Nga: Islam Lauka
————————–
Antimodeli malazez
Tre muajt e fundit të vitit 2015, duket se po kthejnë përmbys tre shekuj histori në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Malit të Zi. Nga “Kopshti rus i Adriatikut”, për Moskën e sotme zyrtare, Republika e Malit të Zi është kthyer në një “çiban”.
Në deklaratat e shpeshta të zëdhënëses së Ministrisë së Punëvë të Jashtme (MPJ) të Rusisë, M. Zaharova, të Sekretarit të Shtypit të Presidencës, D.Peskov, si dhe në komentet, gjithashtu të shpeshta, të Departamentit të Informacionit dhe Shtypit pranë Dikasterit të Jashtëm të Federatës Ruse, udhëheqja e Malit të Zi dhe personalisht Kryeministri Millo Gjukanoviq, akuzohen për prirje diktatoriale, për “injorim të mendimit të një pjese të konsiderueshme të shoqërisë malazeze”, dhe për “përdorim tej normave të lejuara të forcës kundër protestuesve paqësorë”.
Këto akuza kanë të bëjnë, kryesisht, me protestat e organizuara, muajt e fundit, nga opozita malazeze. Millo Gjukanoviq e akuzoi publikisht Moskën se ajo ishte në anën e protestuesve, gjë që Kremlini zyrtar e hodhi poshtë.
Por, zemërimi i Zeusit polar do të shpërthente mbi Republikën e vogël në breg të Adriatikut më 2 dhjetor 2015, ditën e marrjes nga Podgorica të ftesës për anëtarësim në NATO. Nga Presidenca ruse erdhi kërcënimi se ky hap “nuk mund të mos çojë në veprime reaguese”. Ndërsa, vlerësimi paraprak i Ministrisë së Jashtme të Rusisë ishte që “ky hap mbart në vetvete ngarkesë konfrontuese” dhe se do të jetë me pasoja negative për marrëdhëniet midis Rusisë dhe Malit të Zi. Ndërkaq, Kryetari i Komitetit të Këshillit të Federatës për Mbrojtje e Siguri, V. Ozjerov, kërcënoi se do tu jepet fund projekteve ushtarake që Rusia realizon me Malin e Zi.
Sugjerimi i Moskës zyrtare, lidhur me çështjen e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO është që kjo çështje të zgjidhet me referendum. Këtë ide theksoi zëdhënësja e shtypit të MPJ të Rusisë, M. Zaharova, me 16 dhjetor 2016. Pas ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë, Moska iu referohet “vullnetit të popullit”, “të drejtës demokratike për referendum”, vlerave historike, kulturore dhe sakrale që territore, të cilat u përkasin shteteve të njohura ndërkombëtarisht kanë për shtetet amë. Ky qëndrim ndryshon krejtësisht nga ai i mëparshmi, kur Kremlini u referohej parimeve të paprekshmërisë së kufinjve, mosndërhyrjes në punët e brendshme të fqinjëve, etj.
Tek ftesa për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, Rusia gjeti një casus belli, sepse, me sa duket, zemërimi i saj kishte kohë që po grumbullohej, në varësi të intensifikimit të qelbëzimit të “çibanit” malazez. Sipas Drejtoreshës së Qendrës së Studimit të Krizës Jugosllave të Institutit të Sllavistikës në Moskë, Elena Guskova, Podgorica ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Kosovës, iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, forcoi sanksionet kundër Krimesë dhe Sevastopolit, mbështeti opozitën siriane kundër Asadit dhe nuk votoi në OKB rezolutën e paraqitur nga Rusia për luftën kundër glorifikimit të nazizmit. Pakënaqësia e Guskovës me Malin e Zi shkon edhe më larg, në vitin 2006, kur, sipas saj, populli serb u nda më dysh, në serb dhe malazez. Po të shtojmë këtu edhe dështimin e saj personal me leksionet kundër NATO-s, sa në Podgoricë, në Nikshiq e Tivar, kuptohet që pezmi i saj i kalon kufijtë e normales.
Në këtë kontekst, Mali i Zi, përbën jo modelin por antimodelin e marrëdhënieve të një vendi Ballkanit në raport me Rusinë.
