Nga: Lulëzim Etemaj
Angazhimi racist i shtetit serb, përmes diplomacisë, kishës dhe medieve, i mbështetur fuqishëm nga Rusia dhe një pjesë e vendeve islamike, kundër anëtarësimit të shtetit të Kosovës në UNESCO, përveç se është një akt kundër kulturës dhe vlerave të civilizimit botëror, është edhe në kundërshtim flagrant me frymën evropiane të bashkëpunimit rajonal si dhe dialogun ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë të organizuar dhe menagjuar nga Brukseli.
Pengimi i Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë për t’u anëtarësuar në UNESCO, paraqet një sfidë të re, aspak të lehtë, për institucionet e shtetit, partitë politike, shoqërinë civile, mediet dhe përgjithësisht qytetarët e vendit. Të pakursyer nga kjo sfidë do të ndjehen edhe BE-ja dhe SHBA-të. Tejkalimi i kësaj sfide shtron më nguti domosdoshmërinë e reflektimit nga ana e institucioneve dhe partive politike si dhe bashkërendimit të qendrimeve dhe veprimeve, si në mes vete, ashtu dhe me partnerët e çlirimit, pavarësimit, shtetndërtimit dhe integrimeve evroatlantike, SHBA-të dhe BE-në. E gjithë kjo do të duhej të çonte pashmangshmërisht tek konsensuesi, i cili për bazë do të kishte mbi të gjitha interesat e shtetit dhe jo interesat a politikat ditore, qoftë të qeverisë, qoftë të opozitës a të zyrtarëve të caktuar të BE-së.
Moratoriumi i bisedimeve me Serbinë gjerë në përmbushjen finale të marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel, do të duhej të ishte baza dhe orientimi themelor i konsensuesit. Gjithsesi, pjesë e këtij moratoriumi do të duhej të bëhej me çdo kusht edhe një nga marrëveshjet më problematike të Brukselit, ajo për Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës, e kontestuar gjerë më tani fuqishëm nga opozita dhe e mosmbështetur, mosduartrokitur, edhe nga një numër i deputetëve dhe zyrtarëve të caktuar të lartë shtetërorë edhe të partive në pushtet.
Është e pakuptimtë, madje është edhe ndëshkim i njëanshëm dhe i pa drejtë për Kosovën dhe kooperativitetin e treguar prej saj në raport me BE-në, shtyrja përpara e agjendës së bisedimeve ndërmjet saj dhe Serbisë, kur kjo e fundit jo që nuk tregon as gatishmërinë minimale për të përmirësuar raportet me shtetin e Kosovës dhe shqiptarët, duke përmbushur marrëveshjet e arritura, porse ka shënuar regres në çasjen e saj ndaj Kosovës, duke iu kthyer edhe publikisht racizmit dhe fashizmit në raport me të dhe qytetarët shumicë të saj, shqiptarët.
Pas ditës së sotme, askush nuk ka të drejtë të bëhet sikur asgjë s’ka ndodhë. As Kosova e as BE dhe SHBA. Ky është çasti kur mbi gjithçka kërkohet kreativiteti dhe orientimi politik që për bazë ka interesat e shtetit të Kosovës; paqën, stabilitetin e përgjithshëm dhe rrugëtimin e suksesshëm drejt integrimeve evroatlantike. Kjo është edhe në dobi të paqës dhe stabilitetit të Ballkanit.
Sfida nuk është e pa përballueshme. Porse kërkon fillim e mbarim unitetin shtetëror.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?