Nga: Mentor Nazarko
Nuk di se çfarë do të ndodhë për kualifikimin e Shqipërisë ose jo, në mes të 16 ekipeve më të mira të Evropianit. Një gjë e di, ose e besoj, se nëse ne do të na duhej të luanim me Francën pasi luajtëm me Rumaninë, mbase do të kishim një tjetër klasifikim akoma më të mirë.
Ndërsa po shkruaj, nuk e di se si do të festohet fitorja me rumunët në mbarë vendin, apo kudo ku jetojnë shqiptarët, kudo ku frymojnë shqiptarët. Nuk e di nëse ata do ta ruajnë këtë prirje të mrekullueshme që na futi menjëherë në vitrinën më të ndritshme të këtij Evropiani, që nuk vlerëson kombet vetëm për ekipin e futbollit, por dhe për tifozeritë.
Por, nuk di pse kam bindjen se kjo fitore mund të jetë fillimi i një kthese të madhe në mënyrën se si bota do t’i shohë përfundimisht shqiptarët, por për më shumë akoma se si shqiptarët do ta shohin veten.
Është krejt e qartë se mënyra se si bota na ka parë në shfaqjet e para të tifozerisë, se si ka parë skuadrën tonë në ndeshjet e para, ka ndikuar shumë në mënyrën se si ne jemi përpjekur të tregojmë veten akoma në ndeshjen me Rumaninë dhe përsëri akoma pas saj. Njëlloj mrekullie zinxhir ka ndodhur me sjelljen tonë, me nxjerrjen e më të mirës prej vetes: me atë se si diaspora jonë, pjesa më e mirë e saj, rinia, ka ofruar një imazh të shkëlqyer të kombit, i cili ka reflektuar si në një xhiro pasqyrash, brenda Shqipërisë, në Kosovë, kudo ku jetojnë shqiptarët. Kjo fitore e merituar ishte një shpërblim për këtë mrekulli në sjelljen tonë kombëtare, për lojën e Kombëtares së futbollit, megjithëse, përgjithësisht, futbolli nuk është sporti i së drejtës.
Por, nuk është vetëm ky përfundimi më i parë dhe më i rëndësishmi pas kësaj fitoreje që ka derdhur nëpër rrugë gjithë kombin e veshur kuqezi, të pajisur fuqishëm me ndjenjën e krenarisë. Kjo ndjenjë krenarie po triumfon pas frustrimit të gjatë prej përçmimit nga të huajt të kësaj bashkësie të çrregullt individësh ambiciozë si shqiptarët. Kjo fitore nuk ka ekzaltuar akoma më shumë vetëm ndjenjën e dukjes së shqiptarit si individ dhe kolektivitet në vitrinën e madhe evropiane dhe botërore.
Kjo fitore, si përmbyllje e një suksesi të jashtëzakonshëm jo thjesht futbollistik ka, mund, dhe duhet të ketë brenda farën e rilindjes sociale, ekonomike dhe kombëtare. Kjo që po them nuk është se nuk ka precedent, pavarësisht se Shqipëria nuk ka fituar turneun ngjashëm me Greqinë apo Gjermaninë e ndarë të pasluftës në 1954. Pikërisht kjo e fundit, duke fituar Botërorin e 1954, në Bernë, krijoi farën e kësaj rilindjeje, fitore që pikërisht për këtë arsye u quajt Mrekullia e Bernës.
Prej asaj fitoreje të Botërorit përballë Hungarisë që madje i kishte shënuar disa gola, kombi gjerman i ndarë gjeti forcat për t’u ringjallur dhe për t’iu bashkëngjitur trenit të zhvillimit të vendeve të tjera evropiane, jo aq të dëmtuara, apo të rënduara nga pesha e sanksion eve të luftës. Kjo është e vërteta ose miti i mrekullisë së Bernës në shpjegimin e kthesës në zhvillimin gjerman të viteve ‘50.
Një gjë është krejt e qartë dhe e sigurt: prej mrekullisë së Lionit, po lind një identitet kombëtar i ri. A nuk ndihen sot më shumë se kurrë shqiptarët, krenarë që janë shqiptarë?
A nuk është në themel të kësaj krenarie, ndjenja e përkatësisë në një komb që po arrin një sukses si ky të paktën në fushën e tifozerisë? A nuk ka shanse kjo do të vazhdojë? Ne, tifozeria, si shfaqja jonë më e dukshme, jemi të detyruar të sillemi akoma ashtu si na pa bota, kaq të mirë, kaq socialë, kaq patriotë dhe globalistë njëherësh: kaq të bukur madje, falë garës së djemve dhe vajzave të spektaklit që arritën të tërhiqnin projektorët e një bote të dominuar nga portalet e fotografive.
A nuk po shihen si brenda mitit të mrekullisë së Bernës, lojtarët tanë si heronj kombëtarë? Po trajneri? Mbërritëm kështu te një tjetër refleksion që lidhet me rolin e prijësve qoftë në futboll, qoftë në shoqëri, apo në politikë. Nuk ka asnjë dyshim se kjo fitore, ky sukses shqiptar i detyrohet shumë, megjithëse jo ekskluzivisht, prijësit të tyre Giani De Biasi.
Në një fjalim të mbajtur me rastin e nderimit të tij me titullin honoris causa nga Universiteti Evropian i Tiranës, De Biasi iu referua Bajronit që i përkufizonte shqiptarët me vargjet: Të rreptë bijtë e shqipes! Nuk i mungojnë vetitë, veç të ishin më të arrira! De Biasi i mbështetur me inteligjencë dhe përkushtim nga drejtuesi i Federatës, manaxheri i shkëlqyer Duka, i bëri cilësitë, vetitë e shqiptarëve të futbollit akoma dhe më të arrira!
Ai krijoi grupin e suksesshëm! Duke e shndërruar “bandën” e djemve të mrekullueshëm kryesisht nga diaspora, dhe nga të gjitha viset ku jetojnë shqiptarë në një ekip të suksesshëm, De Biasi konfirmoi rëndësinë e udhëheqësisë, e liderit në një sukses kolektiv. Kjo ndeshje me Rumaninë, si prolog, në të cilën shqiptarët nuk gabuan thuajse asgjë, konfirmoi drejtësinë e zgjedhjeve të tij në njerëz, para se ta konfirmonte në taktikë. Ai administroi në mënyrën më të shkëlqyer karakteret e lojtarëve, krenarinë e lënduar të Taulant Xhakës, sedrën e Lorik Canës, skepticizmin e kolegëve të tij shqiptarë për zgjedhjet e tij etj.
Me mungesën e ndjeshmërisë që ne e kemi me tepri, me punën e madhe, me mjeshtërinë e tij, ai arriti një sukses jo thjesht personal, por dhe kombëtar. Ndaj ne duhet t’i përulemi me respekt këtij njeriu dhe nisur nga efektet e mrekullisë së Lionit që me siguri kapërcejnë futbollin, do të duhet t’i ngremë një monument moral dhe fizik. Ajo që po ndodh në Evropian, rreth tij, është triumfi i energjive pozitive të racës shqiptare, i fitimit prej saj të një identiteti të ri. Një italian pati fatin dhe meritën ta nxirrte këtë në dritë. Por barra e rëndë që këtë mrekulli të Lionit ta shndërrojnë në rilindje ekonomike dhe sociale, u takon politikanëve vendorë.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...