“Kanceri kosovar”, Shqipëria dhe Bullgaria
Por ka edhe më keq se antimodeli malazez. Për Moskën, Kosova është më shumë se “çiban”, ajo është kancer që po shtrin metastazat e saj në Evropë dhe në botë. Kundër “metastazave kosovare” Kremlini është angazhuar totalisht, që nga Presidenti Putin, Ministri Lavrov etj., në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Këshillin e Sigurimit (KS), në OSBE, në Këshillin e Evropës, në takimet dy e shumëpalëshe. Në të gjitha raportimet periodike mbi Kosovën, të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në KS, Ambasadori rus, Vitali Çurkin, flet zi e më zi për shtetin më të ri të Evropës. Votimi i fundit në UNESCO dëshmoi, edhe një herë, rolin aktiv, tejet aktiv dhe agresiv të Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjeve të saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Prishtina zyrtare, jo pa bazë, e ka akuzuar Moskën se, veç aktivitetit të saj të dendur politik e diplomatik kundër Kosovës në fushën ndërkombëtare, ajo përpiqet të destabilizojë edhe situatën e brendshme në vend, sidomos nëpërmjet elementëve radikalë serbë, në veri të Mitrovicës.
Atëherë, kush është modeli që duhet ndjekur? A mos është Shqipëria? Si mund të jetë Shqipëria kur ajo është anëtare aktive e NATO-s? Si mund të jetë Shqipëria kur ajo e ka njohur Kosovën para Malit të Zi? Para tij iu është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe ka mbështetur opozitën kundër Asadit. Jo vetëm kaq, ajo ka mbështetur vetëm projektet energjetike perëndimore, por asnjëherë ato ruse. Shqipëria, sipas Moskës, është antimodel, para Malit të Zi.
Po Bullgaria? Pas refuzimit të saj, vitin e kaluar, për ndërtimin e gazsjellësit rus “Rrjedha e Jugut”, edhe ajo është kthyer në “pllahoj parenj” (djalë i keq). Aq më tepër që, ashtu si Shqipëria, edhe Bullgaria është anëtare aktive e NATO-s.
Në kërkim të modelit ballkanik
A mos duhet kërkuar modeli ballkanik i marrëdhënieve të mira me Rusinë tek shtetet që nuk iu janë bashkuar sanksioneve kundër Moskës dhe nuk janë anëtare të NATO-s, si Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia?
Sipas Kremlinit, Sarajeva myslimane nuk bën, ajo është hapur pro-perëndimore.
Po Maqedonia? Gruevski, për Moskën, është “haroshij parenj” (djalë i mirë), por me luhatjet e tij nuk jep siguri për marrëdhënie të qëndrueshme. Për më tepër që, në tetor 2015, Shkupi zyrtar drejtoi gishtin edhe nga Rusia, si një ndër organizatorët e protestave të pranverës së kaluar në Maqedoni.
Atëherë, modeli i marrëdhënieve të mira me Rusinë, duhet të jetë Serbia, “mikja e saj tradicionale”. Por bashkëpunëtori i vjetër shkencor i Institutit të Sllavistikës, Petër Iskenderov, ka një mendim tjetër. Sipas tij, Beogradi, shpesh ndjek formulën dinake të uljes në dy karrige, duke u përpjekur “të manovrojë në ujrat e turbullta të euro-integrimit” dhe, njëkohësisht, të përfitimit nga marrëdhëniet e mira me Moskën. Serbia vërtet nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë, vazhdon Iskenderov, por qeveria e Vuçiçit refuzon të subvencionojë ata prodhues që janë të gatshëm të eksportojnë në Rusi. Studiues të tjerë të Institutit të Sllavistikës argumentojnë se Beogradi po zhvillon bisedime sekrete me Ëashingtonin, me qëllim që një ditë, edhe Serbia të anëtarësohet në NATO.
Modeli ballkanik rus
Atëherë cili është modeli ballkanik i Kremlinit për marrëdhëniet me Rusinë? Këtë na e sqaron “ekspertja” e çështjeve ballkanike, Elena Guskova, bashkëpunëtore e institutit të lartëpërmendur. Në një shkrim të sajin, të para pak ditëve, ajo thekson se Rusia gjithmonë i ka mbrojtur bullgarët, maqedonët, serbët në Serbi, në Mal të Zi dhe Bosnje. Më tej, Guskova shtron pyetjet: kush e don ende sinqerisht Rusinë? Kush i drejtohet asaj për ndihmë? Kush iu kundërvihet aktivisht tendencave rusofobe të BE-së, NATO-s dhe SHBA-s? Dhe po vetë përgjigjet: “Të gjitha kriteret e mikut të devotshëm, të partnerit të vendosur dhe të rusofilit të sinqertë në Ballkan sot i plotëson vetëm Republika e vogël Serbe ne Bosnje-Hercegovinë, me gjithë se ajo gjendet në kushte shumë më të vështira se vendet e tjera, si Mali i Zi, Bullgaria, Serbia dhe Maqedonia”.
