes disa llojeve të negociatave, e që nuk janë të shumta, vetëm një duket se ka qenë e mundur të zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë: Negociatat me mediator apo ndërmjetësues. Për shkak të historisë Kosova dhe Serbia e kanë të pamundur që të zhvillojnë negociata të drejtpërdrejta. Mes shumë arsyeve Serbia nuk është dënuar akoma për krimet e kryera në Kosovë. Prandaj, është e pamundur që të ulen në një tryezë të dy palët: Kosova dhe Serbia, pa prezencën e një pale ndërmjetësuese. Të gjitha elementet që kërkohen për negociata të drejtpërdrejta mungojnë këtu.
Të njohur me situatën, kjo ka qenë arsyeja që BE-ja u caktua si lehtësuese e dialogut Kosovë – Serbi nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 9 shtator 2010, e cila miratoi rezolutën të sponsorizuar nga 27 vendet e BE-së dhe Serbia. Njëkohësisht, kjo është koha kur dialogu bëhet detyrim ndërkombëtar për të dyja vendet, i cili nisi si teknik për të amortizuar reagimin, por që shpejt u shndërrua në atë që ishte menduar nga fillimi: dialog politik.
Në negociatat e tilla që lehtësohen nga një palë e tretë, mediatori duhet të qëndrojë gjithmonë neutral. Por, ka edhe një detaj që negociatat i bën të mos duken si një veprimtari e zakonshme: Mediatori duhet të qëndrojë mes palëve edhe fizikisht dhe jo vetëm në qëndrime e propozime.
Kosova dhe Serbia janë në fazën përfundimtare të dialogut gati njëdekadësh, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Për të treguar seriozitetin e vet, BE-ja ka caktuar si emisar të posaçëm për dialogun, sllovakun Miroslav Lajçak. Ndonëse si një mediator është i thirrur për të qëndruar në mes, Lajçak bëri një gabim që pikërisht në negociata nuk mund të ndodhë. Në korrikun e nxehtë të 2020-ës, delegacioni i Kosovës dhe Serbisë po qëndronin ballëpërballë në tavolinë të ftuar nga shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell. Palët u kthyen në tavolinën e negociatave gati 2 vite pas ndërprerjes së dialogut, por në mes të tyre nuk ishte edhe i emëruari i posaçëm, Lajçak. Ai qëndronte në krah të Presidentit të Serbisë, Vuçiq. Ky gjest i tij nuk mund të kalohet pavërejtshëm. Pozicionimi i tij bëhet edhe më i fuqishëm nga kërkesat e veçanta të cilat ia humbin neutralitetin.
Vetëm disa javë pas takimit që rinisi dialogun, Lajçak vizitoi Prishtinën dhe Beogradin. Deri atëkohë nuk ishte thënë aq hapur në publik se çfarë duhet të bëjnë palët për të arritur marrëveshje: Kosova dhe Serbia, secila prej tyre, duhet të ndryshojë Kushtetutën e vet. Pra, Serbia duhet të ndryshojë Kushtetutën, pasi e parasheh Kosovën si pjesë përbërëse të territorit të saj dhe Kosova përmes ndryshimit të Kushtetutës duhet të mundësojë hapësirë për Asociacionin.
Kjo kërkesë e shprehur drejtpërdrejtë, që në vlerësim të parë duket si e balancuar sepse po i kërkohet dy palëve të bëjnë të njëjtin ndryshim: të ndryshojnë Kushtetutat e tyre, nuk është në fakt një kërkesë e balancuar. Ky është një pozicionim i qartë i ndërmjetësuesit.
Kosova nuk është përgjegjëse pse Serbia mban në Kushtetutën e saj nenin problematik për paqen në rajon. Ky duhet të jetë një problem dhe peshë që rëndon mbi Bashkimin Europian, të cilin duhet ta zgjidh drejtpërdrejtë me Serbinë dhe jo duke kërkuar kompromis nga Kosova, si mënyrë që shtetet përreth të bëhen më paqësore.
Procesi i paqes mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet parë vetëm si një normalizim marrëdhëniesh mes tyre. Kompleksiteti i problemit është i shtrirë në pothuajse në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe përbën temën mbizotëruese mes shteteve, pa llogaritur këtu edhe rolin në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Nuk ka dyshim se fati i një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve ndodhet edhe në duart e ndërmjetësuesit, e jo vetëm të palëve negociuese. Prandaj, si një mediator, Lajçak duhet të shfletojë mësimet nga diplomacia botërore dhe arti i negociatave, në të kundërtën marrëveshjen mund të mos e zë Kuvendi ynë.
Autori ka mbaruar studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës.
Osmani hap dyert e Presidencës për fëmijët, i quan udhëheqës...
“Shkodra Elektronike” në Podcast me Ramën: Fitor...
Rama ndan pamjet: Turistët në kodrat e mrekullueshme të Kara...
Kurti: Serbia me mbështetjen e Rusisë përhap narrativë kundë...
Rritet fluksi i kosovarëve në Morinë të Shqipërisë
Vihet gurthemeli i objektit të ri të Komunës së Shtimes