Më poshtë, ajo liston edhe kriteret që Republika Serbe e Bosnjës i ka plotësuar për t’u konsideruar nga Moska si model ballkanik në raportet me Rusinë. Së pari, Banja Lluka bëri gjithçka që Bosnje-Hercegovina të mos iu bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Së dyti, ajo bëri gjithçka që Sarajeva mos ta njohë pavarësinë e Kosovës. Së treti, Republika Serbe ua ka prishur të gjitha planet atyre që donin ta shihnin Bosnje-Hercegovinën të centralizuar dhe të integruar në BE dhe në NATO. Së katërti, Presidenti i kësaj republike, Millorad Dodik, është për zhvillim të gjithanshëm të marrëdhënieve me Rusinë. Ai këmbëngul që të vijnë investitorë rusë, të hapen banka ruse, madje edhe një konsullatë ruse në Banja Llukë (Republika Serbe e Bosnjës ka një përfaqësi të vetën në Moskë – I.L). Së fundi, Dodik kërkon që Rusia mos të largohet nga Ballkani, në mënyrë që ajo “t’i mbrojë serbët në çështjen e tyre të drejtë”.
Se si e kupton Dodik çështjen serbe, këtë e ka treguar me rastin e zhvillimit të referendumit në Krime dhe aneksimin e kësaj të fundit nga Rusia, në mars të vitit të kaluar. Ai ka qenë ndër të parët që atë referendum e ka quajtur legal dhe që mund të jetë një precedent i vlefshëm për republikën e tij.
Ashtu siç i sugjeron Malit të Zi M. Zaharova (referendum për anëtarësim në NATO), edhe Elena Guskova i sugjeron Presidentit Dodik që ai të organizojë një referendum për çështjen e pavarësisë së Republikës Serbe të Bosnjes.
Nga sa u trajtua më lart, mund të nxirren disa përfundime:
Së pari, lojës së Moskës me “standardet e dyfishta” perëndimore, me ndarjen, sipas saj, nga Perëndimi në “djem të mirë”, ata që u shkojnë pas perëndimorëve dhe “djem të këqinj”, ata që i kundërshtojnë perëndimorët, në “tanët” dhe “të huajt”, ku të parët janë gjithmonë të mirë dhe mbështeten nga Perëndimi dhe të dytët, gjithmonë të këqij dhe, për pasojë, luftohen nga Perëndimi, duket se i ka dalë boja. Sepse ajo që dikur pretendonte mbrojtjen e të drejtës ndërkombëtare, të parimësisë dhe moralit politik, është zhytur vetë në lojën e “standardeve të dyfishta”, shkeljes me të dyja këmbët të ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtjes me çdo kusht e mjet të interesave të veta egoiste. Dodik, që i shkon pas Rusisë dhe e lavdëron Putinin si udhëheqës i shquar global, është i mirë, ndërsa Gjukanoviqi, që e kundërshton atë, është i keq. Republika Serbe e Bosnjes është model i marrëdhënieve me Rusinë, kurse Mali i Zi, është “çiban” në këto marrëdhënie.
Së dyti, instrumentalizimi i “precedentit Kosovë” dhe heqja e paraleleve midis rastit të saj dhe Krimesë, nga ana e Moskës, janë kthyer në një burim kërcënimi për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit, në hapësirën ish-sovjetike dhe më gjerë. Para, por sidomos, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008, Presidenti rus, V. Putin, më se një here, pati shtruar pyetjen: Nëse Kosovës i lejohet, përse e njëjta gjë të mos u lejohet edhe të tjerëve, për shembull Abhazisë dhe Osetisë së Jugut? Dhe po atë vit, nëpërmjet agresionit ushtarak në Gjeorgji, Putini fabrikoi vetë një precedent, natyrisht, në interes të shtetit rus, duke ua “dhuruar” Abhazisë dhe Osetisë së Jugut atë që, sipas tij, iu dha Kosovës nga Perëndimi. Shtatë vjet më vonë, në mars 2014, nëpërmjet një referendumi, ku votuesit “shprehën vullnetin e tyre të lirë”, në prani të bajonetave dhe tankeve ruse, Putini “legalizoi” aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Instrumentalizimi prej tij i “precedentit Kosovë”, ka të ngjarë, që të zëvendësohet me instrumentalizimin nga të tjerët të precedentit të Krimesë. Presidenti Dodik, tashmë, e ka bërë këtë gjë. Tani për tani, ai flet për referendumin si rrugë për pavarësimin e Republikës Serbe të Bosnjës. Po çfarë garancie ka që nesër të mos e shtrojë pyetjen në një rrafsh tjetër: nëse Krimesë i lejohet të bashkohet me Rusinë, përse të mos lejohet bashkimi i Banja Llukës me Beogradin (Republika Serbe e Bosnjës me Republikën e Serbisë)?
Në të njëjtën logjikë mund të pyesin edhe shqiptarët: nëse Krimesë i lejohet bashkimi me Rusinë, përse të mos i lejohet Kosovës bashkimi me Shqipërinë? Dhe më tej, përse të mos i lejohet Moldavisë bashkimi me Rumaninë? Më tej akoma, përse të mos i lejohet Kaliningradit, vendlindjes së filozofit të madh, Immanuel Kant (Kënnigsberg), bashkimi me Gjermaninë? Apo Karelias, bashkimi me Finlandën? Apo ndonjë pjese të Lindjes së Largët Ruse me Kinën? E kështu, nisur nga konsiderata historike, kulturore, sakrale, apo të “vullnetit të popullit”, mund të vazhdohet për çështje të tjera të hapura, pa fund, në Evropë, Azi dhe kudo në botë.
Problemin e bumerangut që u kthehet perëndimorëve, të cilin Putini e ka përmendur në rastin e Kosovës, mbase është mire, që edhe ai vetë ta ketë parasysh, në rastin e Krimesë.
Së fundi, pavarësisht zhvillimeve dramatike në rajonet e tjera të botës, si në Siri, Ballkani vazhdon të mbetet një “punë e papërfunduar”, dhe si i tillë, një arenë përplasjesh midis BE-së, NATO-s, dhe SHBA-s nga njëra anë dhe Rusisë, nga ana tjetër. Dobësimi i vëmendjes perëndimore ndaj Ballkanit, aq më keq, tolerimi i krizave, qoftë edhe latente, krijojnë terren të favorshëm për depërtimin e Moskës dhe forcimin e ndikimit të saj, ekonomik, ushtarak dhe kulturor në këtë rajon. E rikthyer në skenën ndërkombëtare, tashmë, si fuqi e madhe, ajo operon me mendësitë e sferave të ndikimit, të zonave amortizuese dhe të lojës me shumën zero.
Përvoja, jo shumë e largët, ka dëshmuar se forcimi i pranisë ruse në Ballkan, si rregull, çon në ringjalljen dhe konsolidimin e nacionalizmit ekstrem sllav, dhe, si reagim ndaj tij, edhe të nacionalizmave të tjerë ekstremë.
Dinamizimi i proceseve integruese euroatlantike në vendet e Ballkanit Perëndimor; njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe liberalizimi, pa vonesë, i vizave për shtetasit kosovarë; funksionalizimi i shtetit të Bosnje-Hercegovinës, duke zgjeruar e forcuar kompetencat federale, mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese; përshpejtimi i realizimit të projekteve infrastrukturore që lidhen me rajonin tonë, të miratuara në Berlin dhe Vjenë; ndërtimi dhe vënia në shfrytëzim, sa më shpejt të jetë e mundur, e projektit energjitik TAP, janë disa nga masat e domosdoshme që mendohet se mund të parandalojnë shtimin e ndikimit rus në Ballkan, si dhe pasojën e pashmangshme të tij, ringjalljen dhe riaktivizimin e nacionalizmit ekstrem.
Shtetet në zhvillim thonë se 300 miliardë dollarët e ndarë p...
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...
Pse Sara i kërkoi falje Drilonit?
Sekuestrohen 76 kilogramë drogë në Itali/ Dy të arrestuar, n...
Sot duelet finale të turneut ‘Adem Jashari’